PASURIA E PSEUDOPATRIOTËVE TË POLITIKANËVE TË KOSOVËS!
Ismail Muçiqi
Shkruan gazetari Ismail Muçiqi
Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Antikorrupsion, që u publikua për vitin 2025, shumë figura të politikanëve, të liderëve partiakë, të deputetëve dhe përfaqësuesve të institucioneve publike e shtuan pasurinë apo kapitalin personal duke qëndruar në politikë. Këta pseudopatriotë, të cilët herë pas here derdhin lot krokodili duke i kritikuar rivalët politikë dhe, në anën tjetër, duke u mburrur për veprimtarinë e tyre patriotike e kombëtare, po dëshmojnë se prioritet mbi prioritet gjatë punës në politikë e patën pasurimin personal, duke e shtuar kapitalin në të gjitha segmentet. Shumë prej tyre krijuan kapital marramendës, i cili nuk përputhet me logjikën e shëndoshë në krahasim me të ardhurat mujore apo vjetore që, në bazë të ligjit, i realizojnë. Raporti i Agjencisë Antikorrupsion tregon se një numër prej këtyre figurave e shtuan pasurinë duke iu afruar shifrës së milionerëve; e disa të tjerë, tani më të njohur për opinionin Shqiptar, arritën të shtojnë pasurinë dhe kapitalin mbi dy milion e treqind mijë euro. Këta pseudopatriotë të “mëdhenj”, të cilët plot 27 vite po e zhvatin pasurinë e Kosovës, janë bërë barrë e rëndë për shoqërinë dhe për funksionimin normal të shtetit. Këta kanë krijuar kapital gjithandej Kosovës dhe jashtë saj dhe tani kanë problem t’i gjejnë apo t’i monitorojnë apo menaxhojn pronat e tyre të fituara në mënyra të ndryshme, përkatësisht shumë të dyshimta. Nëse e bëjmë një krahasim me njerëzit e politikës të ish-sistemit të kaluar komunist-socialist, duhet të flasim me sinqeritet se ish-udhëheqësit e Kosovës së para luftës ishin, në çdo pikëpamje, figura me integritet dhe moral njerëzor shumë më të pranueshëm se këta sot.
Në vitin 1993, si gazetar, pata rastin të vizitoj ish-udhëheqësin komunist të Kosovës në shtëpinë e tij, në Tasligjë, të ndjerin Fadil Hoxha, dhe u befasova kur hyra në shtëpinë e tij e pashë standardin e jetesës të një udhëheqësi i cili, më shumë se një gjysmë shekulli, ishte njeriu i parë i Kosovës. Në atë botë, në sallonin dhe shtëpinë e Fadil Hoxhës, pashë tre kauqa nga druri i thjeshtë të mbuluara me qilim të thjeshtë të prodhuar nga industria e atëhershme e qilimave në Prizren. Duhet ta dimë se Fadil Hoxha, që ishte udhëheqës i Shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës nacional çlirimtare së asaj kohe ishte Komandant i aradhave partizane të Sharrit në luftë kundër fashizmit. Ky njeri e bëri jetën normale, përafërsisht ashtu si jetonte edhe popullit i Kosovës. Në vitin 1994, si Drejtor i gazetës Fjala Jonë, më kërkoi në telefon ish-udhëheqësi Mahmut Bakalli për një intervistë në banesën e tij, e cila ishte afër Restaurant Rugovës. Edhe aty pashë jetën dhe standardin që kishte ky njeri, i cili nuk dallonte nga Fadil Hoxha. Për atë klasë politike nuk u fol asnjëherë se vrapuan pas pasurisë apo pas luksit, apo pas parasë; por të gjithë jetuan dhe frymuan ashtu si jetonte populli. Të njëjtën rrugë e ndoqi edhe ish Presidenti historik i Republikës së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova i cili i qëndroj besnik fatit të popullit e asnjëherë nuk u përfol se krijoj ndonjë kapital ekonomik apo financiar. E bëjmë këtë krahasim për t’i treguar opinionit se sot, kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, kur kemi mundësi ta ndërtojmë shtetin duke e zhvilluar ekonominë dhe të gjitha degët e tjera shoqërore, politikanët që kanë marrë në duar fatin e Kosovës në vend të kësaj kauze po bëjnë gara dhe luftë për pushtet, për të shtuar apo grabitur sa më shumë pasuri këtij populli të varfër. Nuk ka dyshim se ky është qëllimi dhe kauza kryesore e kësaj plejade pas-lufte që ka hyrë në politikë, e cila po krijon kriza të vazhdueshme duke krijuar përçarje dhe destabilizim, qoftë ndërmjet njerëzve, ashtu edhe krizë sistemore. Mendoj se koha ka treguar se shtetin dhe institucionet e një vendi mund t’i udhëhiqin vetëm njerëzit që kanë dinjitet dhe integritet, duke e vu në plan të parë idealin për atdheun.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
