Roman dashurie:Si u dashurova në ty (11)

  • E /
  • 29 July 2021 - 15:42
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (11)

Ai preku diçka në tabelën komanduese të veturës dhe kënga ia filloi sërish nga e para. Unë e dëgjoja me vëmendje. Edhe kënga tjetër më bëri përshtypje, e Colton voziste pa thënë gjë, duke më lënë mua që të dëgjoja. Presioni i madh në gjoksin tim sikur lehtësohej duke dëgjuar muzikë. Dhe, nuk e di se si përnjëherë prania e Coltonit aty filloi të më dukej sikur balsam në plagën time në zemër. Mjaftoi kjo ndjenjë që të kisha më pas një ndjenjë tjetër shumë të fuqishme, ndjenjën e fajit. Unë nuk duhej që të kisha ndjenja të tilla ndaj tij. Nuk duhej të kishte as balsam, e as komfort. Nuk meritoja gjëra të tilla. Në varreza pamë dy radhë karrigesh afër një varri të hapur.

Shiu ishte bërë i ftohtë, zbrita nga kabina e veturës, e Colton ishte aty përsëri, duke ma zgjatur dorën që të zbrisja më lehtë. Ai dukej tepër i ashpër, tepër i madh, tepër i papërshtatshëm që të ishte një xhentëlmen i tillë. Ai kishte kontradikta në veten e tij. Nën thonj i vërehej graso veturash. Duart i kishte të forta dhe me kallo. Sytë e tij u ndeshën me ata të mitë. Pashë mollëzën e tij të Adamit duke lëvizur, derisa ai u përpi. Sytë e tij u tkurrën dhe ai lëpiu buzët, duke ma lëshuar dorën, të cilën e kishte mbajtur paksa tepër gjatë. Mori frymë thellë, futi dorën në xhepin e pantallonave dhe tha: "Le ta bëjmë këtë". I shkova prapa. Nuk doja ta bëja atë. Doja që të ikja. Nuk doja që ta shikoja arkivolin që përmbante trupin e dashurisë sime të parë të lëshohej në tokë. Sa s'u ktheva e sa s'ika me vrap. Më pas Colton u ndal, duke më shikuar me sytë e tij të kaltër. Dukej se i kuptonte mendimet e mia.

E dinte se doja të ikja. Por, si ishte e mundur që ai të më njihte kaq mirë? E kisha takuar vetëm dy herë në jetë. Ai për mua ishte vetëm vëllai i madh i Kyle-it, asgjë më shumë. Ndjeva sesi më shikonte nëna derisa unë isha e përqendruar te lëshimi i arkivolit në dhe. Mbaja gojën me dorë, në mënyrë që të mos më dilte ndonjë zë i pakontrolluar. Ndjeva se si më shikonte edhe babai, edhe z. dhe znj. Calloway. Që të gjithë mi kishin ngulur sytë. Preka me dorë arkivolin e ftohtë, meqë mu duk se një gjë e tillë pritej nga unë. Nuk doja asgjë më shumë, pos që edhe unë të hyja në atë arkivol dhe të pushoja së marri frymë. Doja që të isha me të edhe në atë që vinte pas një jete të kësaj bote. Derisa isha duke u kthyer, mora në thua me takat e larta në bar.

Ishte dora e fortë e Coltonit ajo që më shpëtoi që të mos rrëzohesha e të bëhesha horë. Përsëri e pata atë ndjenjën e rrymës që ma përshkoi tërë trupin.Përsëri e injorova atë ndjenjë. Ai më lëshoi menjëherë, sapo u ula. Prifti filloi me citate të Biblës dhe me fjalë ngushëlluese. Nuk mund të merrja frymë. Sikur emocionet ma zinin frymën. Pasi që e lëshuan arkivolin në tokë, hodha një buqetë me lule përsipër. "Më fal", thashë duke pëshpëritur. Askush nuk dëgjoi, por edhe ashtu, atë e thashë vetëm për Kyle-in "Lamtumirë, Kyle. Të dua"!

(Kosova Sot Online)