Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (13)

  • A.P /
  • 01 August 2021 - 11:14
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (13)

Lumi i jetës më rrjedh shumë shpejt dhe tani jam duke u ngutur që ta zbraz jetën time. Krejt çka ka rëndësi tanimë gjendet te Vedati. Më shumë rri te ai, në një shtëpi të cilën e kishim projektuar bashkë. Kam menduar shumë edhe sot. Me pesëdhjetë vjetët e mia, më vjen keq që kisha dëbuar gruan, e ajo mori vajzën tonë. I dhashë mjaft para që ta blinte një shtëpi, apo banesë, sikur t'ia kishte qejfi, meqë më nuk mund të rrija me të dhe me atë "shoqen" e saj. Tani e di se duhej të shpërngulesha edhe unë. Kur shkuan ato, shtëpia e humbi çdo domethënie. Do të mundohem ta përmirësojë këtë. kurrë nuk është vonë. Kuptova se shtëpi të tilla mund të ndërtojë sa të dua. Por, më me dëshirë do të jetoja me mikun tim, shokun më të mirë, Vedatin. Edhe shtëpia e tij ishte e madhe, me gjelbërim, ku me rastin e dizajnimit të saj, kishim qeshur shumë. Por, që të dy kishim dështuar në jetën private dhe ishim ndarë nga gratë. Ai më kupton mua, unë e kuptoj atë, kemi interesa të përbashkëta.

Çka do të mendojnë të tjerët, ky është një tregim tjetër. Menjëherë do t'i çoj tek ai këto vizatime të vjetra, pllaka, filma, libra. Nuk kam unë ndonjë mobilie të madhe, të cilën do ta batja. Në kokën time, sikur edhe në shtëpi, sundon minimalizmi, vetëm linjat e pastra, e për mua më shumë kishin rëndësi gjërat e imëta. Miku ma hapi derën duke buzëqeshur, e unë i them: - Nuk di të vallëzoj, nuk di të notoj, nuk di të pi, nuk kam veturë, më së shumti më pëlqen nata... Vedati zemërohet nëse nuk më kupton menjëherë. - Për çka e ke fjalën, Jeton, ti di të notosh, ke veturë dhe nuk të duhet nata që të fshihesh. - Jo, nuk më duhet nata, por pranoje se fjalët e J. J. Cale-së tingëllojnë më mirë kur i përsëritë Enrique Vila-Matas. Edhe ti e ke lexuar. Ai dëgjon edhe gërvishtjen e gjithësisë. - E, kjo gërvishtje e gjithësisë i ka çmendur njerëzit. Edhe ndonjë vit, unë dhe ti do të mbesim të vetmit që nuk e dëgjojnë. - Ndoshta atje, në Barcelonën e Vila-Matasit kjo dëgjohet më mirë. Por, sot më duhet të them se jam më afër arritjes së qëllimit, fola me një shok, i cili herë pas here punon në Dubai.

- Ai Dubai Design District tingëllon tepër mirë, që të jetë i vërtetë - tha Vedati. - Nga perspektiva jonë, shumëçka është e paarritshme, e 3D është gjithësia e vërtetë. Por, shiko, a nuk kemi studiuar që t'i zgjerojmë botëkuptimet, nëse veç nuk mund ta ndërtojmë qytetin tonë ashtu si do të duhej. - Dhe, përsëri kthehemi te paratë, te paratë... Më trego më mirë, a je takuar me Verën? I ftova, atë dhe vogëlushen, dhe iu tregova se, për mua, më së shumti rëndësi ka lumturia e tyre, e në shtëpinë tonë mund të kthehet kur të dojë. Më duket se tanimë ka filluar që të shpërngulet. Unë edhe ashtu të shumtën e rasteve jam te ti, prandaj ajo shtëpia dikur e famshme, tani nuk ka kurrfarë rëndësie për mua. Lidhja e re nuk më pati sukses, meqë edhe zonjës së re më shumë i pëlqente shtëpia, sesa unë. Prandaj, thash me vete, më mirë është që atë shtëpi ta gëzojnë ish gruaja dhe vajza ime. A nuk është kështu? - Ti thjesht më nuk dëshiron që të mundohesh rreth lidhjeve. Kjo është e tëra. - Mos më shit mend, Vedat. A kam provuar? Po, kam provuar. Dhe më nuk kam vullnet, rinia tanimë më ka kaluar. - Por, të jetosh me një shok të vjetër, nuk do të jetë kushedi çfarë fati. Ke mjaft para sa t'ia fillosh jetës nga e para. - E, çka nëse lumturia ime gjendet vetëm afër teje, mikut tim më të vjetër dhe më të mirë, mikut tim nga fëmijëria, si dhe kolegut tim të nderuar, i cili më kupton më së miri. A të ndërtoj shtëpi për dashuritë e reja, në mënyrë që ato të jenë të lumtura? As që më shkon ndërmend. Gratë kurrë nuk ngopen dhe, kjo më nuk më intereson. (vijon)   

(Kosova Sot Online)