Bujar Kapexhiu rrëfen momentet e vështira në kohën e diktaturës. Mesazhi për Ramën, Bashën dhe Berishën: ‘Kundërshtari’ i parë i tyre do…

  • 01 April 2019 - 10:22
Bujar Kapexhiu rrëfen momentet e vështira në kohën e diktaturës. Mesazhi për Ramën, Bashën dhe Berishën: ‘Kundërshtari’ i parë i tyre do…

Çdo bisedë me Bujar Kapexhiun është si të jetë e para. Gjithnjë ka diçka të re për të treguar. Përpos historive, pasionit që ka për punën e vet, për karikaturën, ka edhe një optimizëm ngjitës, që ta përcjell përgjatë gjithë ditës.

Sapo ka festuar 75-vjetorin e lindjes. E bashkë me të edhe marrjen e një dekorate të rëndësishme nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta: “Nderi i Kombit”. Këtë gur kilometrik të jetës së vet vendosi ta shënjojë me një tjetër ekspozitë kushtuar ndërkombëtarëve. “Ata janë pjesë e politikës sonë. Ne nuk bëjmë dot pa ta, por me sa duket edhe ata nuk bëjnë dot pa ne”, thotë artisti, që në karrierën e tij të gjatë ka bërë suksesshëm aktorin, regjisorin, ilustruesin, por më së shumti ka qëndruar te karikatura, përmes së cilës ironizon e përcjell mesazhe.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kapexhiu flet për karikaturën, ndërkombëtarët, politikën shqiptare, jep opinionin e tij për zhvillimet më të fundit për t’u kthyer pas, në ato kohëra kur censura e autocensura të detyronin të mos e thoshe deri në fund mendimin tënd. Nuk mund të mos flasim edhe për Festivalin e 11-të të Këngës, i cili u godit ashpër për frymën e tij moderne. Ndër njerëzit që e pësuan ishte edhe Bujar Kapexhiu, prezantuesi që guxoi të dilte në skenë me favorite të gjatë e të drejtonte si kolegët italianë të Sanremos. Për tre vjet, Kapexhiu u detyrua të bëjë beton. Me nota humori e ironie ai tregon se si u “riedukua” nga Partia…

Sapo festuat 75-vjetorin e lindjes, si ndiheni një ditë më pas?

Për mua çdo ditë është e plotë, me punë nga mëngjesi deri në darkë. Është kënaqësi e veçantë që prodhon diçka. Për mua, krijuesit janë të parët, pasi krijojnë diçka nga hiçi, do ta rendisja pas Zotit. Dhe jam i kënaqur që edhe unë jap një kontribut sado të vogël si artist, si qytetar, përmes artit im, përmes karikaturës. Është e rëndësishme që jam i angazhuar në atë që ndodh çdo ditë në Shqipëri dhe sido që të jetë, unë mbaj një qëndrim timin. Është i drejtë ose jo, kushdo ka mendimin e tij. E rëndësishme është që unë jap, por njëkohësisht edhe marr. Marr mendime nga njerëz të ndryshëm, nga mediat, nga politikanët dhe nga përpunimi i tyre unë nxjerr prodhimin tim. Unë kështu e filloj ditën. Marr 7-8 gazeta dhe shoh ku rrahin, cila është tema kryesore që këto media përshkruajnë e analizojnë…, në fund fare unë them mendimin tim origjinal, në përkrahje të dikujt dhe në kundërshtim të dikujt tjetër.

Pse keni zgjedhur të “festoni” me ndërkombëtarët, në një kohë që në majën e penës suaj është e gjithë politika shqiptare?

Ndërkombëtarët janë pjesë e politikës sonë. Ne nuk bëjmë dot pa ta, por shoh që edhe ata nuk bëjnë dot pa ne. Kudo do gjenden ndërkombëtarët: në rrugë, në institucione, në tavolina, aq më tepër që dhe ne po tentojmë të shkojmë në Europë, që të jemi si ata. Ata japin mendimin e tyre sidomos në situata krizash në Shqipëri, që fatkeqësisht po ndodhin shpesh, ndaj dhe ata janë të angazhuar me dëshirën e mirë për të vendosur stabilitetin, që edhe këtu, jeta politike e shoqërore të eci në normalitet. Por jo gjithnjë dhe ata janë efikas, konkretë dhe kontradiktat, që ata kanë vetë, përzihen me kontradiktat e politikës shqiptare apo me eksponentë të caktuar dhe krijohet një lloj deformimi, që çojnë në zgjatjen e periudhave të krizave, duke mos dalë në një zgjidhje afatgjatë, por të përkohshme, e cila shpërthen më vonë, pra janë qetësime artificiale. Qetësia është sipërfaqësore dhe rruga është gropa-gropa.

