Roman dashurie: Gruaja me sekrete (11)

  • E.K /
  • 11 May 2021 - 15:52
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (11)

Vlora, bija e nënës! Pse nuk më ke treguar se do të vish? Uka ka shkuar në lum me barkë. Vetëm unë dhe babai jemi këtu. Mon! O, Mon! Hajde, hajde shikoje princeshën tënde! Nga oborri i prapmë i shtëpisë erdhi i ati. Ai dukej tepër i lumtur që shihte sugareshën e vet. - Shumë mirë që të ka ra ndërmend për ne. Tanimë pata filluar të mendoja se na ke harruar. - Jo, more! Nuk ju kam harruar, vetëm doja të rrija sa më gjatë e vetme, për të parë a mundem. - Dhe, a mundesh? I shikoi me dashuri. Të atin në pantallona të shkurtër dhe me një bluzë të thjeshtë, kurse të ëmën të veshur me një fustan me lule. Çdo gjë dukej normale, e thjeshtë, me përjashtim të rojës me kostum, i cili ia hapi derën kryesore. - Mundem. Vetëm se më duhet një këshillë, për çka edhe erdha. Baba, do të doja të bisedonim!

A mundet pak më vonë? Fike skarën, do të dalim diku për drekë. - Baba, nuk kam kohë. Më duhet që të kthehem për shkak të dyqanit. E edhe ashtu, do të doja të haja ushqime nga skara e nënës. Hajde të hamë këtu dhe të bisedojmë. Prindërit e shikuan me habi. Nuk e kishin të qartë pse ajo nuk mund të rrinte më shumë se vetëm disa orë. - Çka qenka kaq me rëndësi, kur ke bërë tërë atë rrugë për vetëm disa orë? - Do të doja të investoja në ndonjë biznes fitimprurës.

Dyqani i antikiteteve më pëlqen, por megjithatë është vetëm hobi. Më duhet këshilla jote, baba. Dhe, të dy prindërit kuptuan se bija e tyre ishte rritur. Nuk ishte më ajo adoleshentja kryefortë, që ikte nga mbiemri i vet dhe paksa turpërohej me prindërit e vet, respektivisht me suksesin e tyre. Tani ata para vetes kishin një femër të re, e cila kishte vendosur njëherë e mirë që ta bënte një jetë të pavarur, duke notuar në një det të largët, ku ata vetëm do të mund ta shikojnë nga bregu. - Mirë, mirë! Do të bisedojmë për këtë. Por, pas dreke. E dashur edhe sa do të jetë ushqimi gati? - Shumë shpejt. Ju mund ta shtroni tavolinën dhe të sillni pijet. Këtë urdhër të nënës e kishte dëgjuar shumë herë gjatë jetës, por tani buzëqeshi, ngase nuk përtoi aspak që ta bënte atë që i kërkoi e ëma.

KAPITULLI I NËNTË

Pak më vonë i ati thirri disa numra të telefonave dhe, pas vetëm 20 minutash, vajzës ia shkroi numrin e njeriut të cilit duhej t'i drejtohej dhe i cili, si jurist dhe menaxher i dalluar, do të mund t'ia ofronte opsionet më të mira për investim në punën e re. - A je e sigurt se do të qëndrosh atje? - Më pëlqen. Do të rri. - Qytetet tjera ofrojnë mundësi më të mëdha. Pse nuk do të shkoje gjetiu? - Nuk dua ta mbyll dyqanin e antikiteteve, baba. Le të jetë ai diçka që do të ma freskojë jetën, diçka që do të më argëtojë. Nuk dua të shpërngulem. Jam duke u përshtatë ngadalë dhe më pëlqen. E, më pas, kuptoi se duhet t'i thotë të atit edhe diçka që nuk do t'i pëlqente atij. - Baba, a mund ta thërrasësh edhe një herë mikun tënd jurist, ta lusësh që të mos i tregojë askujt se jam bija jote? I ati e shikoi me habi, bile edhe i ofenduar. - Pse? A duhet të mbahet fshehur një gjë e tillë, a? - Jo, por... Njerëzit më shikojnë me një sy tjetër kur e dinë se e bija e kujt jam. (vijon)

(Kosova Sot Online)