Roman dashurie: Një jetë më e mirë (13)

  • E.K /
  • 25 June 2021 - 15:56
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (13)

Nuk e kishte ndërmend që të kthehej në qytetin e lindjes. Gjatë varrimit qau, edhe pse në fakt, nuk dinte se çka ndiente. Mendimi se kishte mbetur pa baba, çfarëdo qoftë të ketë qenë ai, e detyronte që ta vajtonte veten e vet. Mundohej që ta kujtonte atë njeriun e gëzuar, elektricistin e mrekullueshëm, çfarë ishte para fatkeqësisë me kamion, por tani në mendime i vinin goditjet, vajtimi i nënës dhe përmbajtja e lotëve të saj. Tani, përfundimisht mund të qante para varrit të babait të saj, duke ditur se ai tani nuk do ta ofendonte për një gjë të tillë. Sapo mendoi se, me vdekjen e të atit, kishte mbaruar një kapitull i jetës së saj, u paraqit njëfarë djaloshi, duke u prezantuar si sipërmarrës, duke kërkuar që të takohej me trashëgimtaren e shtëpisë, meqë kishte ndërmend ta ndërtonte një qendër tregtare. Ajo donte që çdo gjë ta përfundonin me telefon, që vetëm t'ia jepte xhirollogarinë ku t'ia qite paratë, por ai insistonte që të takoheshin. Në fillim ishin marrë vesh që ai të vinte në kryeqytet, por meqë ai e njoftoi se në shtëpi kishte gjësende dhe mobilie, të cilat ajo mund të donte t'i merrte, vendosën që ajo të shkonte atje.

KAPITULLI I TETË

Për një moment mendoi mos gjendej në ndonjë vend tjetër. Asgjë nuk i dukej e njohur. Aty ku dikur ishte mishtorja, tani qëndronte një ndërtesë e madhe, moderne Në disa troje dikur bosh, tani ishin ndërtuar ca shtëpi të bukura. E, më pas, në sy i ra ndërtesa e vjetër komunale, para së cilës vazhdonte që të gjendej fontana e lënë pas dore. Njerëzit e kalonin rrugën pa i kushtuar rëndësi trafikut. Mundohej ta njihte ndonjë fytyrë, por më kot. Dy herë e humbi udhën, duke dalë në disa pjesë të qytezës, të cilat nuk i njihte mirë. Në fund e pyeti një kalimtar të moshuar se ku gjendej tregu.

Ai i tregoi me mirësi se, në kthesën e tretë në të djathtë, do të gjendej aty. Më në fund e gjeti edhe tregun. Ai i dukej dhe, në fakt, ishte më i madh sesa që ajo e mbante në mend. Mezi gjeti një vend parkimi. Më pas e kaploi njëfarë mundimi. E kishte të vështirë që të ballafaqohej me shtëpinë e rrëzbitur, ku e kishte kaluar fëmijërinë. Kujtimet filluan ta mundonin, shuplakat t'i djersiteshin dhe ta ndiente njëfarë ankthi. Më kot i thoshte vetes se tani është një njeri tjetër, një grua, se i duhej të ishte e fortë dhe nuk kishte pse të turpërohej. E dinte se nuk guxonte të dorëzohej para kujtimeve të largëta, të këqija, meqë këtë ua kishte borxh Selamiut dhe Dafinës. Donte t'i kujtonte momentet e fëmijërisë, puthjet e nënës dhe fishkëllimën e gëzuar të të et, kur kthehej nga puna. (vijon)

(Kosova Sot Online)