Roman dashurie:Si u dashurova në ty (8)

  • E.K /
  • 26 July 2021 - 15:45
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (8)

Kjo nuk do të funksionojë? Vërtet?" Zëri i tij mori një jetë të re, përsëri i eksituar. "Ajo është goxha hot". "Do të funksionojë. Vetëm thirre". Unë ia thash numrin, e ai e përsëriti atë. "Faleminderit… Por, Nell? Herën tjetër që dëshiron t'ia thyesh zemrën ndonjë djali, bëja me dije më parë, në rregull?" "Mos u bëj qesharak, Jason. Unë nuk ta theva zemrën. Ne as që kemi dalë ndonjëherë. Por, më vjen keq që ndodhi kjo që ndodhi". "Mos u shqetëso. Fundja, ndoshta do të lindë diçka midis meje dhe Beccas. Ajo është gati po aq "hot" sa edhe ti. Ndal, ndal! Zëre se nuk ta thash këtë, OK? Ju që të dy jeni njësoj të bukur, unë vetëm bëra shaka". E qita celularin në "stand by" dhe ia dhashë Kyle-it. Ai ia nguli sytë celularit. "Kjo ishte goxha e sëmurë, Nell. Më duhet të ta pranoj".

Më shikoi me një shikim pyetës. "A me të vërtetë Becca është dashuruar në të?" Unë qesha sërish. "Po, si jo? Ajo është marrëzisht e dashuruar me Jason Dorseyn që nga... më duket klasa e shtatë, por me gjasë edhe më gjatë. Shumë më herët. Ndoshta ajo gjithmonë ka qenë e dashuruar në të. Kjo është edhe një arsye më shumë pse nuk do të duhej ta pranoja ftesën e tij. Por, pranova pse isha e entuziazmuar. Ti ndoshta nuk e di, por kur një djalë i pashëm të thërret në takim, për një vajzë kjo ka rëndësi të madhe. Dhe, ti e Jason jeni djemtë më të pashëm në tërë shkollën". Kyle mi nguli sytë. "Ti mendon se unë jam i bukur?" Oh Zot. Oh, Zot! Tani gjendesha në telashe. Nuk mund ta shikoja në sy. Më duhej të shikoja poshtë, sikur bari përnjëherë të ishte bërë i rëndësishëm.

"Edhe vetë e di se je i bukur, Kyle Calloway, prandaj mos u mundo më kot të marrësh komplimente", i thashë, duke u munduar që ta fshihja faktin se isha skuqur e tëra nga turpi. Por, nuk ia dola. "Je skuqur, je bërë all, Nell". Zëri i tij përnjëherë ishte më intim, frymën e tij e ndjeja në qafë. Çka ishte duke ndodhur? Çka ishte duke bërë ai? Shikova lart dhe sytë e Kyle-it ishin disa cm nga ata të mitë. Ai rrinte shtrirë në anën e tij dhe gishtat e tij më kërkonin mua. Papritmas sikur mu ndal fryma. Ai m'i lëmonte flokët prapa veshëve dhe nuk mund të përqendrohesha në asgjë tjetër pos trupit të tij atletik dhe syve të tij përrallor, buzëve të tij të buta, gjuhës së tij që i lëpinte buzët... Papritmas Kyle ishte diçka tjetër, diçka ndryshe.

Nuk ishte ai djali i vogël me të cilin isha rritur, por një njeri i ri me tiparet e veta, me sytë, nofullat e fuqishme dhe me një shikim disi të uritur. Këtë Kyle nuk e njihja, por më pëlqente. E doja atë. Sikur më zuri rryma kur Kyle mbështeti buzët e tij në të mijat. Ngrohtësia e njomë dhe fuqia e butë e atyre buzëve më befasuan për të mirë, duke më vënë në gjendje transi. Ai ishte duke më puthur dhe mua kjo gjë më pëlqente tej mase. Kjo ishte puthja ime e parë. Kisha mbetur pa frymë, e paaftë që të lëvizja për shkak të ndjenjës së papërshkrueshme të prekjes së buzëve me buzë. Një ndjenjë e huaj, por e mrekullueshme. Më pas ndaloi së puthuri. Dukej disi i pasigurt në vetvete. (vijon)

(Kosova Sot Online)