Historikisht, shqiptarët kanë pasur një ndjenjë inferioriteti karshi të huajve, a është i justifikuar ky qëndrim?

Në kontakte me të huaj ke mundësi të bësh edhe krahasime. Bota ka artistë të mëdhenj, por edhe Shqipëria ka të po atij niveli. Ballafaqimi është mënyra më e mirë për të parë se ku jemi. Jo rrallëherë jemi vlerësuar me çmime. Në fushën time do të vlerësoja një karikaturist shqiptar të nivelit botëror, që është Agim Sulaj. Një karikaturist i jashtëzakonshëm, që është krenari për ne.

Kështu është në shumë fusha të artit, po përse të mos jetë edhe në politikë. Ka politikanë që janë shumë të zotë dhe nuk ka përse t’u përulen të huajve, që herë pas here janë edhe të një niveli mediokër. Po ta krahasosh me një kampionat futbolli, duket sikur Shqipëria është në kategorinë e tretë dhe tenton të arrijë në atë superiore, por në ndeshjet tona edhe arbitrat janë të kategorisë së tretë, mediokër, defektozë dhe këto defekte i përziejnë dhe me tonat dhe merreni me mend se çfarë politike del. Ndaj ka ardhur koha e të rinjve, duke u mbështetur në njerëz të mençur të brezave më të mëdhenj.

Kë do të veçonit si ambasadorin më simpatik apo që vlerësonte më së shumti punën tuaj?

Jam takuar me të gjithë ambasadorët dhe e çmonin shumë karikaturën, por ai që ka qenë më pasionant ishte ish-ambasadori Ettore Sequi, i cili thoshte që sa zgjohej në mëngjes shihte se çfarë bënte Bujari në gazetë, teksa shtonte: “politikën shqiptare e kuptoj vetëm nga karikaturat tuaja”. Ndoshta sepse karikatura është një art konciz, sintezë, nuk ka nevojë për fjalë, kupton diçka në gjithë rrugëtimin e vet..

Por përballë ndërkombëtarëve janë padyshim politikanët tanë, ç’mendoni për ta?

Politika është zgjidhja e të pamundurës, por në politikën tonë ne shohim se jemi lidhur nyje, jo fjongo. Imagjinoni ç’thonj duhet të përdorësh për ta zgjidhur! Aq fort është lidhur, saqë je i detyruar të përdorësh gërshërën. Në këto momente duket se nuk po e zgjidhim dot nyjën dhe duhet gërshëra e ndërkombëtarëve.

Ju e shihni si nyje situatën e tanishme politike?

Po, e shoh që është nyje. Është një moment i vështirë.

Mendoni se veprimet e fundit të opozitës e kanë shtrënguar këtë nyje?

E kanë bërë edhe më nyje. Me përjashtime të vogla, politikanët tanë nuk e kanë zhvilluar institucionin e dorëheqjes. Atë e japin njerëzit e zotë, të sigurt, që e dinë mirë vlerën e tyre. Duhet të japin dorëheqjen që ne të themi: ah, ç’na iku. Nga ana tjetër, duhet të kesh një opozitë këmbëngulëse, dinjitoze. Nuk kam qenë asnjëherë për tërheqjen nga iniciativat, gjoja nga presioni i ndërkombëtarëve. Kjo më kujton çadrën. Në çadër të kishin ndenjur edhe sot e kësaj dite, deri sa të realizoheshin qëllimet, por u tërhoqën dhe ngritën çadra të tjera, që tanimë janë prej betoni. Madje, jemi në një bunker, që nuk dimë se kur do të plasë. Dhe ata që flasin me të madhe për atdheun dhe popullin, të bëjnë të pamundurën, të japin dorëheqjen. Kur je i sigurt në fitore, dorëhiqu, bëj zgjedhje dhe hajde përsëri. Ky është triumfatori!

Duket se po i jepni një këshillë Ramës?

Rama, padyshim është burrë i mençur. Por më bën çudi sepse atij i pëlqejnë sfidat. Por më duket se këtë kokëfortësi nuk e ka për sfidë, por sepse ka frikë me të vërtetë, nuk është i sigurt.

Ndërkaq, ju, opozitën tuaj po e bëni me karikaturë…

Karikaturistët janë gjithnjë në opozitë. Në të kundërt do bënin vetëm lajka dhe lulka. Nëse për momentin duket sikur jam në përkrahje të opozitës, nëse në pushtet vjen Lulzim Basha, “kundërshtarin” e parë do të më ketë mua me artin tim.

