Roman dashurie: Një jetë më e mirë (30)

  • G.G /
  • 12 July 2021 - 10:50
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (30)

E shikonte Jehonën sikur të ishte duke folur për të. Kjo kishte ndikuar që atë ta kaplonte një vapë, kështu që e kishte hequr mbulojën. - Më pas vdiq burri i asaj familjes së varfër. Më the se do të vije. Doja të të njoftoja me Marien. - E, pse doje të na njoftoje? - Doja që, në këtë mënyrë, nga vetja ta largoja çdo shans që të shiheshim më. Jam i sinqertë.

Më the se ky me gjasë është takimi ynë i fundit, prandaj nuk kam çka të humb. - Ti më pe para kësaj vetëm një herë... dy ditë ishin në pyetje. Si kam mundur aq shumë të të pëlqej? - Kjo është çështje e natyrës, që është e pashpjegueshme për njerëzit. Dikë e ke pranë vetes gjatë tërë jetës, jeton afër teje, e kurrë nuk e vëren, e as e dëshiron.

E, dikush tjetër, mjafton që të kalojë afër teje, ta shohësh në ecje e sipër, që të dashurohesh marrëzisht në të. Jehona mendoi për ndjenjat e saj. Edhe ajo e kishte parë Agimin aq sa edhe ai atë, e megjithatë i ishin shfaqur emocionet. Në të vërtetë, ajo i kishte luftuar ato emocione, por vetëm pse e dinte se e kishte jetën e rregulluar në kryeqytet. Agimi ishte mashkulli i duhur, në vendin e gabuar. - Pse ajo nuk ishte në varrim? - Nuk donte të shkonte.

Ajo nuk mund të kuptonte pse duhej të shkonte në varrimin e njeriut të cilin nuk e njihte dhe i cili as me mua nuk ka ndonjë lidhje farefisnore. - Po... edhe i fejuari im mendon kështu. Agimi u shtang. - Qenke e fejuar? - Po. Është koha për të vërtetën, prandaj edhe vendosa që ta them të tërën. - Kurrë nuk ma ke thënë këtë. - As që më ke pyetur. Ai nuk bëzajti më.

Sikur përnjëherë tërë muhabeti që ishin duke bërë, e humbi kuptimin e vet. Jehona e priste vazhdimin, por ai heshtte dhe, herë e shikonte atë, e herë shikonte diku larg, mbi kokën e saj. - Pse nuk flet më? - Jam i hutuar. Tani nuk jam i sigurt se tërë ky muhabet ka rëndësi. - Ndoshta ka... - Ti je e fejuar. Çka të intereson ty për problemet dhe ndjenjat e mia? - Edhe ti je i fejuar. Kjo, mesa duket, të paktën tani për tani, nuk ka ndonjë rëndësi. Do të doja ta mbaroje atë që e ke filluar.

- Në rregull. Maria, d.m.th., nuk donte të shkonte. Sikur t'i thosha se aty do të ishte edhe një grua e cila ma kishte turbulluar mendjen, me gjasë do të shkonte pa marrë parasysh se kush ishte duke u varrosur. Ajo ka trashëguar një temperament spanjoll, gjë që nënkupton një xhelozi të hatashme. - Këtu jam për një kohë kaq të shkurtër, por kam dëgjuar menjëherë se çfarë kodoshi je. - Nuk jam aq i dhënë pas femrave sa thuhet. Në një qytezë gjërat gjithmonë rriten.

Është e vërtetë se kam ndërruar të dashurat, por kjo ka qenë gjatë kërkimit të një femre, e cila do ta meritonte që të ishte afër meje. - Ta meritonte? Ti me të vërtetë e konsideron veten rast të mirë, apo jo? - Desha të thosha, ta meritonte që t'ia falja zemrën. E, unë e vlerësoj zemrën time. Këtë do të duhej ta bënin të gjithë, meqë kështu do të kishte më pak njerëz të pikëlluar dhe më pak martesa të dështuara. - Do të kishte më pak martesa. - Por, ato që do të ekzistonin, do të ishin të lumtura.

- Ke të drejtë. Nejse, atëherë... pse sonte nuk erdhe te unë - Kur u ktheva nga varrimi, Maria ishte nervoze. Mu ankua sesi gjatë tërë ditës është e vetme, sesi nuk ka miq, e kur dëgjoi se kisha ndërmend të dilja sërish, ajo insistoi që ta merrja me vete. (vijon) 

(Kosova Sot Online)