Roman dashurie: Një jetë më e mirë (23)

  • G.G /
  • 05 July 2021 - 15:13
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (23)

Mendoja, sa mirë nga ai, mendonte për tërë këta njerëz, shihej se kishin konsideratë të madhe për të, e ai ndaj një gjëje të tillë reagonte me modesti dhe marre. Vazhdimisht bënin shaka dhe buzëqeshnin, prandaj pyetej se a ishte ajo familje me të vërtetë aq e pafat. Atëherë përfundoi se ata kishin shumë momente të këqija, kur e kishin ftohtë, kur paguhej rryma, kur fëmijët shkonin në një shkollë shtatë km larg, prandaj pjesën tjetër të kohës duhej ta kalonin sa më lehtë që të mundeshin. Agimi foli vetëm pak para se të hynin në qytet. - A të bënë përshtypje?

- Po. Janë aq të gjallë, plot jetë dhe dashuri, e aq larg asaj që ne e quajmë lumturi. - E di, por lëri tani mendimet e rënda. Qëndro edhe një natë. Të pret një rrugë e gjatë. - Më duhet të kthehem. - Ke obligime? - Po. - Sa keq. - Edhe ashtu, kam qëndruar më gjatë sesa që kisha planifikuar. Nëse nuk të paraqet problem, më qo deri te hoteli, që t'i marr gjësendet dhe të shkoj në shtëpi. - Natyrisht! Ai e priti në recepsion derisa ajo përgatiti valixhet, veshi xhinset dhe atletet. Pasi që nxori kuletën për t'i paguar shpenzimet e hotelit, recepsionisti bëri me dorë.

- Gjithçka është e paguar! Ai ia bëri me kokë kah Agimi. - Pse e bëre këtë? - Jehona, mos ma lëndo krenarinë mashkullore. Ti këtu erdhe pas insistimit tim. Nëse nuk gaboj, ti as që kishe ndërmend ta vizitoje këtë shtëpi, nuk do të mendoje ta shisje. Më me dëshirë do ta harroje, por për shkak të insistimit tim, ti pranove. - Kam para unë, Agim. Dikur isha e varfër, më nuk jam. Ai nuk deshi që të përqendrohej te ironia në zërin e saj. - E dija se këtë do ta kuptoje gabimisht. E di se ke para, fundja sot pasdite në llogarinë tënde janë vendosur aq para, saqë të mund të rrish këtu sa ta dojë zemra, kështu që nuk do të duhej të mendosh se të nënvlerësoj. Ajo ofshau. E dinte se kompleksi i saj ndonjëherë e mundte arsyen e shëndoshë. - Më fal, nuk desha që të isha kaq e vështirë. Të falënderoj. Sot u kënaqa.

- Edhe unë u kënaqa. Do të doja që... të vish përsëri. - Do të vij. Këtë qytet e dua. - E mua? Ajo u hutua. U përkul kah ajo sikur të donte ta puthte, por ajo nuk mund të ishte e sigurt. Mos rastësisht donte t'i thoshte diçka me zë të ulët. Ajo tha se i dukej që të shkonte. E, ai e përcolli deri te vetura. Para se të nisej, e luti që t'i lajmërohej kur të arrinte. Ajo ia bëri me dorë dhe u nis. Një peshë ia rëndoi zemrën, derisa pas vetes la tabelën mirëseardhëse të qytezës.

Nga paratë që mori nga shitja e shtëpisë, Jehona bleu gjysmën e agjencisë së modës së Dafinës. Edhe pse Dafina edhe ashtu donte që, së shpejti, t'ia dorëzonte biznesin, Jehona kishte kërkuar që, të paktën në biznes, të harronin lidhjen që kishin. Selamiu respektoi dëshirën e Jehonës për pavarësi, kështu që në fund, përkrah emrit të Dafinës në tabelë u pa edhe emri i Jehonës. Tani Dafina mund të punonte më pak, meqë Jehona e zëvendësonte për mrekulli.

Me Agimin u dëgjua disa herë. Ai e thërriste për të parë sesi ishte, e më pas edhe ajo u mësua me ato thirrje, prandaj edhe vet e thërriste shpesh, që ta pyeste sesi shkonin ndërtimet. Kishte ndërmend që ta vizitonte, por më pas u kthye Lazimi, gati një muaj më parë sesa që e priste, prandaj më pas kohën e lirë e kalonte me të. (vijon)

(Kosova Sot Online)