Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetëvjeçar? (3)

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetëvjeçar? (3)

- Oh, më falni, çka më pyetët? - pyeti Saranda e befasuar. - Asgjë, vetëm thash se sa shumë je rritur kohët e fundit. Je bërë një vajzë e vërtetë për të cilën shumë shpejt do të fillojnë të luftojnë djemtë - thash me seriozitet. - Tung të gjithëve. Ja, erdha edhe unë! Jeni gati? - më pyeti djali im Dini duke shkuar me vrap në tarracë. E vërejta që, kur e pa Sarandën, iu zgjeruan bebëzat nga befasia. - Saranda, a je ti, a po më bëjnë sytë? - e pyeti ai duke e analizuar me shikim. - Paske ndryshuar tepër shumë. Disi... po dukesh ndryshe... e di... Çka iu ke bërë flokëve? - belbëzonte ai i habitur, derisa ajo, e trimëruar nga komplimentet e tij, vetëm buzëqeshi disi mistershëm. - Më vjen keq që ua prishi muhabetin, sidomos juve të rinjve, por nëse duam që të mbërrijmë me kohë, atëherë duhet që të nisemi menjëherë - tha Amiri, duke u përmbajtur me vështirësi që të mos buzëqeshte.

Udhëtimi ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Përkundër kësaj, pasi që në orët e mbrëmjes përfundimisht arritëm te vila, të gjithë ne kishim disponim të mirë. Kjo vlente sidomos për Sarandën dhe Dinin, të cilët nuk kishin pushuar së biseduari gjatë tërë udhëtimit. - Çka mendoni, që menjëherë pas darke, të shkojmë e të lahemi? Deti është i ngrohtë dhe i këndshëm - tha burri im, duke i nxjerrë valixhet nga gepeku. - Nuk kam asgjë kundër. Fundja, sa më përket mua, nuk kam nevojë as të ha darkë. Nuk kam aspak uri. Renata, çka thua ti?- Pajtohem - thashë shkurt, duke kërkuar në çantë kostumin e plazhit. - Nënë, unë nuk do të vij. Më dhemb barku - deklaroi Saranda, duke ia hedhur një shikim domethënës Dinit.

Nga avioni shihej se ata të dy mezi prisnin që të mbeteshin vetëm. Vendosa që ta lija Dinin, duke thënë vet me vete se edhe ashtu, nuk e di ende se çka është duke ndodhur dhe duke i shpresuar vetes se do të bisedoja me të në mëngjes. Derisa të gjithë duke bërtitur dhe duke bërë shaka kënaqeshim në det, isha e lumtur që iu propozova miqve tanë t'i kalonim pushimet bashkë. Dean e kisha shoqe të mirë që nga fëmijëria dhe, pa të, jeta ime nuk kishte kuptim. Pasi që e kishim kryer shkollën bashkë dhe i kishim regjistruar studimet, jeta na kishte çuar rrugëve të ndryshme, por megjithatë ne e kishim vazhduar shoqërimin tonë.

Edhe pse studioja në kryeqytet, nuk e kisha harruar qytetin tim të lindjes dhe e shfrytëzoja çdo moment për të shkuar atje, për t'i vizituar prindërit, por edhe shoqen më të mirë, Dean. Pas mbarimit të fakultetit Dea ia doli që të punësohej si profesoreshë në ish shkollën tonë të mesme dhe, më duhet të them, isha e lumtur për të. Pasi që në vitin e tretë të studimeve u njoftova me Fitimin, dashurinë time të parë, isha aq e marrë pas tij, sa që më kishte ikur tërë vullneti për të mësuar. Bile, ishte vënë në pyetje vazhdimi i studimeve të mia të ekonomisë. Ishin të kota të gjitha lutjet e prindërve të mi, të cilët më përbenin në çka dinin, e s'dinin, që së pari ta mbaroja fakultetin, e më pas të bëja çka të doja.

E doja Fitimin me gjithë zemër dhe doja që sa më parë të martohesha me të. Ishte mu Dea ajo që nuk më kishte lejuar ta shkatërroja karrierën dhe ëndrrat, qoftë edhe për hir të dashurisë. - E di se je e dashuruar dhe se e ke të vështirë të përqendrohesh në mësim, por të lutem, mendo edhe një herë se sa shumë do të humbësh nëse tani heqë dorë nga gjithçka. Kapi librat, se martesa do të të dalë për hundësh. Nëse Fitimi të do me të vërtetë, atëherë ai do të të presë - më thoshte ajo derisa më bindi. (vijon)

(Kosova Sot Online)