Ngjarje e vërtetë: Si më dhunoi i biri i dashnorit (1)

  • 23 nëntor 2021 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Si më dhunoi i biri i dashnorit (1)

Në fakt, çdo gjë mori teposhtën kur djemtë tanë, Premtim dhe Fidan, ia nisën shkollës. Atëherë përnjëherë vërejta se burri im nuk ishte kurrë në shtëpi dhe se pjesën më të madhe të kohës e kaloj vetëm. Dalja e vetme nga monotonia në të cilën fillova të bija më dukej se ishte te gjetja e një vendi të punës. Sapo Samiri ma dha bekimin, fillova që të kërkoja punë dhe, relativisht shpejt, gjeta punë si sekretare në një ndërmarrje të madhe. Isha shumë e kënaqur me vendin tim të ri të punës dhe krijova miqësi me dy gra të cilat ishin me mua në zyrë. Njëra prej tyre ishte një vajzë e re, në të njëzetat, e cila në të njëjtën kohë kalonte me dy djem dhe gjatë tërë kohës bënte krahasime se cili nga ta ishte dashnor më i mirë.

E, tjetra, në të tridhjetat, sikur edhe unë, tanimë kishte katër fëmijë dhe çdo ditë kërcënonte se, me dorën e saj do ta tridhte burrin, nëse ndodhë që të mbetej sërish shtatzënë. Ditët kalonin shpejt, e unë kënaqesha në atë që çdo mëngjes ndreqesha dhe zgjohesha, në vend se të rrija si qyqe në shtëpi. Sa herë dëshiroja që burri im ta kishte një punë si gjithë të tjerët, por puna e tij kërkonte punë jashtë orarit dhe udhëtime të shpeshta zyrtare. Nuk më kujtohet kur kemi dalë së fundmi bashkë, si familje. Meqë edhe jeta jonë seksuale kishte rënë në zero, me kalimin e kohës fillova të dyshoja se mos ishte duke më mashtruar me dikë. Edhe pse këtë dyshim e kisha pasur edhe më parë, as tani e as më parë nuk kisha asnjë fakt në këtë drejtim.

Prandaj, gjithçka ia lija imagjinatës sime të bujshme. Derisa një pasdite në punë drekoja në mensë, ndjeva sesi dikush më shikonte. E ngrita shikimin dhe pash fytyrën më të buzëqeshur që kisha parë ndonjëherë, e cila më shikonte pa iu trembur syri. Ajo fytyrë i takonte një mashkulli të moshës së mesme, të veshur në një mënyrë shumë elegante. Më shikonte sikur të mos i binte ndërmend emri im. Pasi që na u ndeshën shikimet, iu afrua tavolinës sime. - Më falni që ua kam ngulur sytë, por a njihemi ne, a jemi takuar më parë? - më pyeti.

Përgjigja na ra ndërmend meqë u përgjigjëm në të njëjtën kohë: - Paj ne jemi fqinje! - Më vjen mirë, Ganja - i thashë duke ia zgjatur dorën. - Veliu! Ju banoni në ndërtesën përballë meje, në hyrjen e mesme, apo jo? Unë pohova me kokë. - Nuk e kisha idenë se ju punoni këtu. - Tash e gjysmë viti - buzëqesha dhe i thashë të ulej. - Befasohem që nuk jemi takuar deri më tani - më tha duke i ngritur supet. - Ndoshta do të mund të dilnim për drekë ndonjëherë? - Ndoshta - i thashë duke buzëqeshur. Biseduam derisa na kaloi pauza.

Me të vërtetë u kënaqëm duke biseduar, meqë me Samirin thuajse më nuk bisedonim aspak dhe kjo gjë më mungonte shumë. Shumë shpejt unë dhe Veliu u bëmë miq të mirë. Kurrë më parë nuk kisha pasur asnjë mik mashkull dhe tani zbulova se sa gjë e mirë ishte kjo. Atij nuk i interesonin thashethemet, e nuk ishte as dyfytyrësh, sikur që dinë shpesh femrat të jenë. Pas njëfarë kohe mora vesh se edhe ai kishte probleme në martesë. E donte gruan e tij Merita, me të ishte i martuar më shumë se njëzet vjet, por me të ndihej gjithnjë e më pak i lumtur. Më tregoi se gruaja e tij ishte më shumë e shqetësuar për pamjen e saj, sesa a ka ai këmisha të pastra, apo jo, si dhe që ajo më shumë kalon kohën në palestra dhe sauna, sesa në shtëpi. Më tha sesi ajo kishte harruar se ku gjendej kuzhina.

Merita është e bukur dhe me të vërtetë ka trup të bukur. Por, mua më nevojitet një femër të cilën mund ta prek, e jo vetëm ta admiroj nga së largëti. Dikur ishte aq pasionuese, e sot tërë energjinë e saj më me dëshirë e harxhon në ushtrime, sesa në mua. - E kam të njohur tregimin tënd. Në fakt, ti sikur të ishe duke folur për mua. Vetëm që burri im tërë energjinë e harxhon duke punuar. Dëm që gruaja jote dhe burri im nuk janë të martuar. Do të përshtateshin për mrekulli! (vijon)

(Kosova Sot Online)