Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (26)

  • E.K /
  • 15 November 2021 - 15:52
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (26)

Ajri i ngrohtë m'i përshkroi flokët. Duke kërkuar nëpër xhepa, nxora çelësat e Haileyt, e gatshme që të kthehesha në vendin të cilin ende e quaja shtëpi. "Pa emër!" dëgjova të thuhej dhe, kur u ktheva pash një këngëtar të sfilitur, i cili vraponte në drejtim tim. "Çka ishte kjo? Lidhu dhe ik? Je duke ikur pa lamtumirë?" E hapa gojën dhe rrudha supet. "Thash faleminderit". Ai i futi duart në xhepat e xhinsive. Mund të them se flladi i lehtë ishte i mirëseardhur për duart e tij të zhveshura, pasi që kishte qëndruar gjatë nën dritat e nxehta të kafenesë. Ai m'u afrua më shumë dhe trupi mu tendos më shumë. "Mendova…", ai pauzoi dhe buzëqeshi. Më duket se ai qeshte me veten e tij, meqë unë nuk kisha bërë asgjë qesharake.

"Nuk ka rëndësi. Ishte kënaqësi të takohesha me ty". Ai e zgjati dorën e tij të majtë në drejtimin tim dhe e tundi atë. "Edhe mua më vjen mirë që u takova me ty. Hyj brenda dhe pije pijen e fituesit, meqë të gjithë atje i le pa fjalë", thash unë. Ai nuk ishte duke buzëqeshur me buzët e tij, por sytë i shkëlqenin me ndjesi. "A ishte ajo motra jote? Ajo të cilën e humbe?" Unë u shtanga, e habitur nga fjalët e tij. "Si e dite këtë?" Ma kapi dorën dhe m'u afrua edhe më shumë. "Derisa flisje, flisje në kohën e shkuar". "Oh", kaq munda të thosha. Nuk e dija se çka tjetër mund të thuhej dhe, vetëm mendimi rreth Gabby-t, ulur në atë trotuar, më bëri që të më mbusheshin sytë me lot. "Ende të dhemb?" "Dhembjen e kam ende të freskët dhe... të poshtër". "Nëna më vdiq një vit më parë. Dhe, të premten e kaluar më vdiq babai nga mëlçia". Ai m'u afrua edhe më shumë. Goja ime u hap edhe më shumë. "Sapo të ka vdekur babai, e ti bën muzikë në një bar?" "E di, jam me të vërtetë bizar", pëshpëriti ai, duke i rënë kokës me gisht. E njihja këtë ndjenjë tepër mirë. "Ai ishte mësues i anglishtes.

Bendi ishte ide e tij, aktualisht, një bend i bazuar te Shakespeare. Vetëm babait mund t'i lindte një ide e tillë", tha ai, duke pushuar. "Njerëzit të thonë se, me kalimin e kohës, dhembja vjen duke u zvogëluar, por unë nuk e di..." "Vetëm sa bëhet më e madhe", thashë, duke kuptuar në tërësi dhe duke iu afruar. "Dhe, të tjerët rreth teje mërziten me mërzinë tënde. Pikëllimi yt bëhet barrë për ta. Prandaj edhe ti fillon që të shtiresh kinse nuk ndjen më dhembje. Vetëm ashtu mund t'i ndalësh të tjerët, që të mos shqetësohen me ty. Vetëm ashtu nuk do t'i mërzitësh të tjerët me pikëllimin tënd". "Do të dëgjosh diçka që tingëllon si çmenduri?" Ndihesha paksa çuditshëm duke e bërë këtë muhabet me një të huaj, të panjohur, por e vërteta ishte se ai ishte njeriu i parë që më kuptonte.

"Derisa isha duke ardhur këtu, mund të bëja be se motra ime ishte ulur afër meje, në veturë". Pash sytë e tij duke u mbushur me një dëshpërim të thellë. Më erdhi keq që e bëra të ndihej keq. Një njeri si ai duhej gjithmonë të ndihej mirë. "Në rregull është", pëshpërita. "Mirë jam". Ai u largua pak dhe vazhdoi. "Ndonjëherë më duket se ndjej aromën e cigares së preferuar të babait tim". Për një moment nuk thamë asgjë, duke shikuar duart tona. Më pas pasoi një e qeshur nervoze. Nuk e dija a ia nisi ai, apo unë. Pasi që u ndalëm, shikova sytë e tij të kaltër. "Ashlyn", i thashë, duke ia treguar emrin tim. (vijon)

(Kosova Sot Online)