Roman dashurie: Gruaja me sekrete (39)

  • E.K /
  • 09 June 2021 - 15:48
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (39)

Vlorës nuk i besohej se ishte duke bërë një bisedë të këtillë me të atin. Kurrë nuk e kishin prekur këtë temë dhe ai kurrë nuk i kishte dhënë këshilla sesi të zgjidhë problemet e dashurisë. Me këtë zakonisht merrej nëna. Por, i ati i thoshte Vlorës atë që kjo e fundit kishte dashur të dëgjonte. - Çka je duke thënë, baba? - Hipi kerrit dhe gjeje! Dhe, thuaja të vërtetën! Tregoji se je e dashuruar dhe se je ikur nga ai ashtu si pate ikur edhe nga ne. Edhe nëse kjo nuk do të ndryshojë asgjë, të paktën do të jesh e qetë, duke ditur se ke dhënë gjithçka nga vetvetja. Më kupton? Nuk e kuptonte, të paktën jo atëherë. Por, paksa më vonë, gjithçka iu bë e qartë.

KAPITULLI I NJËZETETETË

Ishte vonë kur arriti para shtëpisë së tij. Drita e jashtme tanimë ishte ndezur, e po ashtu shihej se në shtëpi tani kishte njerëz. Deshi ta thërriste Dinin në telefon, por tani kur ishte para derës së tij, i dukej pa lidhje ta përdorte telefonin. Iu afrua derës dhe i ra ziles. Pas pak u dëgjuan disa hapa. Para saj doli Dini, i veshur me xhinse dhe një bluzë me mëngë të shkurtra. Ishte duke ngrënë diçka. E, kur e pa, për pak sa nuk i mbeti në fyt. - Vlora? - Më fal, e di se është vonë. E di se është pa lidhje, por erdha të të them se nuk jam e tillë si më sheh.

Nuk të kam treguar se e bija e kujt jam, sepse kam menduar se një gjë e tillë do të më pengonte. Por, prindërit e mi janë njerëz të mrekullueshëm, me zemër të mirë dhe nuk ka nevojë që të iki nga ta, apo ta fsheh prejardhjen time. Por, kjo nuk është gjëja e vetme që kam fshehur. Sytë e tij, e shikonin me kureshtje. Ajo nuk mund të vlerësonte se a ishte ai në disponim të mirë, apo vetëm sillej mirë dhe e dëgjonte nga kureshtja. - E kam mbajtur të fshehtë faktin se jam e dashuruar në ty. Që nga dita e parë. Një gjë të tillë e kam konsideruar si diçka të cilën nuk mund t'ia lejoj vetes, sepse njerëzit do të më refuzonin nëse unë e re në qytet do të të bëja për vete, ndërsa në anën tjetër të dëshirojnë shumë të tjera.

Gjë e marrë, tani e shoh. Por, ndoshta kam shumë komplekse, të cilat thjesht nuk mund të më lejojnë që të mendoj si një person i rritur. Kjo është e tëra, vetëm dëshirova që ta dish. E mori për dore dhe e tërhoqi në shtëpi, e më pas e mbylli derën. - Eja me mua ta përfundoj darkën. Edhe pse ajo fjali nuk përshtatej aspak me atë skenar, ajo e dëgjoi. Shkoi pas tij deri në kuzhinë, ndërsa aty u ul si një e paditur, e cila e pret gjykatësin që t'ia caktojë dënimin. - A do të hash edhe ti?

Jo, faleminderit, nuk jam e uritur. E shikonte duke ngrënë, ngadalë, duke u kënaqur në secilën kafshatë, nga pak ishte e nervozuar, sepse atë ia e kishte thënë me vështirësi, ndërsa ai nuk reagoi bujshëm, as mirë e as keq. Indiferenca të cilën e tregoi ishte zgjidhja më e keqe. E kur e përfundoi darkën, e ftoi në dhomën e ditës. Aty ishte ulur tashmë njëherë dhe nuk ndihej kaq e pafuqishme, kaq e turpëruar. - Mirë që ke ardhur të ma thuash këtë, por vetëm ke humbur kohë kot duke ardhur te unë. Ajo u zbeh. Tani, gjithsesi, do të pasonte dënimi, do t'i thoshte se nuk mërzitet për dashurinë dhe ndjenjat e saj. - Ndoshta, por kam pasur nevojë që ta bëj një gjë të tillë. - Nuk po kupton. Po të mos vije ti sot, unë qysh nesër ose pasnesër do të vija te ti. Kur e di kush je, nuk e kam problem të të gjej.

(Kosova Sot Online)