Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (5)

  • G.G /
  • 22 September 2021 - 10:09
Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (5)

Roja bëri me kokë. - Kur e pashë për herë të parë, disa javë më parë, më pyeti ku gjendet varri i zonjës, gjë që d.m.th se nuk kishte qenë më parë këtu. Më pas erdhi edhe disa herë… Kush ishte ai mashkull? Dhe, prej nga një përkushtim i këtillë? A bëhej fjalë për ndonjë dashuri të vjetër, për ndonjë vardisës të refuzuar? Apo, mos vallë duhet të filloj ta pyes veten se kush ka qenë nëna ime, në të vërtetë? Një grua e cila lexonte poezi dhe e cila nuk e kishte një, por dy burra që i dhuronin tulipanë.

Apo, ndoshta edhe dikë tjetër, ende? - A vjen ai ditëve të caktuara? - më interesonte. Nëse rojtari edhe ishte i habitur nga pyetjet e mia, ai nuk e shfaqte këtë. - Kur ndalem e mendoj, del se gjithmonë vjen të shtunën në mëngjes - tha ai. - Këtë e kam mbajtur mend, meqë të shtunën gjithmonë zonja e dyqanit afër ankohet se ai njeri ia bllokon hyrjen në dyqan me veturë. Mirë, do të kërkoj nga shefi që të më lejojë të dal nga puna, për të parë se kush është ai njeri misterioz.

Të jem e sinqertë, atë të shtune ndihesha paksa qesharake duke u fshehur prapa pishave. Bile edhe rojtari ma hodhi një shikim të çuditshëm, i shqetësuar nga sjellja ime bizare. Por, për fat të mirë, nuk më pa mashkulli i cili hyri në varreza dhe u nis kah varri i nënës. E shikoja, e fshehur prapa shkurreve të dendura, duke shikuar nëpërmes degëve.

Ai u ndal para varrit të nënës dhe, një kohë të caktuar, qëndroi i thelluar në mendime, e më pas filloi të fliste diçka me pëshpëritje. Doja të dilja nga aty ku isha fshehur, kur pash se njeriu kishte filluar të qante. Ai burrë i gjatë dhe i trashë qante sikur të ishte fëmijë. Nuk ishte as vendi e as koha e duhur që të kërkoja ndonjë shpjegim. Sikur të shkaktoja rrëmujë para varrit të nënës, unë do të isha ajo që do ta prishja prehjen e saj të qetë. Vendosa që nuk më kishte mbetur asnjë zgjidhje tjetër, pos ta përcillja automobilin e tij. Për fat të keq, kësaj here një kamionçinë që kishte ardhur për ta furnizuar dyqanin, ma kishte bllokuar automobilin tim dhe, derisa ma lëshuan udhën, vetura e kuqe e njeriut misterioz tanimë kishte shkuar.

Nuk më mbeti asgjë tjetër, pos ta kërkoja edhe një ditë tjetër të lirë, të shtunën tjetër, me shpresë që ai do të vinte përsëri. U ktheva te varri i nënës për të parë se çka kishte lënë kësaj here ai njeri aty. Asgjë, vetëm lotët e tij. Më pas vëmendjen ma tërhoqi një copë letre. Ishte ajo vizitkarta e një hoteli në qendër të qytetit. Ja ku mund ta kërkoja atë njeri misterioz! Me gjasë aty ishte duke qëndruar dhe, kjo e shpjegonte faktin pse ai njeri nuk kishte ardhur më herët te varri.

Ai nuk ishte nga qyteti ynë. Supozimet e mia u treguan të sakta. Në parkingun e hotelit e njoha automobilin e tij të kuq. Pasi që dola nga vetura, këmbët filluan të më dridheshin, derisa zemra më rrihte si e marrë. Çka isha duke bërë? Papritmas doja që të ikja, që të mos ballafaqohesha me atë që më priste, por që ta kisha Limanin afër meje. Vetëm pasi që arrita në recepsion u bëra e vetëdijshme se nuk e dija emrin e njeriut të cilin isha duke e kërkuar, kështu që u përpoqa ta jepja një përshkrim sa më të saktë. - Jam duke e kërkuar një njeri, të cilit nuk ia di emrin - thash.

- Bëhet fjalë për një njeri të moshës së mesme, të gjatë, me flokë të zeza, i cili vozitë një veturë të kuqe. Tregova edhe se për çfarë veture bëhej fjalë. - Zonjë, më vjen keq, por nuk jam i autorizuar të tregoj emrat e mysafirëve - më tha recepsionisti. - Natyrisht, por nëse kuptuar se për kë e kam fjalën, atëherë a mund t'ia çoni atij një porosi nga unë? Ju lutem që t'i tregoni se e bija e Drandes e pret poshtë. - Në rregull, prisni pak. Sapo u ula, e pashë burrin i cili kishte qenë te varri i nënës dhe u ngrita menjëherë në këmbë, për t'u prezantuar. Ai mu afrua menjëherë. (vijon)

(Kosova Sot Online)