Roman dashurie:Si u dashurova në ty (15)

  • E.K /
  • 02 August 2021 - 15:50
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (15)

"Do të duhej t'i kishe këpucët e mbathura", tha ai, duke ia nisur një melodie të lehtë. Unë nuk u përgjigja. Një ulëse tjetër gjendej pak më larg nga ajo e Coltonit dhe ai e mbante kitarën "për fyti", derisa e afroi karrigen tjetër. Unë u ula aty. "Si është këmba?" Ai e ofroi shishen te buzët e veta, e çoi lart atë, e më pas ma dha mua. "Më dhemb", thashë unë, duke pirë me hezitim. Uiski ma dogji fytin. "Oh, Zot! Çka është kjo?", thashë duke u kollitur. Coltoni u zgërdhi. "Uiski Jameson irlandez, zemër. Uiski më i mirë që ekziston", tha ai, duke u zgjatur tek ana tjetër e tavolinës dhe duke ma ofruar një birrë. "Ja! Shpëlaje fytin me këtë". Unë e mora birrën dhe e piva pak. "Dëshiron të më dehësh?"

Ai i rrudhi supet. "Gjithmonë mund të thuash jo". "A bën punë një gjë e tillë?" thash. Edhe ai e hapi një birrë për vete. "Nuk e di. Unë për vete ende nuk jam mjaft i dehur", tha duke pirë kësaj here përsëri uiski. "Do të të tregoj kur të dehem". "Ndoshta do të të vërej vet". "Ndoshta. Vetëm mos iu trego prindërve se unë ta dhashë alkoolin. Ti je ende e mitur". "Çfarë alkooli?", thashë duke pirë sërish uiski. Ndieja një marramendje. Presioni i fajit dhe pikëllimit nuk largohej, por dukej se uiski i vendoste ato ndjenja pak më tej. Ai ma kërkoi shishen e uiskit, e unë ia dhashë, duke pirë më pas nga shishja e birrës. "Më duket se ti mendon që unë nuk di të pi? Prej nga ky konstatim?"

Colton qeshi haptazi. "Nuk e di me siguri, por megjithatë, ti nuk je". "Si mund ta dish?" "Ti je një vajzë e mirë. Kyle nuk do të dilte me një vajzë ndejash". Ai mori cigaren dhe shkrepësen. "Pastaj, reagimi yt pasi që e shijove uiskin herën e parë, m'i shpjegoi të gjitha". "Ke të drejtë. Unë nuk pi rregullisht. Kyle dhe unë ishim dehur një herë. Ishte e tmerrshme". "Mund të jetë argëtuese, nëse di si ta bësh. Por, dhembja e pastajme e kokës asnjëherë nuk është e mirëseardhur", tha ai, duke nxjerrë tymin e duhanit, i cili më pas u përhap në ajër.

Qëndruam në heshtje për disa minuta, derisa Colton vazhdonte që të pinte. Unë mora një birrë të dytë. "Nuk mund ta mbash atë brenda përgjithmonë", tha Colton, ashtu vetvetiu. "Po, unë mundem", i thashë. "Do të çmendesh. Ajo do të dalë, në këtë, apo në mënyrën tjetër". "Më mirë e çmendur sesa e thyer", thash, duke e befasuar edhe veten, meqë nuk dija nga më vinin ato fjalë. "Ti nuk je e thyer. Ti je e lënduar", tha ai duke u ngritur dhe duke dalë jashtë. Dëgjova zinxhirin e pantallonave e më pas zhurmën e urinimit. Edhe pse ishte errësirë, hetova se isha skuqur. "A duhet ta bësh këtë në praninë time?", e pyeta, me një zë që më dridhej nga irritimi, por edhe nga qeshja.

Ai e mbylli zinxhirin e pantallonave dhe u kthye kah unë. "Më fal. Me gjasë ky ishte një veprim i keq, apo jo? Nuk e mendova". "Është më shumë se i keq". "Të kërkova falje. Nuk e dija se je një person që neveritet lehtë". "Nuk është se neveritem, por edhe unë kam nevojë të urinoj, ama nuk mund ta bëj atë ashtu sikur që e bëre ti". Ai filloi të qeshte. "Oh… mirë. Mund të shkosh aty, prapa shkurreve". Unë qesha me ironi. "Kam frikë se do t'i urinoj këmbët e mia, meqë nuk mund të ulem si duhet, për shkak të këmbës". "Do të të mbaj unë", tha ai. (vijon)

(Kosova Sot Online)