Roman dashurie: Gruaja me sekrete (33)

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 15:54
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (33)

Pak më vonë ai u kthye me qeset plot, piu një kafe të cilën vetë e përgatiti, e më pas tha se i duhej të ikte, por që mund ta thërriste lirisht nëse i duhej ndonjë gjë. Ajo iu falënderua, e pasi që u përkul dhe e puthi në faqe, ajo u dridh, duke ditur se ky ishte fillimi i disa etheve krejtësisht të ndryshme, të cilat nuk shërohen me ilaçe.

KAPITULLI I NJËZETEKATËRTË

Tri ditë u kënaq me kujdesin e Dinit. Ai vinte çdo ditë paradite, duke ia sjellë drekën të cilën e përgatiste nëna e tij, apostafat për të. - Asaj i ke pëlqyer shumë. Ndoshta edhe tepër. - Edhe ajo më ka pëlqyer mua. Më duhet që ta falënderoj sapo ta marr veten. Por, ditën e katërt ai nuk erdhi në kohën kur kishte thënë se do të vinte. Ajo mendoi se mund të ketë qenë puna ajo që e kishte penguar Dinin të vinte. E, në anën tjetër, ishte duke rënë një borë e dendur, kështu që mund të ishin krijuar edhe kolonat në trafik. Por, kur diku rreth orës katër e thirri avokati i tij, po ai i cili kishte marrë pjesë në arritjen e marrëveshjes partnere, ajo mbeti e habitur. - Zotëri Malaj më ka autorizuar që të bisedoj me ju rreth shkëputjes së kontratës tuaj.

Urdhëroni? Ajo ngeli e shtanguar. I dukej se ishte duke parë ëndërr - a ishte e mundur që ai kishte shfrytëzuar sëmundjen e saj për të pështjellur diçka dhe tani, kur gjërat shkonin mirë, ta kishte përjashtuar nga biznesi?! - Mendoni rreth asaj se sa vlen hisja juaj në këtë biznes, por duke marrë parasysh se ju keni investuar shumë më pak krahasuar me zotërinë Malaj. Dhe, nesër në kësi vakti, do të mund të takoheshim në zyrën time. A e di ku gjendet ajo? - Për çka bëhet fjalë këtu? - Zonjushë, klienti im ka kërkuar nga unë që ta paraqes në këtë rast. Për arsye që i di vetëm ai, zotërija Malaj dëshiron që ta ndërpresë bashkëpunimin me ju. Tani juve ju mbetet që të shikoni si ta zgjidhni këtë problem.

Ajo u zemërua. E ndërpreu lidhjen. Duart i dridheshin derisa sillte numrin e Dinit. Ai nuk e çonte telefonin. E pasi ajo e thirri edhe një herë, ai ia mbylli telefonin. Edhe pse ende nuk ndihej mirë, u vesh me shpejtësi dhe hyri në veturë. Voziti shumë shpejt deri në zyrë. Aty gjendej zëvendësja e saj, e cila nuk kishte haber se çka ishte duke ndodhur. Dini nuk kishte qenë aty dhe nuk i kishte thënë asgjë që do ta sqaronte këtë situatë. - Shefi vetëm më thirri sot në mëngjes dhe kërkoi nga unë që t'ia mblidhja raportet për çerek-vitin e fundit, duke i lënë poshtë në punëtori, e ai sonte do të vijë t'i marrë. Kjo ia bëri me dije Vlorës se Dini kishte vendosur ta përjashtonte nga biznesi. Ishte shumë e zemëruar. Assesi nuk mund ta gjente qoftë edhe vetëm një arsye pse ai sillej kështu.Deri dje ishte shumë i sjellshëm dhe u kujdesshëm, e tani bënte gjëra të paimagjinuara. Përsëri i hipi veturës. Kishte shumë borë. Disa herë për pak sa nuk doli nga rruga, por adrenalina i qarkullonte në trup. E tëra që donte të bënte, ishte që të mbërrinte te shtëpia e tij. Dhe, ia doli. Me të arritur aty, filloi që t'i binte ziles si e marrë. Pas pak, derën e hapi nëna e tij. (vijon)

(Kosova Sot Online)