Ngjarje e vërtetë:A ka shpresë për ne? (1)

  • E.K /
  • 08 June 2022 - 15:53
Ngjarje e vërtetë:A ka shpresë për ne? (1)

- Dua që gruaja ime të jetë më e bukura në mbrëmje. Le të shihet se nuk na mungon gjë - tha në një rast, derisa përgatiteshin për pritjen e Vitit të ri. - Unë më me dëshirë do ta kaloja natën e Vitit të Ri në përqafimin tënd, larg masës së njerëzve të dehur dhe të zhurmshëm, thashë me mërzi. - Eja, aty do të jenë edhe Berishët. Ti e di që ata shtyhen me neve - tha ai me ligësi. - Jo, jo. Ti shtyhesh me ta - thashë duke e shikuar e mërrolur. - Njësoj është, çka do të veshësh? - Fustanin që kisha veshur vitin e kaluar - thash duke i rrudhur supet. - Nuk vjen në shprehje. Gruaja ime për pritjen e Vitit të Ri duhet ta ketë një fustan të ri. Në Vitin e Ri me fustan të ri! - murmuriste. - Nuk kam vullnet që tani të dal në shopinng, për shkak të një fustani, është tollovi e madhe - u ankova.

 Unë do të ta blej fustanin - tha ai. - Met, mirë e di se na mungojnë paratë. Rrogën nuk do ta marrësh edhe dhjetë ditë. Kemi shpenzuar shumë për pritjen e Vitit të Ri - mundohesha ta mbushja mend. - Mos u mërzit ti për para - më tha, duke më puthur në faqe, tepër i lumtur. Nuk mundja që të mos vëreja se, për të, blerja e gjësendeve ishte bërë si drogë, vazhdimisht donte të blinte, për ta plotësuar njëfarë nevoje emocionale. Në fund u dorëzova dhe e lejova që të ma blinte një fustan të ri, i cili dukej gati sikur ai i vitit të kaluar, me ngjyrë të zezë. Vetëm që ishte pak më i gjatë. Pritja e Vitit të Ri me të vërtetë ishte e tillë si e prisja.

Një hapësirë ngufatëse plot me njerëz të dehur dhe të zhurmshëm. Megjithatë, e dija që kisha pranuar ta bëja këtë për shkakun e tij, meqë e doja dhe për shkak se një gjë e tillë e bënte të lumtur. Ky ishte vetëm edhe njëri nga lëshimet e mia të vogla, të cilat i bëja për të. Me kalimin e kohës, isha mësuar me apetitet e mira të Metit, por kurrë nuk kishin pushuar që të më pengonin. - Si ia dilnim që t'i paguanim të gjitha këto?, habitesha derisa shikoja llogaritë nga blerjet në kartelën "Diners dhe Master". - Mos u mërzit, zemër. Të gjitha i rregulloj unë. Kjo nuk është punë jote - më thoshte ai. Nuk më linte as t'i shikoja llogaritë. - Megjithatë, ne jetojmë përtej mundësive tona. Njerëzit tjerë kanë edhe kredi për banesë, megjithatë ia dalin që të mbijetojnë, kurse ne mezi ia dalim ta lidhim muajin me muaj për shkak të veshjeve dhe koleksionit të kristaleve tua - i thashë e mërzitur. - Hej, kjo nuk është fer. Ti e di që unë i adhuroj kristalet. Ato janë pasioni im - më tha, dukshëm i prekur. - E di, por nuk të duhej, aman, që ta blije llambën më të madhe nga kripa e Himalajës - mundohesha që ta mbushja mend. - Kripa e Himalajës nuk është kristal - reagoi ai.

 Përpos kësaj, pusho! Nuk do të më tregosh ti çka të bëj me paratë e mia. - Mendoj se, megjithatë, duhet të pushosh të mendosh vetëm për hobit tu dhe të shkosh në shoping sa herë që të të teket. Përpos kësaj, edhe unë sjell para në këtë shtëpi, ndoshta jo aq sa ti, por megjithatë, mjaft. - Çka ke sot? - e ngriti tonin e zërit. - Të them vetëm se ka ardhur koha kur më nuk mund të mendosh vetëm për vete - i rrudha supet, gjoja indiferente. Ai më shikoi me habi. - Çka je duke u munduar që të më thuash? - Jam shtatzënë, tash dy muaj e gjysmë - buzëqesha e turpëruar. Fytyra e Metit shkëlqeu nga një buzëqeshje e sinqertë. Ishte i lumtur sikur edhe unë. Edhe pse u gëzova, me ankth prisja se a do të ndikonte fëmija në ndryshimin e sjelljes së Metit. Por, ky lajm vetëm sa e egërsoi edhe më shumë, prandaj filloi që të shkonte nga dyqani në dyqan duke blerë gjësende për bebe. Përsëri gjithçka duhej të ishte më e mira. I thosha se ishte duke e tepruar, por kur morëm vesh se prisnim lindjen e binjakëve, harxhimet vetëm sa u dyfishuan. (vijon)

(Kosova Sot Online)