Roman dashurie: Gruaja me sekrete (26)

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 15:50
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (26)

Pas kësaj u ndërpre lidhja. Ndërsa, Vlorës iu duk sikur ta kishte pranuar një goditje. Tingëllonte aq ftohtë, aq zyrtar, sa që një gjë e tillë assesi nuk përshtatej me atë që kishte shkruar në porosi, sikur bëhej fjalë për dy persona të ndryshëm. Ashtu e zhgënjyer edhe e priti ardhjen e tij. E ai nuk shprehi befasinë për shkak se ajo ishte më e distancuar sesa zakonisht. Menjëherë ia dha një listë me emra të nejçëve që do të mund të ishin klientë potencialë për blerje me shumicë, ndërsa më pas e këshilloi që sa më parë ta gjejë një asistente të mirë. Në këtë, Vlora reagoi shumë zhurmshëm. - Këtu nuk ka vend për sekretare, të paktën jo ende. Unë mund të arrij t'i bëj të gjitha.

E, kur të shkosh diku, për disa ditë, sikur tani? Nëse punët shkojnë ashtu ai mendoj, atëherë do të na duhet një zëvendësuese. - A je duke thënë se kërkesa ime për disa ditë të lira, për ditëlindje, paraqet problem? Pse nuk më the të mos shkoja, nëse mendoje se kjo nuk ishte në rregull? Dini e shikoi me habi. - Kurrë nuk kam thënë se është problem të shkosh. Vetëm dua që të bëjmë plane paraprakisht. Por, Vlora ishte e prekur, jo aq nga fjalët, sa nga qëndrimi i tij. Donte një puthje në faqe, të paktën për ditëlindjen e saj. E donte atë mashkullin, i cili e kishte përpiluar atë porosinë në dhuratë. - Jam e sigurt se nuk është njësoj që kam shkuar dhe se ti mendon se unë do të jem jo e përgjegjshme, se shumë lehtë do të heq dorë nga e tërë kjo. Se nuk kam mjaft entuziazëm.

Vlora, nuk kam haber se çka je duke thënë. - Mos më nënvlerëso! Vetëm këtë mos e bëj! Dhe, përnjëherë filloi të qante. Ashtu, pa e ditur as vetë pse. Ajo nuk ishte ndonjë qaramane, larg qoftë, por tani sikur nuk ishte vetvetja. Dini reagoi shumë çuditshëm ndaj lotëve të saj. U hutua. Sa donte t'ia përkëdhelte flokët, sa bënte një hap prapa, sikur të donte të ikte. Pasi që ajo përfundimisht u qetësua, ai u ul afër saj dhe ia kapi dorën. Shikimi i tij ishte i butë, sikur dikur. - Nuk kuptoj pse reagove kështu. Supozoj se në kryeqytet të ka ndodhur diçka emocionale, prandaj tani shpërtheve në lot. Nuk do të të pyes asgjë, meqë e di se ti nuk më konsideron njeri të besueshëm. Por, dua ta dish se të konsideroj një femër tepër të aftë dhe se më ke dhënë energji për punën, të cilën dikur e kam konsideruar rutinë. Me të vërtetë, sekretaren e përmenda vetëm pse pres që këtu të ketë punë, e jo pse kam ndonjë problem me ty.

A kupton? Ajo pohoi me kokë. Dhe, sapo deshi t'ia bënte me dije sesi emocionet e saj, në njëfarë mënyre, gjithnjë e më shpesh varen nga ai, kur i cingëroi telefoni. Ai shikoi në ekran të celularit, e më pas u ngrit me shpejtësi dhe zbriti në pjesën e poshtme. Megjithatë, mund ta dëgjonte duke biseduar. - Alo? A je aty? Me të vërtetë? Nuk e kam ditur se do të vish sot... Jo, nuk ka problem, natyrisht, shko në shtëpinë time, e unë do të arrij... Sa do të qëndrosh?... Ani, mirë. Shihemi së shpejti... Edhe unë ty! (vijon)

(Kosova Sot Online)