Roman dashurie: Gruaja me sekrete (28)

  • E.K /
  • 29 May 2021 - 15:02
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (28)

KAPITULLI I NJËZETË

Pak më vonë, ndodhi një puthje me të vërtetë epshore midis Vlorës dhe Sokolit. Kjo ndodhi para banesës së saj, kur ai e përcolli deri në shtëpi. Ai tentoi, e ajo nuk kundërshtoi. Pasi që kishte parë Dinin me të dashurën e tij, i ishte bërë e qartë se ai ishte një mashkull i zënë, pa marrë parasysh se nuk kishte unazë në gisht dhe se ishte i ndaluar për të. Ajo që pa i shkaktoi dhembje të madhe, një mashkull i përkryer me një grua tjetër. Por, aty gjendej një mashkull tjetër i mrekullueshëm, i cili donte puthte. Për këtë shkak lëshoi pe. Megjithatë, pasi që pas gjysmë ore hyri në banesë me buzë të ënjtura, nuk ishte e disponuar si duhej të ishte pas puthjes së parë me një mashkull që të pëlqen. Aty diçka dukej e gabueshme. Kishte diçka që nuk shkonte.

Logjika i thoshte që të kënaqej me buzët e tij, por nuk mund ta mashtronte zemrën. Tani e kishte bërë punën m..., mendoi me vete. Tani Sokoli do të priste lidhje me të. Ashtu edhe e kishte përcjellë deri në shtëpi, duke u sjellë si i dashur, e jo si një mik. E, kur pas nja dhjetë minutash mori një mesazh të butë të dashurisë nga ai, sa nuk bërtiti nga zemërimi që ndjente ndaj vetvetes. Kishte gabuar, e tani shtrohej pyetja çka të bënte tutje.

KAPITULLI I NJËZETENJËTË

Qysh të martën e ardhshme Dini dhe Vlora shkuan rreth 100 km larg, në takim me një firmë të suksesshme, të interesuar për shitjen e prodhimeve të tyre. Vlora thuajse nuk fliste asgjë, duke menduar për ditët e kaluara, kur shihej me Sokolin, puthej me të dhe shtirej sikur vet kishte vendosur të ishte e dashura e tij. Nuk ishte në gjendje që t'ia thoshte të vërtetën. Më lehtë dukej të puthej, sesa të bisedonin. As Dini nuk fliste më shumë. Edhe ai dukej sikur ishte zhytur në mendime dhe se nuk kishte qëllim të dilte nga to. Por, kah mesi i rrugës, ishte ai që foli i pari. - Isha dje te Sokoli, për regjistrim të veturës, i cili më kalon pas disa ditësh dhe desha që ai të ma kryente këtë punë. Vlora nuk reagoi, por vazhdoi që të shikonte nga dritarja. - Më tha se keni udhëtuar së bashku. Ajo u dridh.

Po, është e vërtetë. Nuk guxonte ta shikonte. I dukej se toni i zërit të tij ishte shumë indiferent. Ajo kishte pritur që Dini të shfaqte zemërim për këtë gjë. - Nuk e di pse e fshehë nga unë që jeni bashkë. Nëse mendon se kjo nuk është punë imja... - Nuk është. Kjo është çështje private e imja. Këto fjalë Vlora i tha me një ashpërsi aq të madhe, sa që edhe Dini mbeti i hutuar. - Në rregull. Atëherë nuk do të të pyes më. Vetëm dua ta dish se... nuk ka lidhje. Por, tani Vlora ishte ajo që donte ta dëgjonte vazhdimin. - Fol. Kur të fillosh të thuash diçka, mbaroje.. Dëgjoi ofshamën e zëshme të tij. - Dua ta dish se më vjen keq që gjërat qëndrojnë kështu. Ajo papritmas u kthye kah ai. - E, pse të vjen keq? - Ndoshta për shkak se të kisha dashur për ty. Nuk e kam dëshmuar këtë ashtu si duhej. (vijon)

(Kosova Sot Online)