Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (4)

  • A.P /
  • 08 August 2021 - 13:39
Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (4)

 Si të duash - më tha me zë të qetë. Edhe vetë u befasova nga sjellja e tij. Ishte mirë nga ana e tij që më lejoi të punoja, edhe pse shpesh më thoshte se më donte vetëm për veten e vet. Tërë kohën e lirë e kaloja duke u munduar që t'ia bëja qejfin. E vetmja gjë që ai kërkonte, ishte që të dukesha e përkryer, të isha e bukur vetëm për të dhe që ushqimi të ishte i gatshëm me kohë. Krejt kjo në fillim më mjaftonte, por me kalimin e kohës, u mërzita. Derisa më kishte marrë malli për argëtim, ai dëshironte romantikë. Megjithatë, ai më bëri lëshim, derisa u martuam. Pasi që u bëmë partnerë martesorë, sapo u ktheva nga muaji i mjaltit, më përjashtuan nga puna. Nuk mora asnjë shpjegim. Vetëm ma dhanë librezën dhe, kaq. Kjo ishte një goditje e madhe për mua. Urreja ditët që i kaloja duke ndenjur kot.

Në atë kohë edhe Roberti filloi ta tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Punonte gjithnjë e më pak, apo merrte punët për t'i kryer në shtëpi, për të qëndruar sa më shumë me mua. Dashuria e tij mori një formë krejtësisht tjetër. Më ishte bërë si hije. As në dyqan nuk mund të shkoja pa dijeninë e tij. Gjithnjë e më shumë e kisha të qartë se kisha rënë në kurth. Edhe pse e doja pa masë, si dhe përkundër asaj që isha e lumtur që isha martuar me të, me kalimin e kohës isha gjithnjë e më pak e lumtur. Derisa lumturia ime vinte e zhdukej, Roberti me mjeshtëri më kishte ndarë nga të gjithë miqtë e mi. Ai ishte shkaktar edhe pse më përjashtuan nga puna. Thjesht, kishte shkuar në butik dhe kishte kërkuar që të më pushonin nga puna, duke mos hezituar as nga kërcënimet. Kur e mora vesh këtë gjë, thuajse u çmenda. - Më qitën nga puna për shkak tëndin? - ia thash në fytyrë. - Jo - mohoi ai me kokë. - Nuk të pushuan nga puna për fajin tim - mundohej që të ma mbushte mendjen, por unë e dija se ai ishte duke gënjyer. - E, për çka atëherë? - i thashë, duke mos mundur që ta fshehja zemërimin. - Nuk e di. Këtë desha unë të të pyes ty - më tha, duke më shikuar me naivitet. Përplasa këmbën për dyshemeje. Ndihesha e zemëruar, por edhe e pafuqishme. Zemra më rrihte më fort. Vetëdija se isha e mashtruar aspak nuk më largohej. Dashuria ime e madhe vinte duke u zvogëluar çdo ditë e më shumë. Roberti ishte njeri posesiv, xheloz aq shumë sa që nuk mund ta kontrollonte xhelozinë e vet.

Më linte përshtypjen edhe se ishte tepër i pasigurt. E, kush do të ishte, po të ishte në vendin e tij? Ai ishte një mashkull në moshë, e unë në lulen e rinisë sime, e cila i verbëronte meshkujt me bukurinë e vet. - Më duket se kështu nuk do të na shkojë shumë gjatë - thash troç. - Për çka e ke fjalën? - më tha Roberti, pasi që u ngrit dhe mu afrua te fytyra. - E di se çka ke dashur nga unë dhe, atë je edhe duke e marrë. Nuk jam i marrë unë. Nuk mund të më thuash se je dashuruar në mua. Këtë nuk do ta besonte kush, e nuk e besova as unë. Jemi bashkë vetëm pse e plotësojmë njëri-tjetrin. Ti mua ma jep atë që më nevojitet, e unë atë për çka ti angazhohesh. Ty të kam blerë dhe, në njëfarë mënyre, ti je prona ime. Këtë e kam bërë të ligjshme, por ndoshta as që është dashur ta bëja një gjë të tillë, meqë ti nuk ia di kimetin. Fjalët e tij i dëgjova me tmerr. Nuk dija çka t'i thosha. Ai kishte të drejtë, edhe pse jo në tërësi. Ishte e vërtetë se kisha rënë viktimë e dhuratave të tij të shtrenjta. Askush nuk ma kishte kushtuar një kujdes më të madh sesa ai dhe askush nuk më kishte trajtuar aq shumë si të veçantë. Kjo edhe më kishte bërë për vete. Më nuk kishte asgjë idilike, meqë kuptova se, për të, unë isha vetëm një objekt, të cilin ai e kishte blerë dhe të cilin i pëlqente që ta mbante afër vetes. Ishte dëmtuar besimi im te dashuria, po ashtu edhe dashuria të cilën dikur e ndjeja ndaj tij. (vijon)   

(Kosova Sot Online)