Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete djalin e ish-dashnorit (1)

  • E.K /
  • 28 June 2022 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete djalin e ish-dashnorit (1)

- Por, pse kjo? - më giciloi nën brinjë. Do të na vijë "mish i freskët", e bile të përfitojmë pak për këtë. Edhe atë, pas vetëm dy ditësh. Për këtë, duhet të jesh gati. - Ha-ha-ha, sa e marrë që je. Edhe ashtu, ai nuk do të vijë për ne, por në repartin fqinj dhe nuk dua të merrem më me të. - Lëri këto! Vetëm një derë do të na ndajë nga ai - Flutura vazhdoi që të buzëqeshte me djallëzi, derisa shkonte në dhomën e saj. Gjatë tërë ditës më shqetësonte një gjë e tillë edhe pse mundohesha që të mos mendoja as për shefin e ri, e as për të vjetrin.

Më dukej sikur në lukth kisha një gur. Nuk kisha uri dhe vetëm ëndërroja që të fshihesha diku, në ndonjë birë të miut, që të mos dëgjoja më asgjë, as kush nga ku ishte, e as çfarë kualifikimesh kishte. Pasi arrita pasdite vonë në shtëpi, isha e vetme. E ndarë tash e pesë vjet, vajzën e kisha në ndërrimin e pasdites në shkollë. Sikur, të paktën, ajo të ishte në shtëpi, që të merresha me të dhe ta harroja situatën në punë. Nuk kisha as qen, e as mace, sikur të thuhej. Por, për fat, aty ishte TV aparati me teledirigjues dhe, duke shikuar një film komedi për të satën herë, ia dola që t'i relaksoja mendimet.

Kur Kaltrina, vajza ime, erdhi në shtëpi, ishte ora nëntë e mbrëmjes, e unë isha gjysmë e fjetur, respektivisht gjysmë e zgjuar. Mezi këmbeva ca fjali me të. Ajo u mbyll në dhomën e saj, e unë u shtriva në kauç dhe, fatmirësisht, shpejt më mori gjumi. Që të nesërmen tërë ajo mesele me shefat më irritonte më pak. Më kjo temë nuk ishte interesante as në dhomën e duhanit, meqë u paraqitën tema të reja. Por, si për sherr, ditën tjetër erdhi zotëria i ri, Avni, prandaj thashethemet u ringjallën përsëri. Unë ende nuk e kisha parë, vetëm kisha dëgjuar se çka flisnin koleget për të. - Për mua aspak nuk është atraktiv - tha Dëshira, duke turfulluar me hundë. - Këta tipat e bukur, me sy të kaltër më duken aq të ftohtë, të fryrë… - Mos fol marrëzira! - e ndërpreu Andrra.

 Tipi është tërësisht OK. Nuk e ke parë. Unë bisedova me të dhe ai ishte krejt normal, as nuk fryhej, e as nuk ishte i ftohtë. Nuk ka si të jetë më normal. E paragjykon vetëm në bazë të pamjes. Dëshira e shikoi e mërrolur dhe deshi të thoshte diçka, por sikur i ra pishman. Buqja buzëqeshi disi e pasigurt dhe shikonte anash derisa fliste: - Paj, me të vërtetë është i pashëm, këtu nuk ka dilemë. E, nuk kishte as unazë, me gjasë ende është i lirë - tha duke u gajasur sikur një vajzë e shkollës fillore edhe pse ishte në prag të të gjashtëdhjetave, e martuar dhe kishte 30 kg tepricë. - Fakti që nuk ka unazë, nuk d.m.th. asgjë - përfundimisht fola edhe unë. Por, nuk vazhdova më tej, meqë koleget ende bisedonin rreth tij sikur te ne të kishte ardhur ndonjë aktor tepër i njohur i Hollivudit. Më vonë, kur e pashë vetë, pash se ai pa problem mund të shkonte në Hollivud dhe do të dukej sikur "në mesin e të barabartëve" me aktorët më të pashëm amerikanë. Por, nuk ishte vetëm i bukur.

Ai rrezatonte me vetëbesim dhe me njëfarë energjie jetësore. Ishte spontan, normal dhe një mashkull i sjellshëm, duke u përshtatur mirë me rrethin tonë. Shumë shpejt pushoi së qeni temë e thashethemeve dhe u bë pjesë e përditshmërisë tonë. Komunikimi im me të ishte i kufizuar në shikime spontane në kalim e sipër, në "mirëmëngjesi", apo "ditën e mirë". Flutura ishte pak më shumë në kontakt me të, meqë puna ia lypte një gjë të tillë. e, ajo ishte më se e kënaqur me bashkëpunëtorin e ri, meqë në punë, shefi i ri ishte shumë më i mirë sesa ai i vjetri. (vijon)

(Kosova Sot Online)