Ngjarje e vërtetë: Aventura e fundit jashtëmartesore (1)

  • E.K /
  • 18 June 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Aventura e fundit jashtëmartesore (1)

Luljeta, çfarë më ke përgatitur për darkë - më pyeti bashkëshorti im Dulla, i mbështetur në një kolltuk të rehatshëm. Kjo ishte pothuajse pjesë e një rituali të përditshëm. Porsa të kthehej nga puna, do t'i ndërronte rrobat, do të shtrihej në kauç para televizorit, e më pas do të më pyeste se çfarë kishte për darkë. Sa herë që e shikoja atë mashkull që ishte plakur para kohe, më dukej se po e shikoj një person të huaj, i cili kishte depërtuar në jetën time, e as vetë nuk e di se si. Më nuk po e njihja këtë njeri në moshë të mesme, për të cilin isha martuar që para njëzet viteve, e tek ai nuk shihja djaloshin plot me pasion dhe energji, imagjinatë dhe kujdes. Po e pyesja veten time se kur ishte shndërruar në një pesëdhjetëvjeçar të animuar, të lodhur, me të cilin nuk kam ndarë asgjë përpos fëmijëve, të cilët i kemi sjellë së bashku në këtë botë.

Po, e vërtetë është se së bashku kemi krijuar një shtëpi të bukur, kemi siguruar ekzistencën dhe kemi dy djem të bukur, të cilët tashmë ishin më të vjetër se njëzetvjeçarë, por në krejt këtë, e kemi humbur njëri-tjetrin, ëndrrat tona dhe rehatinë që kishte mbizotëruar në vitet e para të martesës. Që moti kishte humbur pasioni dhe shenjat e vogla, me të cilat dikur më pushtonte. Këtë nuk po mund t'ia falja Dullës. Imagjinatën dhe pasionin e dikurshëm e kishte zëvendësuar me monotoninë e përditshme. Por, më dukej se ai ishte shumë i kënaqur me atë që kishte. E kishte lëshuar veten në kënaqësitë me gjëra të vogla, duke u kënaqur me vetëm një darkë të bukur apo me një program interesant që e shihte në televizor. Mua përkundrazi, kjo nuk më mjaftonte. Kisha nevojë për një jetë më me ritëm, të cilën e kisha dikur e në zemër ende po e ndieja vete e re dhe plot pasion.

Por, i ke pesëdhjetë vjet! Çfarë po dëshiron ende? Mos vallë në atë moshë po ëndërron edhe për dridhjet si të dashurisë së parë? Dulla dhe unë jemi rritur bashkë, por në mënyra të ndryshme, kështu që më për asgjë nuk po mund të kuptoheshim. Ai me kalimin e kohës ishte qetësuar dhe kishte humbur dëshirën dhe interesimin për ndjenjat, që për mua ende ishin me rëndësi dhe kisha nevojë për to. Ai tashmë po sillej si një plak, e unë në zemër po ndihesha si një femër e re. Nuk mundja ta fsheh, martesa jonë nuk ishte më e mira, megjithëse këtë Dulla nuk e kishte vërejtur fare. Marrë parasysh faktin se kurrë nuk jemi grindur, kishte ardhur në përfundim se midis nesh gjithçka ishte në rregull. Heshtjen time e kishte kuptuar se unë jam pajtuar me këtë, dhe se nuk mendonte që unë kërkoj më shumë se përditshmëria nga jeta.

E mua do të më mjaftonte një gjest nga ana e tij, një shenjë se jo gjithçka ishte shuar, gjeste që i kishim dikur si të rinj, por kjo nuk ndodhte. - Hejjj, gjel të pjekur dhe sallatë - ia ktheva në mënyrë mekanike pyetjes së tij, e ai si zakonisht kënaqej me përgjigjen dhe thoshte: - Shkëlqyeshëm. Vetëm kur më kujtohet se nesër është Dita e të Dashuruarve, u shtanga. Gjithçka do të jepja sikur njëherë t'i kujtohej dhe të më befasonte me diçka. Unë e dija mirë se kjo festë të shpenzonte, dhe se ndjenjat nuk krahasohen me një bonboniere ose një tufë lulesh, por një shenjë e vogël nga ana e tij, një lule do të ma ngrohte zemrën. Por, e kam ditur se nga Dulla nuk po mund të prisja asgjë. Më dukej se ai kishte harruar ndjenjat, pasionin, dashurinë. Madje edhe marrëdhëniet tona intime ishin të rralla dhe automatike. (vijon)

(Kosova Sot Online)