Tek e fundit ju këtë keni bërë edhe në kohën e Berishës, si i ka komentuar ai karikaturat që kishin atë subjekt të punëve tuaja?

Asnjëherë nuk i ka mbetur qejfi. Ndoshta në vetvete po, por artistit i ka shprehur gjithnjë falënderime. Unë i kam dhuruar katër vëllime të punës sime dhe ai është mrekulluar dhe e ka vlerësuar si një pasuri të jashtëzakonshme, pasi aty shikon çdo hap që ka hedhur në politikën shqiptare. Dhe bashkë me të edhe një opinion, që është përtej karikaturistit, pasi një karikaturë është një sintezë mendimesh. Është treguar shumë entuziast. Një karikaturë për një politikan mund të jetë e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë. Pasi do të thotë që është një politikan i braktisur.

Por mund të ishte edhe diktator…?

Jo, nuk e besoj. Në diktaturë as mund ta mendoje një karikaturë për politikanët, jo më ta bëje. Sot nuk ka njerëz të tillë, ndonëse kam dëgjuar që ka pasur arrestime karikaturistësh nga Erdogani. Por duhet thënë që ka edhe karikaturistë fajtorë, të cilët i denigrojnë gjërat, e keqpërdorin artin e tyre. Nëse në thelb të saj është e keqja, regresi, racizmi, atëherë arti kthehet në një bombë. Karikaturisti asnjëherë nuk duhet të denigrojë, edhe nëse është kundër. Duhet të jetë një xhentëlmen, që me artin e tij të dhurojë buzëqeshje.

Cili ishte kulmi i kritikës gjatë komunizmit?

Në atë kohë, sigurisht, që në mënyrë direkte goditej imperializmi dhe revizionizmi. Ndërsa për politikën vendase nuk godisnim personin me emër, por në të vërtetë veset e tyre gjithnjë kritikoheshin, si servilizmi, prepotenca, puna e dobët, neglizhenca, korrupsioni, vjedhja. Personazhet ishin të përgjithshëm, kurse sot ka avantazh që mund të përdorësh figura konkrete ministrash apo figura të tjera të politikës.

Kanë ndikuar në punën e karikaturistëve momente të veçanta politike, siç mund të ishte “zbulimi i një grupi puçist”?

Në atë kohë nuk kishte karikatura për këto çështje. Për ne të artit ka qenë një periudhë e errët, e rrezikshme. Ne vetë dridheshim, ne vetë ishim në shënjestër të kritikës së pushtetit. Më e vështira dhe më e tmerrshmja në art nuk është censura po autocensura. Nëse arrin të vetëkontrollohesh, atëherë ke marr fund. Artisti duhet ta thotë mendimin e tij, në të kundërt mbetet gjysmak, sipërfaqësor dhe nuk ka ndikim me mesazhin e tij.

Cilat janë ato momente kur e keni ndier veten më ngushtë, më në vështirësi..?

Në jetën time kam kaluar shumë momente të vështira, por sigurisht ato më të rëndat janë kur e pëson. Kur shoh sot vizatimet që kam bërë dhe janë botuar, nuk të besohet se kanë dalë pikërisht në atë kohë. Edhe unë vetë nuk e besoj dot. Ne luftonim abstraksionizmin, kubizmin çdo gjë me “izma” dhe unë punët e mia i bëja pikërisht me “izma” dhe ata thoshin: i ka bërë kështu, sepse kritikon “ata”. Dhe kur i shoh sot kam bërë surrealizëm, kubizëm, abstraksionizëm. Sot e kam tepër të vështirë t’i bëj ato. Ndoshta jam ngurtësuar, sepse sot nuk kam as rini… Ishte me të vërtetë guximi i rinisë. Me vite të largohen ato momente, emocione të asaj kohe.

Edhe sot ju kujtoheni si një i ri modern, që bënit dallimin asokohe, ku i merrnit modelet në Shqipërinë e izoluar?

Mundoheshim në ato kohë. Këto lindnin nga biseda me njerëz që shkonin jashtë, sidomos sportistë, që sillnin ndonjë gjë fshehur, ndonjë revistë, ndonjë palë pantallona, ndonjë xhaketë, ndonjë palë këpucë.. Por ishte edhe kontakti me televizionin, që shihej direkt ose me kanoçe. Na pëlqente mënyra se si ata visheshin, si i mbanin flokët, me favorite të gjata… Dhe, po të shohësh Festivalin e 11-të, ne jemi paraqitur në një mënyrë shumë moderne për kohën, me favorite të gjata, me veshje të bukura dhe nuk kishim asnjë ndryshim nga ana vizuale me çka shihnim në festivalet italiane, “Canzonissima”, “Sanremo”, etj.. Dhe për këtë edhe u kritikuam.

