Roman dashurie: Batica e dashurisë (9)

  • E.K /
  • 11 April 2022 - 15:49
Roman dashurie: Batica e dashurisë (9)

Bëra dush dhe u vesha me të shpejtë, duke u futur në një palë xhinsish të ngushtë 'denim', një bluzë të bardhë, e cila m'i shtrëngonte sisët dhe përmbi vesha një xhemper të gjerë. Pasi që e gjeta brushën e flokëve, këtyre të fundit ua dhashë një të krehur si duhet, derisa në këmbë mbatha një palë këpucësh të zeza "Converse". Për një periudhë të gjatë kohore qëndrova para pasqyrës, duke studiuar pamjen time. Kjo ishte pamja ime e rëndomtë, por më nuk dukesha aq e shkujdesur.

Dukesha sikur isha duke u munduar së tepërmi që të isha vetvetja. "Baju, mori"!, i thashë pamjes sime në pasqyrë me zë të ulët. "Çdo gjë do të jetë më mirë shumë shpejt". Më pas kapa çantën nga shtrati i hotelit, dola nga dhoma, në kërkim të Kevinit. *** Kur i kërkova që të shkonim për drekë në "Junction", Kevin u përgjigj me të shpejtë. Nuk e di a ishte për shkak se donte të më mbante të lumtur, apo thjesht donte të më hiqte qafe sa më shpejt. Sot erdhi me një veturë të lëmuar, ngjyrë metalike të llojit "Audi", të cilën nuk më kujtohej ta kishte pasur më parë. Nuk mund ta mohoj faktin se u ndjeva paksa xheloze kur ma hapi derën e veturës. Një vit më parë ma kishin marrë patentë shoferin, pak pasi që kisha mbushur të nëntëmbëdhjetat. Nuk e di kur do të ma kthenin.

Pas drekës, të cilën e hëngrëm shpejt e shpejt, Kevini dhe unë shkuam në zyrën e tij, në mënyrë që t'i nënshkruaja dokumentet. Kishim kaluar gjysmën e dokumenteve kur na u paraqit një njeri gjigant. Derisa e shikoja atë duke komunikuar me asistentin e Kevinit, tanimë kuptova se ai ishte truproja ime. Dadoja ime e re. Kur Kevini më pa duke e shikuar atë, ai e dërgoi njeriun në zyrën e vet. "Willow, këtë njeri e ka angazhuar studioja. Ai duhet të pengojë fansat e pasjellshëm që të të afrohen, e di", tha Kevin. "Tom Miller. Por, që të gjithë më thërrasin Miller", tha njeriu, të cilin unë e shikova dhe mezi i thashë një tungjatjeta.

Pasi që e shikova për një kohë të gjatë, vërejta se Miller kishte fytyrë të lëmuar me një prerje të vjetër. Me gjasë kishte marrë shumë steroide, meqë ishte i tëri muskuj, kishte atë pamjen që Jessica gjithmonë "supe të ariut". Më dukej sikur ai ishte në fund të viteve të 20-ta, por kur flitej për truprojat kurrë nuk do të mund ta thuash këtë me siguri. "Willow", mezi thashë, disi duke pritur që edhe ai të më thoshte sikur të gjithë të tjerët,"të gjithë e njohin Willow Avery-n". Ai nuk e tha këtë dhe më erdhi mirë që nuk qenka kaq i parashikueshëm. Pasi që i nënshkrova dokumentet, Kevin nuk u durua pa më thënë "që të përkujdesesha për veten", e më pas i tha asistentit të tij që të na dërgonte me veturë mua dhe Millerin për në aeroport. Ishim të qetë përgjatë tërë rrugës për Aeroportin e Los Anxhelesit.

Pasi që mbeta me të, fillova që të ndihesha në siklet. Do të duhej të isha mësuar me faktin që të më ruanin njerëzit e huaj, të më ruanin nga kamerat e paparacëve, por megjithatë më nervozonte fakti që rrija ulur afër një njeriu tërësisht të panjohur, i cili kishte një madhësi sa dy herë unë. Kjo gjithmonë do të më pengonte. Derisa prisnim në terminal, fillova që ta shfletoja një revistë të vjetër të modës, të cilën dikush e kishte lënë në aeroport. Celulari i Millerit cingëroi dhe ai u përgjigj, duke recituar një seri numrash dhe letrash dhe më pas e mbylli celularin. E shikova me kureshtje. (vijon)

(Kosova Sot Online)