Roman dashurie: Mbrojtësi (1)

  • E.K /
  • 24 January 2022 - 15:57
Roman dashurie: Mbrojtësi (1)

KAPITULLI 1

Valdetja e hapi derën e apartamentit, e ndezi dritën në korridor dhe futi valixhet. E dinte se duhej të ishte e lumtur, meqë pas një muaji përsëri gjendej në shtëpinë e vet, në qytetin e vet, por megjithatë nuk ishte kështu. Ideja rreth përditshmërisë që e priste e bënte që të ndihej jo në humor të mirë. Një muaj qëndrimi në Maltë, duke mësuar gjuhën angleze, kishte zgjuar te kjo vajzë 23-vjeçare diçka për çka as ajo vetë nuk ishte e vetëdijshme më parë. Në atë ishull të vogël, të gëzuar, dinte që të vallëzonte deri në mëngjes, të puthej me një njeri krejtësisht të panjohur dhe të vishej në një mënyrë sa më provokuese. Kishte bërë shumë miq dhe, sikur që ndodhë gjithmonë, i ishin betuar njëri-tjetrit se do të vizitoheshin dhe do të komunikonin midis veti.

Por, tani ishte tërësisht e sigurt që këto miqësi do të zbeheshin shumë shpejt. Në banesë gjeti një kaos të vërtetë, gjë që nuk e kishte habitur, duke ditur se sa dembele dhe e parregullt ishte motra e saj e madhe. Megjithatë, me të ndante jetën, të mirën dhe të keqen, tash e katër vjet, prej se iu kishin vdekur prindërit në një fatkeqësi trafiku. Ganja ishte stjuardesë, prandaj ajo në shtëpi thjesht flinte dhe përgatitej për udhëtimin e radhës. Tani ishte diku në rrugë për Nju Jork, por Valdetja do të donte që ajo të ishte këtu, të paktën me dikë t'i ndante kujtimet e mira në momentin kur përditshmëria përsëri e merrte nën kontroll. Në bazë të shtresës së trashë të pluhurit në komodinën afër shtratit të vet, kuptoi që Ganja as që kishte hyrë në dhomë të saj gjatë kohës sa ajo nuk kishte qenë këtu. E hapi dritaren dhe lejoi që ajri i freskët i tetorit të futej brenda.

Pasi që bëri dush dhe i zbrazi valixhet, ajo iu rrek larjes së enëve. Kishte shumë gota të palara, të cilave iu vinte era e pijeve të shtrenjta. Ganja paska pasur mysafirë, por Valdetja nuk habitej për këtë. Për dallim prej saj, që ishte e tërhequr dhe jo aq sociale, motra e madhe nuk mundej pa shoqëri. Shpesh nga rruga kthehej me koleget stjuardesa, e në raste të tilla Valdetja tërhiqej, meqë nuk donte t'i dëgjonte aventurat e tyre me pilotë e kopilotë. Valdetja më së shumti ia shihte motrës për të madhe mënyrën e saj të jetës, të bazuar në promiskuitet. Ganja i ndërronte meshkujt sikur çorapet, sikur ata të ishin fustane me ngjyra, që duhej të kombinoheshin me këpucë të caktuara. Bile, ajo nuk e dinte cili ishte tipi i saj i meshkujve. Thjesht, shkonte me këdo që i premtonte, të paktën, një ditë argëtimi. Por, Valdetja ishte e përmbajtur në këtë drejtim. Sikur të mos ishin motra. Për herë të parë ishte dashuruar në moshën 19- vjeçare, kur edhe e kishte humbur virgjërinë, por mu në atë kohë prindërit e tyre kishin humbur jetën aksidentalisht, kështu që ajo lidhje ishte shkatërruar për shkak të dhembjes së madhe të Valdetes. I dashuri i saj ishte munduar që t'i ofronte mbështetje, por Valdetja nuk kishte mundur ta tejkalonte vuajtjen dhe, me kalimin e kohës, e kishte dëbuar nga vetja. Më pas kishte pasur edhe një lidhje të shkurtër, me një djalë nga lagjja, të cilin nuk kishte arritur ta donte, prandaj e kishte lënë me arsyetimin se nuk ishte e gatshme për lidhje.

Për fat, ai djalë nuk vonoi dhe e ndërroi vendbanim, kështu që Valdetes nuk i duhej të ballafaqohej më me të. Në Maltë për herë të parë kishte bërë diçka jo të menduar mirë. Një natë ishte njoftuar me italianin Mario, një djalë të pashëm, i cili ishte duke kaluar pushimet me vëllain dhe ishte puthur me të po atë mbrëmje. Edhe pse ishin parë më pas rregullisht, Valdetja nuk kishte lejuar që ai të shkonte përtej puthjeve dhe prekjeve në terr. Kishte frikë nga përvoja e tij me femra, e cila ishte më se evidente. Pasi që i lau enët, vendosi që ta ndezte TV-në dhe të shihte se çka kishte ndodhur kohëve të fundit në vend. Nuk mund të përqendrohej. Mendimet i fluturonin larg. Përsëri ndihej e vetmu

(Kosova Sot Online)