Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (4)

  • E.K /
  • 07 May 2022 - 15:56
Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (4)

Por, një moment më vonë, zëri i përplasjes së putrave të qenit tonë në parket. Kjo nënkuptoi ardhjen e qenit Luna, i cili hyri në kuzhinë i gëzuar, duke lëvizur bishtin andej-këndej. U përkula, me qëllim që t'ia lëmoja kokën, e më pas u drejtova derisa ai me kureshtje nuhaste rreth enës së tij dhe duke e shikuar reflektimin e vet nëpër kuzhinë. Prisja që ta gjeja lavamanin plot me enë të palara, por aty nuk gjendej as edhe një gotë. Gjithçka ishte e pastër dhe në vendin e vet. pasi që dola nga kuzhina, kalova në korridor dhe hyra në sallon. U befasova kur pash se edhe këtu çdo gjë ishte në vendin e vet. duke shikuar andej e këndej në sallon, i cili gjithmonë ishte plot me gazeta, gota dhe lodra, më kapi përshtypja sikur gjendesha në një shtëpi të braktisur.

Nga heshtja u rrëqetha dhe u frikësova mos ëndrra ime kishte qenë parashikuese. Çka nëse Albani, i paaftë që ta duronte ndjenjën e fajit, të kishte çuar dorë ndaj vetes? Me zemrën që më rrihte si e marrë u nisa në drejtim të shkallëve, të cilat çonin në katin e dytë. Hyra në dhomën tonë dhe sikur mu ndal fryma. E ndeza dritën. Shtrati ishte bosh dhe i rregulluar. Duke u frikësuar nga më e keqja, shkova në banjë, por as këtu nuk gjendej burri im. Më pas shikova në drejtim të dhomës së Luanit dhe, duke parë të ndezur llambën e vogël, hyra brenda. Albani flinte i bërë duq në shtratin e vogël të djalit tonë, me fytyrën e ngjitur për arushin e kaltër të pelushit.

E shikova pa lëvizur dhe, duke dëgjuar frymëmarrjen e tij, sikur zemra më mbushej dashuri ndaj tij. Pasi që mu kujtuan fjalët e vjehrrës, se si ai kohëve të fundit e ka problem të flejë, nuk e zgjova. Mund ta prisja mëngjesin që të bisedonim. Derisa mendoja a të flija në dhomën tonë, apo që ta kaloja edhe unë natën në dhomën e vogël të Luanit, aty erdhi qeni, i cili kërceu në shtrat dhe u vendos te këmbët e Albanit. Ai u zgjua dhe e ngriti kokën. Më pas, kur më pa, mbeti si i shtangur. - Alban, unë jam - thash, e frikësuar se mos më përziente me ndonjë hajn. - Valdete? - tha derisa e lëshoi përsëri kokën mbi jastëk. - Çka po bën këtu? - zëri i tij nuk kishte kurrfarë emocionesh, sikur prania ime të mos i kishte bërë fare përshtypje.

 Më duhet që të bisedoj me ty - i thashë, duke përpirë duqin i cili mu krijua në fyt. - A mund ta ndezi dritën? Ai u ngrit në pozitë të ulur. - Ndeze lirisht. Nën dritën elektrike, fytyra e tij dukej edhe më e zbehtë dhe e thatë. Ndjeva dhembje në zemër. - Erdha të të them se më vjen keq që të kam fajësuar për vdekjen e Luanit. Ti nuk ke faj për këtë. - Supozoj që nëna ime ka pasur ndikim këtu - tha, dukshëm i shqetësuar. - I thash që të mos vinte te ti. Por, më duket se ajo, megjithatë, e ka bërë këtë. - Në fakt, po, por... - E luta që të mos përzihet, duke i lënë gjërat ashtu sikur që janë. (vijon)

(Kosova Sot Online)