Ngjarje e vërtetë: Me çdo kusht do të mbetem dashnorja e tij (1)

  • E.K /
  • 11 January 2022 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Me çdo kusht do të mbetem dashnorja e tij (1)

Pasi që e përfundova shkollën, gjeta një banesë modeste, në të cilën jetoja. Më dukej sikur tërë botën e kisha në dorë, por me kalimin e kohës, kursimet e mia vinin duke u shterur. Në momentin e fundit mora një ofertë nga fabrika më e madhe në qytet. Nga shumë vajza më kishin zgjedhur mua që të pozoja për kalendarin e Vitit të Ri. Pranova pa u hamendur. Pas fotografive provuese, ata mbetën të kënaqur dhe vazhduan me xhirimin. Kah fundi, u takova me Lirakun. Sapo pashë sytë e tij të zi, mbeta si e magjepsur. Rrezet e dashurisë prekën zemrën time dhe emri i tij mbeti në zemrën time përjetë.

Ndihesha tepër çuditshëm, sikur ta kisha gjetur gjysmën time tjetër, të cilën e kisha humbur shumë kohë më parë dhe për ekzistimin e së cilës nuk kisha pasur haber. Vetëm në prani të tij ndihesha një person komplet. Sapo më ftoi në takim, menjëherë pranova. E dija se ai kishte vërejtur ndjenjat e mia ndaj tij, meqë duke pasur parasysh përvojën e tij, kjo nuk mund t'i ikte. Më tregoi se ishte i martuar dhe kishte fëmijë. Kjo nuk më befasoi. Asgjë tjetër as që kisha pritur. Kur më tha se ishte pronari i fabrikës për të cilën kisha bërë kalendarin, tanimë ishim një muaj në lidhje. Pas insistimit të tij, u shpërngula në një banesë më të madhe dhe thuajse hoqa dorë nga manekinizmi.

Shoqet e mia të pakta këtë nuk mund ta kuptonin. Të gjitha insistimet e mia se e doja Lirakun, ishin të kota për to. - Sofie, pse po rren? - më pyeti njëra prej tyre. E shikova me habi. Atë e kisha shoqen e vetme të vërtetë dhe tek e cila kisha besim të plotë. - Pse të të rrej? Unë e dua. Çka ka të çuditshme këtu? - E, ku i ke mendtë, oj qyqe? A ke sy, a? Shiko sesi duket ai. Aspak nuk është për ty - tha ajo me vrull. E dija mirë se nuk ishte zemërkeqe, e as xheloze. Kjo ishte hera e parë që kishim mendime të ndryshme. - A mendon se më kanë lënë mendtë, a? - E pyeta me cinizëm. - Ashtu disi - mezi tha ajo.

Me çka unë jam më e mirë se ai? - e pyeta. - Me gjithçka. Ti je e re, e ai është dy herë më i vjetër se ti. Mendoja se ishe ambicioze dhe se di mirë çka bën. Pse po e luan rolin i cili nuk të shkon?, më thoshte ajo. - Çfarë roli jam duke luajtur? - A je e vetëdijshme në çka je duke hyrë? Ti për të je violina e dytë, të cilës do t'i bjerë vetëm herë pas here. Je e re dhe e bukur, e kjo i tërheq meshkujt sikur magnet. Mos shpreso që ai do të ndahet nga gruaja, nëse tanimë ta ka premtuar një gjë të tillë. Kjo është tipike për ta. Të gjithë ata thonë se duan të ndahen nga gruaja, por kurrë nuk e bëjnë një gjë të tillë. Ma thuaj vetëm një të tillë, që e ka realizuar premtimin e vet. I rrudha supet. - Unë nuk dua që ai të ndahet nga gruaja. Këtë nuk e kam për qëllim.

Thjesht, e dua! - E çuditshme kjo dashuria jote - më tha me qesëndi. - Pse? Për shkak se është më i vjetër dhe është i martuar? - Jo vetëm për këtë. Ai aspak nuk është i bukur. E vetmja gjë tërheqëse tek ai, janë paratë e tij. E di se kurrë nuk ke pasur para, por ka edhe mënyra të tjera për t'u bërë e pasur. Pse e zgjodhe mënyrën më të keqe nga të gjitha? Për sa kohë do të mund të kënaqesh me rolin e dashnores? Me të do t'i harxhosh vitet më të mira të rinisë, por çka do të bësh pasi që ai do ta gjej dikë më të re dhe më të bukur? - e shprehu shqetësimin e vet ajo. (vijon)

(Kosova Sot Online)