Ngjarje e vërtetë:A ka shpresë për ne? (2)

  • E.K /
  • 09 June 2022 - 15:51
Ngjarje e vërtetë:A ka shpresë për ne? (2)

- Met, kështu nuk shkon më. Nuk do të mund t'i paguajmë të gjitha këto që i ke marrë. - A të ka munduar ndonjëherë ndonjë gjë? - më pyeti me arrogancë, e unë vetëm mohova me kokë. - Atëherë mos ji kaq e mërzitur dhe e shqetësuar. Unë shqetësohem për ne. - Kjo është humbje parash, nëse më pyet mua. Nuk kam nevojë për rroba të cilat foshnjave nuk do t'iu vyejnë pas dy muajve. Përpos kësaj, fqinja m'i ka dhënë rrobat e vajzave të saj - i propozova, me shpresë se do të pranonte. - Fëmijët e mi nuk do të bartin rroba të dorës së dytë. Nuk vjen në shprehje. Për ta dua vetëm më të mirën.

Ofshava, duke mos pasur fuqi që t'i kundërshtoja kërkesat e tij. Isha tepër e dobët meqë e doja. - Më mirë ato para t'i shpenzojmë për diçka tjetër - propozova, por shikimi i tij ma bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të lëshonte pe. Hoqa dorë, duke shpresuar se ajo blerje e rrobave nuk do të përsëritej më, por ajo vazhdoi edhe pas lindjes së vajzave tona. Që të dyja duhej të shkëlqenin me rroba dhe këpucë të markave të njohura. Karrocat e vajzave i blemë tepër shtrenjtë, meqë ai insistonte që të ishin të markave të njohura. - Po dal në shëtitje me vajzat, afër liqenit - i thash një ditë dhe vesha rrobat sportive. - Vishu si femër - më tha ai. - Por, po dal në një shëtitje të thjeshtë.

Dua të ndihem e lirë - u ankova. - E, unë dua që të dukesh shkëlqyeshëm. Natyrisht, nëse edhe ti dëshiron që të dukesh e tillë për mua - më tha, duke më provokuar. - Edhe eleganca sportive di të jetë atraktive - reagova, gjë që bëri që ai t'i rrotullonte sytë. Në fund u dorëzova para kërkesave të tij dhe u vesha me rroba "të femrave". Më ishte i paduruar mendimi që nuk isha më atraktive për të. Gjatë muajve në vijim Meti vinte gjithnjë e më vonë në shtëpi. më thoshte se kishte më shumë punë, e unë në fillim i besova. Një rast u sëmur njëra nga vajzat tona, e unë nuk mund ta merrja numrin e tij në celular. Kur thirra në punën e tij, nuk u lajmërua askush. Pas një pritje të gjatë, u lajmërua pastruesja, e cila më tha se aty nuk gjendej askush.

Dukej e hutuar dhe ma la përshtypjen se ajo dinte diçka që unë nuk dija. Më pas pash se të gjithë e dinin atë që unë nuk e dija. Në fillim mendoja se Meti kishte një të dashur, por kjo nuk ishte e vërtetë. Mendova si mund ta dija ku shkonte Meti pas orarit të punës, por më duhej dikush që të përkujdesej për binjaket. Një pasdite të vonë e luta nënën që t'i ruante ato dhe u nisa në adresën e firmës së Metit. Qëndrova në një largësi të denjë dhe pashë Metin sesi dilte pas orarit të punës. Në vend që të hipte në veturë, ai me ngutë u nis kah fundi i rrugës. E përcolla me vëmendje dhe prita derisa u zhduk pas këndit. Nuk m'u desh që të prisja shumë për ta parë sesi hynte në një bastore, aty afër. Ndjeva një shtrëngim në fyt dhe një siklet në bark. Kjo shpjegonte si arrinte ai t'i paguante tërë ato udhëtime dhe fatura astronomike. Mendoja e shqetësuar sa borxhet mund t'i ketë ai. U mbështeta për muri, meqë gjunjët filluan që të më dridheshin. Ajo ditë sikur të ishte uverturë në problemet që pasuan gjatë ditëve vijuese. Kur Meti u kthye atë ditë në shtëpi, haptazi i thash se e kisha spiunuar dhe e kisha parë ku shkonte. Për disa çaste heshti, e më pas i rrudhi supet. (vijon)

(Kosova Sot Online)