Nga buronte kjo liri që i dhatë vetes? 

Në vitet ’70 ne ndienim në eter një erë të lehtë liberalizimi, modernizmi, po ndiheshim si më afër botës, si ata. Por, me sa duket, ishte një erë false, ose e improvizuar nga organe të ndryshme për të na kapur ne në gracke. Dhe ne ramë në këtë grackë, sepse ishte dëshira, pasioni, e bukura, origjinalja që na tërhiqte. Ishte si ajo molla e ndaluar, që na tërhiqte… dhe e pësuam.

Një festival që u prit shumë mirë nga publiku, që në një farë mënyre pa në atë skenë atë që dëshironin, por që u dënua nga pushteti. Çfarë ndodhi?

U prit në mënyrë të jashtëzakonshme, me shumë lëvdata. Po, njerëzit panë atë që dëshironin, panë që ishte vlerë. Këngë të bukura, veshje të bukura, me një mënyrë komunikimi krejt ndryshe. Mirëpo, pastaj ndodhi ajo që ndodhi… Arti u vu në shënjestër. Pas Plenumit IV, u konsiderua e papranueshme, borgjeze, regresive, jo art socialist, kënga pa parti, por për dashurinë, për jetën… Këto binin në kundërshtim me frymën e kohës. Ca edhe u zmadhuan… Pati një sulm të jashtëzakonshëm ndaj organizatorëve, ndaj gjithë atyre që morën pjesë në realizimin e këtij aktiviteti në atë formë. Përveçse ishte e organizuar nga Partia, ishin të paaftët ata që u ngritën kundër të aftëve. Çuditërisht, në atë kohë, të gjithë të paaftët ishin komunistë. Nëse ishe i paaftë në punë, hyje në Parti. Dhe po t’i marrësh me emra, të gjithë ishin komunistë.

Cilët ishin më agresivë ndaj këtij aktiviteti?

Ishte direktivë e Partisë dhe në mënyrë zinxhir u hap edhe në bazë. Kishte edhe shumë të zellshëm. Filluan njerëz që të tregonin para Partisë se sa të devotshëm ishin. U shkruan artikuj të çuditshëm, ngriheshin në mbledhje njerëz që deri në atë kohë ishin të padukshëm. Duke na goditur ne, u bënë të dukshëm para Partisë. Dhe pikërisht këta njerëz filluan të zënë poste, sepse u larguan të aftët, organizatorët, “liberalët”, dhe vendin e tyre e zunë këta të paaftë. U bënë regjisorë, inspektorë, drejtorë… Qe një “zbulim” i madh, një “gurgullimë” e paparë e këtyre njerëzve, të cilët brenda ditës u bënë “të aftë” dhe nisën të drejtojnë.

Cilat ishin pasojat për ju?

Unë isha me fat në atë kohë. Edhe pse isha në listën për t’u arrestuar, pata shansin që më çuan disa vjet për punë të rëndë, por miqtë e mi patën fat edhe më të hidhur, i burgosën. E pësuan regjisorë, këngëtarë, piktorë, arkitektë… Zgjodhën të aftët për t’i bërë shembull, për të thënë që “ne kur fusim në burg këta, juve nuk ju kemi asgjë…”.

Ku ju çuan?

Më çuan në kombinatin “Josif Pashko” dhe punoja te tubat e betonit. Bëja tuba betoni. Fatmirësisht, jam marrë me sport. Duke qenë i ri dhe i fuqishëm e përballoja mirë atë punë, madje me një kolegun tim morëm iniciativë, që punën e katër vetëve ta bënin dy vetë. Pra, isha punëtor i dalluar.

Sa kohë punuat atje?

Qëndrova tri vjet. Mjaftueshëm për t’u edukuar. Pastaj, unë dhe në familje, dhe në shoqëri, isha një djalë i edukuar. Partia më riedukoi. Nëse më kishin çedukuar studimet, literatura e huaj, konceptet e fituara nga televizionet e huaja, modernizmi, etj., Partia i shkatërroi të gjitha këto në mendjen time dhe më bëri një “artist socialist”. Më thanë që nuk duhet të vizatoja më në atë formë.

Unë nuk vizatoja në mënyrë të rrumbullakosur. Edhe kokën e bëja kuadrat, edhe trupin… Nuk kishte harqe, vetëm qoshe… Dhe si “njeri me qoshe”, Partia më “zdrugoi”, më “harkoi” dhe unë nisa të vizatoja me harqe. U bëra më i latuar, më i rrjedhshëm, më i gatshëm ndaj mësimeve të Partisë. vijon…

(Kosova Sot)