Ngjarje e vërtetë: Dikush më dërgonte mesazhe sekrete (1)

  • E.K /
  • 16 May 2022 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Dikush më dërgonte mesazhe sekrete (1)

S amiri i lexoi ngadalë, një nga një, duke mos thënë asgjë. Në fund, kur i lexoi të gjitha, e ngriti kokën dhe më pyeti: - Ti ke menduar se unë i kam shkruar? E shikuam njëri tjetrin pa thënë ndonjë gjë, fjalët ishin të tepërta. Ishte më se e qartë që supozimi im ishte krejtësisht i gabuar. Kaq për aftësitë e mia hetuese. Samiri për herë të parë i pa ato porosi dhe ishte i habitur. Fakti që nuk mi kishte dërguar, në fakt, nuk ndryshoi asgjë mes nesh, ende e dashuronim njëri-tjetrin, por tani sërish u shtrua pyetja e vjetër: kush po i dërgonte ato mesazhe? Samiri i sinqertë si gjithmonë menjëherë më tregoi se nuk ishte befasuar atë ditë kur e ftova në drekë. I pëlqeja, siç tha, por nuk kishte ndonjë plan të madh me mua sepse kishte menduar që te unë nuk ka ndonjë shans.

Njëjtë kisha menduar edhe unë. Deri në momentin kur filluan të më vijnë mesazhet, atë e kisha konsideruar vetëm si një koleg simpatik. Siç thashë, situata e re nuk kishte ndryshuar asgjë mes nesh, por Samiri megjithatë u bë pak xheloz. Papritmas e kuptoi që diku në afërsi timen ekziston një mashkull që më dashuron fshehtazi dhe më nuk ishte i qetë. - Me të vërtetë nuk ke arsye për t'u brengosur - e qetësoja unë. - Nuk e di kush mi ka shkruar ato mesazhe, por një gjë e tillë më nuk më intereson. Ndoshta dikush vetëm po tallet me mua! Samiri nuk mendonte ashtu. Fjalët e mia nuk ia dolën që ta heqin dyshimin nga mendja e tij. - Unë të dua vetëm ty, dhe t'i e di një gjë të tillë! - e nxora adutin e fundit nga mënga. - Në fund të fundit, tashmë për disa javë nuk ka arritur asnjë mesazh i tillë, që do të thotë se ai person përfundimisht ka hequr dorë. E putha, e ai më tërhoqi lehtë në përqafim. Në fund më erdhi keq që ia përmenda ato mesazhe, por si ta dija? Edhe pse mesazhet anonime nuk mbërrinin më, unë sërish fillova të mendoj për to. Misteri për të cilin kam qenë e bindur se e kisha zgjedhur me aftësitë e mia hetuese, ishte ende i pazgjidhur.

Sa i përket Arditës, ajo ende në punë po sillej e rezervuar ndaj meje. Prej që isha me Samirin, ishte disi e ftohtë dhe e distancuar. Provova që të bisedoj me të, por nuk munda të arrij te ajo. E më pas një nate ishim bashkë kujdestare në spital. Ishte ajo mundësi që të flas haptas me të në lidhje me disa gjëra. Kisha për qëllim që ta pyes se çfarë ka ajo kundër lidhjes sime me Samirin, kur ajo vetë filloi që të flasë. Ajo çfarë më tha ajo më goditi si vetëtima! - Unë ti kam dërguar ato mesazhe anonime - më tha e qetë, sikur të bëhej fjalë për gjënë më normale në botë.

E shikova me habi. Çfarë mahie ishte tani kjo? Për disa momente vetëm heshta, e më pas më ra në mend se për çfarë do të mund të bëhej fjalë. - Të jam ankuar se ndjehem e vetmuar dhe ti ke dëshiruar që të më disponosh! - i thashë. - Ke dëshiruar që të ndjehem mirë dhe e dëshiruar! Por nuk është dashur që ta bësh. Nuk jam ndier edhe aq keq - i thashë duke buzëqeshur. Buzët e Arditës u shtrënguan fort. Nuk më shikonte më. E kisha të qartë se kisha thënë diçka të gabuar. Diku në thellësi të shpirtit mendoja se ndoshta me qëllim jam sjellë kështu. Ndoshta me këtë kam dëshiruar që t'ia jap mundësinë që ta pranojë versionin tim dhe të dyja ta shmangim të vërtetën e pakëndshme. Por, Ardita nuk e pranoi atë version. Kur foli sërish, tha diçka krejtësisht tjetër. /Vijon/

(Kosova Sot Online)