
Lexoni edhe:
Në mënyrë që të hiqen të gjitha dilemat rreth projektit të gazit amerikan është i nevojshëm një debat parlamentar
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Çështja e refuzimit të projektit të gazit amerikan nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti vazhdon të ngjallë debate të forta politike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Edhe pse kanë kaluar vite që nga refuzimi fillestar i projektit, qytetarët dhe institucionet ende nuk kanë marrë një shpjegim të plotë dhe bindës për arsyet konkrete që e shtynë Qeverinë të mos e mbështesë një investim që konsiderohej i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Kosovës.
-Nëse një projekt i mbështetur nga partneri më i rëndësishëm strategjik i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, refuzohet pa një debat të gjerë parlamentar dhe pa një analizë të detajuar publike të përfitimeve dhe kostove, atëherë lind pyetja legjitime nëse kemi të bëjmë me një vendim të bazuar në argumente të mirëfillta strategjike apo me një qasje politike dhe ideologjike të kryeministrit Albin Kurti ndaj këtij projekti.
Pikërisht këtu qëndron një nga kritikat kryesore. Vendime të kësaj natyre nuk duhet të perceptohen si vendime personale të Kryeministrit apo të Ministrisë së Ekonomisë, por si vendime shtetërore që kërkojnë debat institucional, konsultim me ekspertë dhe përfshirjen e Kuvendit të Kosovës. Kur një projekt me ndikim potencial në ekonominë dhe sigurinë energjetike të vendit refuzohet pa një konsensus më të gjerë institucional, krijohet përshtypja e centralizimit të vendimmarrjes.
Qeveria Kurti ka argumentuar se orientimi strategjik duhet të jetë drejt burimeve të tjera energjetike dhe tranzicionit të gjelbër. Megjithatë, ky argument mbetet i paplotë përderisa alternativat e propozuara nuk janë shoqëruar me studime të qarta fizibiliteti, afate konkrete realizimi dhe analiza të kostove ekonomike. Në veçanti, përmendja e mundësisë së gazifikimit të thëngjillit vendor mbetet më shumë një ide sesa një projekt i mbështetur në dokumentacion teknik dhe financiar.
Për më tepër, Kosova vazhdon të përballet me sfida serioze në sektorin energjetik, me një varësi të lartë nga termocentralet ekzistuese dhe me nevojën për diversifikimin e burimeve të energjisë. Në këtë kontekst, refuzimi i një projekti alternativ pa ofruar një zgjidhje të gatshme dhe të argumentuar krijon dilema të arsyeshme mbi qëndrueshmërinë e strategjisë aktuale energjetike.
Kritikët e kryeministrit Albin Kurti argumentojnë se një çështje me rëndësi të tillë kombëtare nuk mund të mbetet peng i vullnetit politik të një individi apo i një rrethi të ngushtë vendimmarrës. Në një sistem demokratik, vendimet që prekin të ardhmen energjetike të shtetit duhet të jenë rezultat i debatit institucional dhe jo i vendimmarrjes së centralizuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".