Roman dashurie:Si u dashurova në ty (4)

  • E.K /
  • 22 July 2021 - 15:48
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (4)

Më përqafonte dhe më mbante ashtu, derisa ndihesha më mirë. Me mijëra herë më kishte zënë gjumi, ashtu me të, apo në kauç, derisa shikonim ndonjë film. Në kauçin e tij, në përqafimin e tij. E mbështetur në gjoksin e tij, me dorën e tij përreth qafës sime. Ndoshta do të thoshit se kjo nuk është sjellje midis miqsh. Por, ne kurrë nuk ishim puthur, kurrë nuk kishim ecur dorë për dore në publik dhe, kur na pyeste ndokush, gjë që ndodhte shpesh, ne thoshim se "jo, nuk jemi dashnorë, vetëm miq, miqtë më të mirë". Por, a ishte kjo e vërtetë? O Zot, çfarë kaosi.

U ngrita, dola nga vetura dhe shkova pas Kyle-it. Kishte kohë që ai më kishte humbur sysh, por e dija se ku do të shkonte. Ishte një vend ku ne rrinim shpesh. Mbi atë kreshtë shihej i tërë qyteti, me tërë bukuritë e tij. Rrugës për atje, ishte një mal me pisha, ku dallohej një degë e gjatë, jo aq e trashë, ku ne uleshim shpesh për të pushuar. Kështu ndodhi edhe kësaj here. Ai u ul në degë, duke u mbështetur për trungun e drurit, derisa unë u mbështeta në gjoksin e tij.

Sikur kësaj here kjo pozitë, të cilën e kishim praktikuar shpesh, mori një domethënie tjetër. Dëgjova zemrën e tij duke rrahur më shpejt. Merrte frymë si me zor dhe filloi të djersitej. Duhej të kishte vrapuar deri atje. E ktheva kokën prapa dhe e shikova. Ai dukej i mrekullueshëm në atë pasdite. Por, ende ishte i zemëruar. "Kyle… fol me mua. Unë nuk..." "Çka "nuk"? Nuk kupton? Po, po. Kupton!", më tha ai duke më shikuar, e më pas i mbylli sytë, sikur të ndiente dhembje duke më shikuar. "Ne jemi miq, Kyle. Nëse për ty ka diçka tjetër, atëherë ma thuaj".

"Për mua?", tha Kyle duke e mbështetur kokën për druri. "Nuk e di, Nell. Po, është e vërtetë se jemi miq të mirë, gjë që edhe duhej të ndodhte. U rritëm bashkë dhe kemi kaluar kaq shumë kohë së bashku dhe u themi njerëzve se jemi vetëm miq, por...".

"Por çka"? Tani ishte zemra ime ajo që rrihte si e marrë. Raporti ynë mund të ndërronte përgjithmonë. Ai mori disa fije nga flokët e mia bionde dhe filloi t'i dredhte. "Çka sikur të ekzistonte edhe diçka tjetër? Mendoj, midis nesh?" "Diçka tjetër? Sikur, dashuria, p.sh.?" "Pse jo?" Ndjeva një valë zemërimi që më kaploi. "Pse jo? A e di se çka je duke thënë, Kyle?

Kjo është përgjigja që do të ma japësh?", thash unë duke u ngritur në këmbë dhe duke marrë vrapin. Ai vinte pas meje, duke vrapuar dhe duke më lutur që të ndalesha. Tani kishim dalë nga mali dhe vraponim arave me misër. Shtëpia ishte larg rreth 1 km, kështu që nuk e kisha ndërmend të ndalesha, përkundër thirrjeve të tij. Nuk vonoi shumë dhe arrita në shtëpi. Hyra brenda me tërë atë turr që e kisha fituar duke vrapuar. Nëna ime u befasua, bile u frikësua aq shumë, sa që i ra gota nga dora dhe u thye. Unë nuk u ndala, por me shpejtësi hyra në dhomën time. E dëgjoja mirë nënën time duke sharë. U hodha në shtrat dhe fillova të dënesja. (vijon)

(Kosova Sot Online)