Ngjarje e vërtetë: Aventura e fundit jashtëmartesore (2)

  • E.K /
  • 19 qershor 2021 - 15:05
Ngjarje e vërtetë: Aventura e fundit jashtëmartesore (2)

Gjithnjë e më shpesh më ndodhte që të mendoja se si me dikë tjetër do të ishte ndryshe, por menjëherë turpërohesha nga mendimet e tilla. Tash në ndërtesën tonë ka ardhur një djalë, të cilin shpesh e takoja shkallëve, apo në lift, meqë duket se kishim orar të njëjtë. Hetova se, nga dita në ditë, fillova që të mendoja gjithnjë e më shumë për të. Më vinte shumë turp për këtë gjë, por nuk mund të bëja asgjë. I thosha vetes sime se nuk ishte në rregull që komentoja shikimet dhe buzëqeshjet e tij si shenja të interesimit të tij ndaj meje, meqë me gjasë ai vetëm ishte i sjellshëm ndaj fqinjës, të cilën mund ta kishte edhe nënë. Më prezantohej si Zeshkani, e ajo nofkë i përshtatej shumë mirë, meqë ishte një mashkull shumë i pashëm zeshkan, me sy të mrekullueshëm. Sapo e pashë, sytë e tij sikur mu ngulën në zemër.

Ëndërrimet e herëpashershme rreth tij më shqetësonin pa masë. Në fund të fundit, ai i kishte vetëm 30 vjet, d.m.th. 20 vjet më pak se unë. Por, përkundër kësaj, më dukej se Zeshkani ishte me të vërtetë i interesuar për mua. Më shikonte në një mënyrë të veçantë, me një interesim të madh, kështu që kisha përshtypjen se ato takimet tona të rastësishme nuk ishin edhe aq të rastësishme. Pas punës e shihja duke dalë nga vetura sportive dhe mendoja sa mirë do të ishte sikur të shkoja diku me të, në ndonjë vend të mirë, e më pas ta kaloja natën nën yje dhe në përqafimin e tij. Luljeta, pusho! A je çmendur, i thosha vetes, duke u munduar që t'i ndalja mendimet e tilla. Por, pas një muaji ndodhi diçka e çuditshme.

Atë mbrëmje binte një shi i rreptë, i shoqëruar me një erë. Ecja me të shpejtë rrugës duke u munduar që të mbrohesha aq sa mundesha me ombrellë, duke u përkujdesur që të mos më spërkatnin automobilat, kur dëgjova dikë duke më thirrur. - Luljeta! Luljeta! U ktheva dhe pashë Zeshkanin se si ma bënte me dorë nga xhami i hapur i veturës së tij. - A dëshiron të mbytesh në shi, apo të vish me mua, të të dërgoj në shtëpi? - më tha duke buzëqeshur, pasi që pa se kisha mbetur si e ngrirë, pa ditur se çka të bëja. Nuk kisha zgjidhje tjetër, meqë isha lagur deri në palcë. Hyra në automobilin e tij. - Pse ke dalë këmbë në këtë mot? - më pyeti. - Djali i madh më luti t'ia huazoja automobilin. Nuk mund t'i thosha jo, meqë duhej të shkonte në aeroport, për ta marrë të dashurën - ia ktheva. - Qenke lagur e tëra - më tha dhe me butësi ma largoi një tufë flokësh nga balli.

Do të ftohesh. - Oh, nuk ka lidhje! - ia ktheva, duke u munduar që të tingëlloja sa më gjakftohtë, edhe pse ndjeja një zjarr të madh nga prekja e tij. Me bisht të syrit vërejta se si buzëqeshi. - Çka është kaq qesharake? - e pyeta. - Asgjë, vetëm jam i lumtur që je me mua... Ka kohë që ëndërroj një gjë të tillë. Më rrëqethën ato fjalë, të cilat i tha me aq lehtësi. Gjatë 25 vjetëve të martesës me një njeri kisha harruar se si vardiseshin meshkujt. - U tregove i sjellshëm që më more me veturë, por... belbëzova e turpëruar. - A me të vërtetë mendon se të mora për shkak se jam i sjellshëm, apo vetëm pse binte shi? - më ndërpreu. - Mos më thuaj se nuk ke vërejtur se sa më intereson. - Nuk kuptoj se çka dëshiron të thuash … - thashë, duke u bërë naive. Duke shfrytëzuar dritën e kuqe në semafor, u kthye kah unë dhe më tha me seriozitet: - Luljeta, a nuk i ke vërejtur ndjenjat e mia, të cilat i manifestoja me anë të shikimit? Mos u shtir, e di edhe ti se sa më pëlqen. Je një femër e bukur, më bëre për vete sapo të pashë në lift. E di se je e martuar, prandaj edhe asnjëherë nuk merrja guximin që të të afrohesha. (vijon)

(Kosova Sot Online)