Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (2)

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (2)

- I mjeri fëmijë, nuk e di se si prindërit e tu nuk kanë aspak shpirt, kur mua më vjen të qaj derisa të shikoj - më tha kuzhinierja një mëngjes pasi që m'u desh të zgjohesha në orën 5 të mëngjesit, me temperaturë dhe të shkoja në stallë, për t'u përkujdesur për kafshët. - Teta Meri, sa do të doja që ju të ishit nëna ime - i pëshpërita, e putha në faqe, e piva çajin dhe ilaçet dhe dola ta bëj punën për të cilën kishim punëtorë që i paguanim. As pasi që fillova shkollën, obligimet e mia nuk u zvogëluan. Më duhej të zgjohesha para agimit, i bëja punët, e më pas përgatitesha për shkollë. Me t'u kthyer haja bukë me shpejtësi, mësoja pak, e më pas punoja deri vonë. Kur bija të flija, isha tmerrësisht i lodhur. I urreja ditët. Mezi prisja që të vinte nata dhe të flija. Si një djalë dhjetëvjeçar ëndërroja ditën kur prindërit do të kishin mëshirë për mua, e më pas ëndërroja ditën kur do të ikja nga kjo shtëpi e tmerrit. - Sofije, jam i pikëlluar.

Erona do të shkojë së shpejti dhe do të më harrojë. Kujt i duhet një baba i pastrehë? - ia qava hallin shoqes sime. - Mos fol kështu. Pse do të të harronte? E di ajo se çka ke bërë për të. - Tani e di, por koha do ta bëjë të veten. Kjo është e paevitueshme. Më shiko, Sofije! A do të më njoftoje mua me kolegët, fqinjët dhe miqtë e tu? - e pyeta. Ajo ofshau. Saktësisht e dija se çka do të thoshte. - Ti je një njeri i mrekullueshëm. Ke një zemër të madhe. Kush do të vepronte sikur që ke vepruar ti? Erona nuk do të të harrojë, nuk do ta harrojë zemrën tënde plot ngrohtësi dhe gjithçka që i ke ofruar, derisa ke mundur - më ngushëllonte ajo. - Nuk mu përgjigje në pyetje - i thashë duke buzëqeshur nga zori. - Ti e di përgjigjen. Ndoshta… - nuk ia doli që ta mbaronte fjalinë, filloi të qante. - Sofije, nuk ke nevojë që të më përgjigjesh, jam i vetëdijshëm për të gjitha. Të falënderoj që më ndihmove. Është koha që të shkoj - thashë duke u ngritur nga karrigia. - Kam edhe një dhomë të lirë. Rri, buj edhe sonte te unë - më tha duke i fshirë lotët nga fytyra. - Të falënderoj për këtë ofertë, por kjo nuk do të ishte në rregull. 

Qëndro, të lutem, kam nevojë për ty - më pëshpëriti. - Për mua? E kush mund të ketë nevojë për një njeri si unë? Sikur të ishte e mundur edhe unë do të ikja nga vetja ime - thash, meqë nuk iu besoja fjalëve të saj. - A je i verbër? Vallë, nuk kupton? - fliste aq me zë të ulët, saqë mezi e dëgjoja. - Nuk kuptoj. - Të... dua! Që nga dita kur të kam parë - tha ajo duke lëshuar shikimin poshtë. Deklarata e saj më befasoi. - Më do? Dëshiron të thuash, më do si vëlla, apo jo? - A je budalla? Unë të dua - tha ajo, duke mbuluar fytyrën me duar, nga turpi që ndiente. Nuk dija çka të bëja. Shikimin e saj të turpëruar e vështrova një kohë të gjatë, e më pas u largova pa thënë asgjë. Në klasë, gjatë shkollës fillore, e kisha edhe Laurën. Një vajzë të qetë, të tërhequr nga një familje e varfër. Shumica e nxënësve të klasës shpesh talleshin me të mu për shkak të varfërisë së saj. I urreja njerëzit e tillë që në fëmijëri dhe gjithmonë i dilja asaj në mbrojtje. (vijon)

(Kosova Sot Online)