Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (5)

  • A.P /
  • 24 October 2021 - 12:37
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (5)

"Po, e di. Biseduam shkurt. A keni biseduar me të?" "Jo. Nuk kam biseduar as me nënën. Tash e disa ditë". Dridhja në zërin tim u hetua nga Bentley, i cili ma vuri dorën rreth belit, duke më tërhequr më afër, për të ma dhënë një përqafim. "Ajo është vetëm e pikëlluar. Nuk ka në mendje asgjë të keqe. Jam i sigurt për këtë". I preka shkallët e çimentos me duar, duke ndier strukturën e ashpër të tyre. "Mendoj se ajo do të donte sikur të kisha vdekur unë", thash me zë të butë. Një lot më ra në faqe dhe e ktheva kokën kah Bentley, i cili tanimë dukej sikur vuante mjaft për shkak të fjalëve të mia. "Më duket sikur ajo as që mund të më shikojë, meqë, për të, unë jam binjakja zemërkeqe e cila mbijetoi". "Jo." Ai e tha këtë fjalë me një vendosmëri të madhe në zërin e tij. "Ashlyn, nuk ka asgjë të keqe në trupin dhe shpirtin tënd". "Si mund ta thuash këtë?" "Epa"- tha ai duke u ngritur dhe duke më buzëqeshur - "unë jam doktor. Edhe pse në specializim". Nuk munda e të mos bëja një grimasë në lidhje me atë që tha ai. "Dhe, kështu, unë e di këtë...

Gjatë bisedës së fundit që pata me Gabby-n, ajo vazhdimisht thoshte se sa e lumtur ishte që nuk ishte ti në vendin e saj". E kafshoj buzën e poshtme duke tentuar që t'i ndal lotët, të cilët sa nuk më kishin dalë. "Faleminderit, Bentley!" "S'ka përse, zemër". Ai më përqafoi edhe një herë para se të ndaheshim. "Gjë që më sjell te gjëja tjetër". Pasi që mori kutinë që e kishte afër, ai e ngriti atë lart dhe ma lëshoi në prehër. "Është nga Gabby. Më ishte thënë të ta jepja pas funeralit, sonte. Nuk e di se çka ka brenda, ajo nuk më tregoi. Vetëm më tha se ishte për ty." Ia ngula sytë kutisë së drunjtë. A thua, çka mund të kishte aty? Çka e bënte atë të ishte aq e rëndë? Bentley u çua nga shkallët dhe futi duart në xhepa. I dëgjoja hapat e tij derisa u afrua te dera e kishës dhe e hapi atë. Filluan të më dilnin lotët. Nuk shikova, por e dija se ai ende gjendej aty. Ai e pastroi zërin, para se të thoshte: "Doja t'i propozoja martesë, e di"? Pa u kthyer kah ai, pohova me kokë. "E di". Ai bëri një ofshamë të madhe derisa rihyri në kishë. Qëndrova aty edhe pak, në qetësi, duke kërkuar nga dielli që të më shkrinte dhe të më shndërronte në një grumbull asgjëje në shkallët e asaj pasdite. Njerëzit kalonin kah ndërtesa, por askush nuk ndalej për të shikuar. Ata ishin tepër të zënë me jetët e tyre, për të vërejtur që jeta ime, disi, kishte ngecur. Dera e kishës u rihap, por kësaj here ishte Henry ai që erdhi e u ul afër meje. Ai nuk tha shumë, por nuk mu afrua, meqë nuk donte të më shkaktonte siklet. Pasi që futi dorën në pallto, nxori nga aty një pako me cigare dhe e ndezi një.

Nga buzët e tij doli një re tymi, e unë shikoja format hipnotike që i bënte tymi, para se të zhdukej në ajër. "A nuk mendon se është keq të pish duhan në shkallët e një kishe?" Henry e shkundi cigaren, para se të fliste. "Epa, duke parë se sapo u varros njëra nga bijat e mia, mendoj se mund ta pi një cigare në këto shkallë dhe të them 'Pirdhu botë e mallkuar'. Të paktën për sot'. Unë qesha me sarkazëm. "Nuk e di ku e merr guximin që të na quash vajzat e tua, pas 18 vitesh kur vetëm na uroje ditëlindjen dhe festat". Ardhja e Henry-t nga Uiskonsini ishte hera e parë që e kisha parë pas kaq shumë vitesh. (vijon)

(Kosova Sot Online)