Roman dashurie: Gruaja me sekrete (8)

  • E.K /
  • 08 May 2021 - 15:13
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (8)

- E, kush është ai? - Është nga ky qytet. Nënën e ka pasur arsimtare në shkollën time fillore, kurse i ati i tij ka qenë bujk. Kanë një pronë të bukur jashtë qytetit, e para disa vjetësh aty kanë ndërtuar plantacione të pemëve dhe perimeve. Tani e kanë edhe një fabrikë për përpunimin e tyre, e cila mesa kam dëgjuar, ka fitime të mëdha. Vitin e kaluar i ka vdekur i ati, e me nënën kishte filluar ndërtimin e shtëpisë së re, të cilën tani e ka përfunduar. Ajo është një shtëpi tepër e bukur. Nga jashtë duket si një kasolle e madhe dhe është ndryshe nga shtëpitë e të gjithë pasanikëve të këtushëm. - Shihe ti! Interesant! Është i martuar, apo jo? Punëtorja buzëqeshi disi me turp. - Jo, nuk është. Është i bukur, s'ka fjalë.

Ka kohë që ka një të dashur. Ajo është nga qyteti i afërt dhe është tepër e bukur. Por, ende nuk janë martuar. Këtu ka shumë vajza që do ta jepnin tërë atë që kanë vetëm që ai t'i shikonte një herë. Vlora u ndie e rrezikuar. Punëtorja do të mund ta kuptonte se ajo e pyeste për Dinin, për shkak se i pëlqente. - Sikur të ishte i martuar, do të ishte më mirë. Atëherë nuk do të blinte vetëm për nënën, por edhe për gruan. Ajo u mundua që ta bënte një shaka, por punëtorja nuk e kuptoi. Ajo vazhdonte që ta shikonte pa ia ndarë sytë. - Lëre, as që ka rëndësi, bile! Nëse më kërkon përsëri, ktheja përshëndetjet. Kaq.

E lirë je, tani do të punoj unë. E, pasi mbeti vetëm, Vlora në vete përsëriti të gjitha informatat që mori rreth Dinit. Dhe, menjëherë i erdhi dëshira që t'i ndante ato me Lolën. Por, në momentin e fundit hoqi dorë. Lolës i kishte pëlqyer Dini kur e kishte parë për herë të parë. E, ashtu e marrë si ishte, mund të vinte menjëherë e ta kërkonte, sapo ta merrte vesh se nuk ishte i martuar. Jo, tani nuk do t'i thoshte asgjë asaj. Më vonë, ndoshta. Ajo edhe e thirri më vonë, por as që ia përmendi mashkullin e pashëm e të pamartuar.

KAPITULLI I SHTATË

E ai u pa të nesërmen pak para mbylljes së dyqanit. Kishte veshur xhinse dhe një bluzë të rëndomtë me mëngë të gjata, por edhe kështu ishte shumë impresiv, sikur kur ishte paraqitur i veshur me kostum. Vlora ishte duke fshirë pluhurat nga raftet, por kur sytë e saj u ndeshën me sytë e kaltër të tij, lecka i ra nga duart. Kjo bëri që ai të buzëqeshte. - Herën e kaluar mu duk sikur të pengova ta shikoje ylberin, e kësaj here më duket se ju frikësova. - Jo, jo! Vetëm nuk prisja myshterinj në këtë orë të vonë. - Myshterinj? Jo, kësaj here nuk vij si myshteri.

Por, nëse kusht për të qëndruar këtu, është që të jem myshteri, atëherë do të blej diçka. Plotësisht e habitur, Vlora vetëm e shikonte, pa bërë zë. Edhe ai vërejti se sa e kishte habitur. - Pak e teprova, apo jo? Nuk dua të të shtyjë që ta kërkosh ndonjë ndalesë gjyqësore kundër pranisë sime. Nuk jam kaq imponues gjithmonë, por ti më ke magjepsur me diçka. Dua të zbuloj se a ke ndonjë aftësi mbinatyrore, apo bëhet fjalë vetëm për fatin, të cilit nuk duhet t'i iki. Ajo ia doli që të buzëqeshte. (vijon)

(Kosova Sot Online)