Roman dashurie: Mbrojtësi (1)

  • E.K /
  • 14 January 2022 - 15:48
Roman dashurie: Mbrojtësi (1)

I dëgjoi hapat. U ngri. Nuk dinte me çka ta arsyetonte vizitën e saj. Kur ia hapi derën, ai kishte vetëm një peshqir rreth belit, e flokët i kishte të lagëta. Valdetja u turpërua. - Prej nga erdhe ti, çka ndodhi? - Nuk e di... eca tepër shumë dhe disi erdha këtu. Më fal, nuk dua të pengoj, po shkoj. - Hyr brenda! Shiko si je ënjtur nga vaji! E tërhoqi për dore, e futi brenda dhe e uli afër tavolinës. - Ulu këtu, na e bëj nga një kafe, apo çaj, nëse dëshiron. Po shkoj t'i laj flokët, meqë isha duke i larë kur ti i mëshove ziles. Ajo e dëgjoi. Në fillim deshi që të bënte kafe, por më pas bëri çaj.

KAPITULLI 18

Ajo kërkoi falje për sjelljen e Ganes. Është normale që motra jote reagoi në atë mënyrë, meqë u frikësua. - E di, por me të vërtetë nuk dua që të dramatizohet ashtu rrëfimi me atë bastard. E kam më vështirë kur këtë e quajnë dhunim. Dua që për këtë të mendoj sikur për një marrëdhënie seksuale, e cila do të ndodhte herët apo vonë. Tjetër gjë është se ajo marrëdhënie ishte e ashpër dhe e parakohshme. Asgjë më shumë. - Ty me të vërtetë të pëlqente ai tipi? - Po. Mendoja se ai ishte i ndryshëm, më i butë, më romantik. Isha mashtruar. Sikur të mos më sulmonte atë natë, me gjasë do të përfundoja me të në shtrat. - E, ndoshta nuk do ta bëje këtë, ndoshta do ta kuptoje se nuk ishte ashtu si prezantohej. - E kuptova këtë në mënyrën më të keqe të mundshme, por nuk dua që për këtë të jepem dhe të traumatizohem. Dua që ti dhe Ganja ta kuptoni që dua t'i harroj të gjitha. Dreni e shikoi orën. - Duhet të shkoj në punë. I kam premtuar kolegut se do t'ia çoj nënën në aeroport, meqë atij i është prishur vetura. - Puno ti, puno! Edhe mua më duhet që të shkoj në shtëpi. Dreni për një moment u hamend. - E di çka? Sonte disi nuk më punohet. Mund të shkojmë bashkë për atë gruan, e më pas të kthehemi në kinema, ndoshta japin ndonjë film të mirë. Valdetja mbeti e habitur nga ky propozim. - Paj, nëse dëshiron... mundemi. A ta thërrasim edhe Ganen? Këtë pyetjen e fundit e bëri vetëm pasi që mendoi se ia kishte borxh motrës. Dreni buzëqeshi dhe mohoi me kokë. - Kot e ke, vogëlushe. Nuk mund të më lidhësh me Ganen. - Çka? - Nuk është se nuk më pëlqen. Tanimë të kam thënë se ajo është një femër tepër e mirë që ta bëj për vete aq shpejt. Por, këtu ka gjëra që nuk shkojnë. - Me Ganen? - Jo, jo. Me mua. - Ajo nuk kërkon lidhje, mos u bëj merak. Edhe ajo është për aventurë, sikur ti. Dreni u ngrit, duke ia bërë me dije edhe Valdetes se edhe ajo duhej të shkonte. - Aventurën mund ta gjej gjetiu. Hajde, të mos vonohemi. Ta çojmë atë grua në aeroport.

KAPITULLI 19

Filmi ishte i zhanrit aksion triler dhe iu pëlqeu që të dyve. Zgjati më shumë se 2 orë, prandaj kur dolën nga kinemaja, panë se kishte kaluar ora një pas mesnate. Rrugët e qytetit ishin të shkreta, frynte një erë e ftohtë, duke ngrirë gjithçka para vetes. Arritën te taksia e Drenit. - Shpejt do të nxehet, prandaj do ta kesh nxehtë. Je ngrirë. E tëra po dridhesh. Ai e ofroi afër vetes. Vetëm pasi mbështeti kokën në gjoksin e tij, Valdetja kuptoi se ishin afruar shumë dhe se donte ta puthte atë. Kjo ndjenjë e frikësoi, prandaj u largua nga ai. - Nuk më vjen ftohtë më. Më së miri është që tani të më dërgosh në shtëpi. Ganja ka dhjetë herë që më thërret në celular, prandaj mund të frikësohet dhe ta thërrasë policinë nëse nuk i lajmërohem. - Thirre tani dhe tregoji se je me mua! (vijon)

(Kosova Sot Online)