Roman dashurie: Si u dashurova në ty (65)

  • G.G /
  • 22 shtator 2021 - 10:11
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (65)

"Dhe, prindërit e tu nuk e kuptuan këtë situatë aspak?", e pyes. Ai ofshan, e më pas më shikon. "Nuk më pëlqen aspak që të flas në lidhje me këtë dreq teme", më thotë ai, duke mi lëmuar flokët. "Jo, ata me të vërtetë nuk e kuptonin. Unë isha fëmija i tyre i parë. Ata bënë gabime. E kuptoj këtë, por kjo nuk e bën atë që vuajta aspak më të lehtë". "Çka përjetove?" Ai më shikon përsëri në sy, më duket se e bën këtë për të marrë më shumë energji."Sikur që thash, ata nuk mund ta kuptonin problemin tim. Unë, në fakt, nuk isha i retarduar, apo diçka të tillë.

Mund të flisja pa problem, isha i shoqërueshëm, vishesha vetë dhe mund t'i identifikoja ngjyrat, por kur në kopsht filluan që të më mësonin shkrim-leximin, thjesht ngeca. Kjo i frustroi të gjithë. Im atë asokohe ishte në ngritjen e tij të madhe në karrierë dhe kishte ambicie të mëdha. Ai kishte plane të mëdha për mua, të parëlindurin e tij. Unë do të isha trashëgimtari i tij, prandaj duhej të bëhesha doktor, apo avokat, apo diçka të ngjashme. Ai ma kishte caktuar fatin dhe asgjë nuk mund t'ia ndryshonte mendjen. Gjërat filluan që të përkeqësoheshin gjithnjë e më shumë, meqë unë assesi nuk mund të mësoja shkrim-lexim. Kurrë nuk munda të mësoja më shumë sesa niveli i klasës së parë.

Më duhej që të punoja tri herë më shumë se të tjerët, për t'i bërë detyrat e shtëpisë, për të kaluar në teste. Thjesht, shkollën fillore e kreva me mundin më të madh. Babai mendonte se unë, thjesht, isha dembel. Ai më thoshte që të punoja më shumë, që të mos lejoja asgjë të më ndalte. Ai insistonte, insistonte, insistonte, pa kuptuar asnjëherë se sa shumë mundohesha unë për ta arritur atë rezultat të mjaftueshëm që e kisha. Mezi e kreva shkollën fillore, kur them 'mezi', atëherë me të vërtetë mendoj ashtu.

Çdo natë, për pesë a gjashtë orë, më duhej të mësoja, apo t'i bëja detyrat,meqë çdo gjë sillej rreth shkrim-leximit. Sikur që të thashë, unë mund të lexoj, por vetëm pasi që të mundohem me të vërtetë shumë. asokohe isha vetëm një fëmijë, doja të luaja futboll dhe të luaja me shokët, të rrija me ta, të bëja tërë ato gjëra normale që i bëjnë fëmijët. Por, asnjë nga këto nuk mund t'i bëja, meqë më duhej të rrija në atë dreq dhomën time, duke u munduar që të mësoja histori, apo gjuhë".

E vendosa kokën në gjoksin e tij, duke e ledhatuar. "O Zot, Colton". "Po, po. Ishte tepër vështirë. Babai thjesht, nuk kuptonte. Nuk është ai njeri i keq. Ai është i mrekullueshëm, me të vërtetë. Kur nuk bëhej fjalë për shkollën, ai ishte i mrekullueshëm me mua. Por, duke u rritur, mossuksesi im në shkollë la në hije çdo gjë tjetër. Kur ia fillova shkollës së mesme, gjatë tërë kohës isha i zemëruar. Urreja shkollën, urreja profesorët, drejtorin, i urreja prindërit, të gjithë.

Situatën edhe më shumë ma vështirësonte fakti që, kur unë kisha 15 vjet, Kyle tanimë ishte bërë djali i mirë i prindërve, me sjellje të mrekullueshme, atletik, me shumë shokë, sharmant. E mua më duhej që të mësoja gjatë tërë ditës, vetëm ta merrja ndonjë dysh, a tresh. Më së shumti më mundonte fakti që e dija se nuk isha budalla. Dëgjoja atë që ligjëronin profesorët dhe e kuptoja temën dhe atë që thoshin ta. Sikur të më pyesnin vetëm me gojë, me siguri të gjitha notat do t'i kisha pesa. Por, asokohe kjo nuk ishte e mundur". Ai më ledhatoi, e unë iu afrova si një mace kur e ledhaton i zoti."Meqë isha i zemëruar, fillova që të bëja probleme në shkollë. Fëmijët talleshin me mua, për shkak të suksesit tim të dobët, kështu që gjithmonë i kisha duart plot duke u rrahur me ta". (vijon) 

(Kosova Sot Online)