Ngjarje e vërtetë: E urrej jetën time (2)

  • E.K /
  • 26 May 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: E urrej jetën time (2)

Dardanes i pëlqente shumë qëndrimi i tyre, meqë "kishte shpirt", si i pëlqente të thoshte ajo. Nuk ishte as për t'u habitur, meqë e kishin krijuar gjeneratat, duke inkorporuar në të pjesë të tyre, e çdo gjeneratë tjetër vetëm e vazhdonte punën aty ku e kishte lënë tjetra, por pa e ndryshuar natyrën e vërtetë të banesës. Kushdo që hynte në të, ndiente vibracione pozitive, gjë që nuk mund të mohohej dhe, në fakt, ishte kompliment, meqë banesat e mëdha shpesh mund ta japin një përshtypje të ftohtësisë, mu për shkak të faktit se janë tepër të mëdha.

Flora ia kishte dalë që, me anë të detajeve të vogla, ta shndërronte atë banesë në një fole të ngrohtë për familjen e saj, e derisa e kishte bërë këtë, nuk i kishte shkuar ndërmend që, një ditë, ajo banesë do të bëhej vatër e dikujt tjetër. Kur Dardanes i kishte lindur për herë të parë ajo ide, ajo nuk mund t'iu besonte veshëve të saj: - Dëgjo, plakë, nuk mundem një njeri të formatit të tij ta ftoj në banesën time, meqë ajo është kasolle hesapi, më shumë do të më vlerësojë nëse do të takohemi në banesën tuaj - i kishte thënë ajo, e Flora ishte humbur e tëra nga habia. Fundja, çka mund të thuhej në atë ide të marrë? "Dëgjo, biri vetes pas, gjej vetes ilaç …" - kjo do të ishte përgjigja e vetme adekuate, normale, por ajo nuk e tha atë. Heshtjen dhe befasinë e saj ajo e interpretoi si pranim. Flora ende nuk e kishte marrë veten, e ajo detajizonte tërë operacionin.

Natyrisht, përkundër vullnetit të saj. Fadili ende ishte i vogël kur ajo ia kishte kërkuar atë favor, kështu që nuk mund të shëtiste me të poshtë e lart në mot të papërshtatshëm, kështu që rrinin në banesën e Dardanes. Banesa e saj ishte e re, gjë që sipas mendimit të Florës, ishte e denjë, ndoshta jo aq reprezentativ sikur banesa e tyre, por në çdo rast, e denjë. Përpos kësaj, të presësh ndokënd mirëkuptim për një cirk të tillë, me të vërtetë është tepër! Kështu mendonte Flora, por përgjatë tërë atyre viteve dilte pa bërë zë nga banesa sa herë që Dardania, mesatarisht çdo tre muaj, ia bënte kërkesën e njëjtë.

Kur njëherë e kishte pyetur se si mund t'i rrente ashtu parterët e saj dhe çka fiton me këtë, pasi që, një ditë edhe ashtu do t'i duhej t'i çonte në banesën e vet, Dardania u përgjigj me qesëndi. - Disa prej tyre nuk ekzistojnë në jetën time më gjatë se dy muaj, e gjatë asaj kohe i çoj nëpër restorante në llogari të tyre. Kur e shohin banesën, mendojnë se jam femër me standard të lartë dhe me një prejardhje të mirë, prandaj mundohen që të më impresionojnë duke më dërguar në hotele luksoze, e jo në qymeze të ndryshme. Mënyra e vetme për ta arritur këtë është banesa jote, meqë unë më kot mund të jem zonjë e rëndë, nëse ata shohin se ku jetoj - i tha ajo me një zë aq bindës, sa që Florës për një moment krejt ajo mesele iu duk edhe e logjikshme.

Kur Dardania përmendi prejardhjen e saj, Flora mezi mbajti të qeshurën, meqë e dinte shumë mirë prejardhjen e saj, e cila mund të quhej me krejt emrat e mundshëm, përpos e denjë jo. Ndoshta për këtë shkak edhe vuante për një gjë të tillë, për shkak se nënën e kishte pasur një grua të varfër, e cila punonte si pastruese që të mund ta rriste Dardanen, ku me babanë e Dardanes ajo nuk ishte martuar kurrë. Si e re kishte ardhur nga fshati në qytet, ishte punësuar si shërbëtore në një shtëpi "zotërinjsh", ishte e pashme dhe naive, prandaj ishte dashuruar në të zotin e shtëpisë, i cili shpejt edhe e kishte shfrytëzuar. Pasi që kishte ngelur shtatzënë, e kishin përjashtuar nga puna, përkundër premtimeve të të zotit të shtëpisë sesi ai do të ndahej nga gruaja dhe do të martohej me të. Ajo nuk e dinte se "zotëria" ishte një mashtrues ordiner, i cili edhe gruan e tij aktuale e kishte mashtruar, duke u martuar me të vetëm për shkak të pasurisë. (vijon)

(Kosova Sot Online)