Ngjarje e vërtetë: Më braktisi ditën e martesës (1)

  • E.K /
  • 30 November 2021 - 15:43
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi ditën e martesës (1)

Pasi që u largua nga unë, fytyra e saj ishte si maskë edhe pse me anë të buzëqeshjes mundohej ta minimizonte përshtypjen e përgjithshme. - Më vjen mirë që unë do të jem shoqëruese jotja - më tha me një ton të çuditshëm të zërit. Unë isha ulur në kauç, e ajo gjendej përballë meje. Fytyrën vazhdonte që ta kishte të pikëlluar. - Çka po ndodhë me ty? - doja ta dija të vërtetën, por ajo vetëm bëri me kokë. - Gjithçka është në rregull. Nuk është asgjë e rëndësishme, më tha me zë të ulët. - Vetëm një krizë kalimtare - më tha ajo, e unë doja t'iu besoja atyre fjalëve. - Në rregull, thash me indiferencë.

Disi nuk mund të besoja dhe të kuptoja që nuk ishin të gjithë aq të lumtur, sa që isha unë. Krejt punët i kisha në rend. Kisha të gjitha ato që i kisha ëndërruar, bile edhe më shumë se aq. - Çka dëshiron si dhuratë? - më pyeti. - Nuk ka rëndësi - thashë, duke bërë me dorë. - Me rëndësi është që ti të jesh afër meje - i thash duke buzëqeshur. Që të dyja e dinim se kjo ishte e vërtetë, megjithatë kisha përshtypjen sikur ajo nuk gëzohej aq sa do të duhej. - Do të merremi vesh - tha Meri. E shikoi orën. E bëri këtë në mënyrë diskrete, por unë e pashë atë lëvizje të saj. Ose donte të shkonte diku, ose ishte e lodhur.

Cili opsion ishte i vërtetë? - Është koha që të shkoj, thash pa u hamendur. - Uf, sa e lodhur që jam - pëshpëriti Meri. Më përcolli pa thënë shumëçka. Fytyrën e kishte si maskë. Kishte momente kur më bëhej sikur ajo nuk ishte shoqja ime të cilën kishte një jetë që e njihja. Diçka kishte ndryshuar te ajo, e unë nuk dija të thosha se çka. Por, përkundër kësaj, shumë shpejt më doli mendsh ajo. Isha e lumtur dhe nuk doja që asgjë të ma prishte këtë lumturi. Gjatë disa muajve të ardhshëm gjithçka disi ishte për ngutë. Kastriotin e shihja rrallë. Nuk ishte se nuk shiheshim fare, por më rrallë se përpara.

Unë isha e zënë me planifikimin e dasmës, me përzgjedhjen e fustanit të nusërisë, dhuratave dhe me rregullimin e banesës së tij, e cila së shpejti duhej të bëhej shtëpia jonë. Pjesën më të madhe të punëve Kastrioti mi kishte lënë mua. Ai punonte më shumë se përpara, por mua nuk më pengonte një gjë e tillë. Pasi që të shkojmë në muajin e mjaltit gjithçka do të rregullohet, mendoja unë. Periudha e bujshme e përgatitjeve kërkonte tërë fuqinë që kisha. Nuk e di si do t'ia dilja, po të mos më ndihmonte nëna. Ajo ishte me mua në çdo kohë. Këshillat e saj kishin vlerë të madhe për mua.

Sa më shumë që afrohej dita e martesës, unë bëhesha më nervoze. Isha nga ata njerëz që duan gjithçka të jetë e përkryer, duke përfshirë këtu edhe detajet më të vogla. Unë kisha bërë mund të madh në këtë martesë. Disa natë para martesës, unë dola me Kastriotin. Po më mbante për dorë dhe po më shikonte në atë mënyrë duke vërtetuar sesa e veçantë që ishte dashuria jonë. - Përse e ke zgjedhur Merin për ndrikull - më pyeti. Unë mbeta e shokuar me këtë pyetje.

Për disa momente vetëm e kam vëzhguar. - Kjo është një zgjedhje logjike - i thashë qetë. Nuk e kuptova se ku po dërgonte pyetja e saj dhe çfarë kishte të keqe midis tij dhe Merit. - Përse kjo nuk të përgjigjet - u ktheva në drejtim të tij. Kastrioti për një moment vetëm më shikoi. Kisha një përshtypje se po shikonte diçka tej meje. Uli krahët dhe më pas më tha. - Nuk është se nuk më përgjigjet. Por … - mbeti pa fjalë kur po gjente arsyetime, për ta përshkruar atë që e tha më parë. - Ajo thjesht nuk më pëlqen - tha ashtu. Nuk po mund ta kuptoja se çfarë kishte kundër Merit. Unë e dija se nuk pajtohen mirë, por se kjo mos-pajtueshmëri ka thelluar kaq shumë, nuk po mund ta imagjinoja. (vijon)

(Kosova Sot Online)