
Marie Zojzi Deda- një jetë e flijuar për liri dhe dinjitet

Shkruan: Msc.Kristinë Oroshi
Historia e grave shqiptare është histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi ndaj lirisë. Në çdo kohë dhe rrethanë, ato kanë qenë shtylla të qëndresës kombëtare, duke mos u përkulur përballë padrejtësive. Sidomos gjatë regjimit komunist, një periudhë e errët që shkaktoi vuajtje të pamasë, gratë shqiptare u shndërruan në simbole të dinjitetit dhe rezistencës. Me shpirt të pathyeshëm, ato sfiduan frikën,duke ruajtur vlerat dhe u bënë ze i fuqishëm, i lirisë.
Një autor i panjohur me të drejtë thotë: “Historia ka treguar se gratë që luftojnë për liri nuk vdesin kurrë; ato jetojnë në kujtesën e një kombi të lirë.”
Marie Zojzi Deda, ishte e bija e Shtjefën dhe Pina Zojzit e lindur në vitin 1916 , në një familje fisnike shkodrane. Rruga për emancipim , zhvillim dhe kulturë e familjes së saj do ta çonte në bankat e shkollës së Motrave Stigmatine duke u edukuar edhe me ndjenjat dhe besimin fetar si anëtare e shoqatës “Bijat e Zonjës”. Sipas të afërmëve të saj, ajo lexonte shumë shkrime fetare dhe patriotike të At Gjergj Fishtës, At Vinçenc Prenushit etj., duke u brumosur me ide atdhetare dhe patriotike, me ndjenjën e bukur të lirisë, me dëshirën e madhe për të jetuar e lirë dhe me besimin tek i madhi Zot, shkruan në librin “Bijat e Rozafes, gra të shquara të hapësirës shkodrane “ studiuesja Zenepe Dibra .
Familja Zojzi ka luajtur një rol të rëndësishëm në kulturën dhe historinë shqiptare, duke dhënë një kontribut të çmuar në fusha të ndryshme. Marie Zojzi Deda ishte motra e etnografit dhe studiuesit të njohur Rrok Zojzi, i cili i kushtoi jetën kërkimeve mbi traditat dhe kulturën popullore shqiptare. Ajo ishte gjithashtu kushërira e inxhinier Ludovik Zojzit, arkitekt i varrezave të Rrmajit në Shkodër dhe një profesionist i talentuar në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës. Inxhiner Ludovik Zojzin e vranë forcat komuniste në Tiranë pa gjyq më 15 shtator 1943.Kjo familje, e rritur me vlera të forta atdhetare dhe intelektuale, ka lënë një trashëgimi të vyer në historinë e vendit.
Në familjen e njohur të Dedëjakupëve, Maria martohet me Pjetër Shan Dedën. Nga kjo familje atdhetare e me tradita të qytetarisë shkodrane kanë dalë intelektualë të shquar, duke kontribuar në lëmi të ndryshme: si klerikë, tregtarë, zyrtarë, oficerë dhe mësimdhënës.
Kështu pra, kur erdhi regjimi i egër komunist, tek kjo shtëpi fisnike, atdhetare, e pasur dhe me kulturë, do të gjente një ndër objektet ma të plotësuem për luftën e vet. Plot dhjetë burra të kësaj shtëpie do të bishin viktimë , prej të cilëve gjashtë, përfshirë edhe një femën, do t'u vritshin, ose të vdisëshin ndër tortura, kurse katër të tjerë, të vuejshin vite të shumta burgu e internimi. Dhe i gjithë ky gjenocid i tmerrshëm mbi një familje të vetme, mbi një shtëpi që, në mënyrë të mrekullueshme, kishte pasur kombinue traditën me emancipim shoqëror,- thotë autori Ahmet Bushati, në librin e tij:“ Në gjurmët e nji ditari:Shkodra në tri vitet e saj të parë nën komunizëm në sigurim ndër burgje dhe kampe“.
Maria, ishte një vajzë e dashur dhe fisnike, u rrit në një familje me vlera të forta heroike duke mos u trembur përballë sfidave, atdhetare duke e dashur dhe mbrojtur vendin e vet , fetare duke qëndruar besnike ndsj besimit dhe parimeve shpirtërore , dhe liridashëse duke luftuar për lirinë dhe të drejtat e të gjithve. Këto parime u thelluan edhe më shumë kur u bë pjesë e familjes Deda, ku ndjenjat atdhetare dhe besimi fetar ishin të rrënjosura thellë.
Për këtë arsye, më vonë, familja e saj do të përballej me një persekutim të egër nga regjimi komunist, i cili mori përmasat e një krimi të rëndë njerëzor ku Keli dhe Koleci vdiqën në hetuesi bashkë me nipin e tyre Simon Daragjatin. U pushkatuan dy vëllezërit Dom Nikolla dhe Gjushi ndërsa Lini, Guljemi, Zefi, Toni, Deda dhe Shani u dënuan me 30 vjet burg dhe 48 vjet internim.
Si njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Postribës, Pjetër Shan Deda luajti një rol kyç në këtë kryengritje sepse e mobilizoi popullin e zonës së Gurit të Zi. Pas shuarjes së Kryengritjes së Postribës, regjimi komunist ndërmori masa të rrepta, duke përfshirë arrestime, ekzekutime dhe burgosje të pjesëmarrësve. Familjet e tyre u persekutuan me konfiskime pasurish dhe ndalime në arsim e punësim. Kjo periudhë shënoi shtypjen e çdo kundërshtimi ndaj regjimit.
Maria ishte një grua që kurrë nuk u përkul përballë padrejtësive. Por as dhuna, as kërcënimet nuk e thyen shpirtin e saj. Së bashku me bashkëshortin e saj, Pjetër Dedën, ajo iu bashkua rezistencës kundër regjimit, duke u bërë simbol i qëndresës së pamposhtur. Ata gjetën strehë mbi fshatin Rragam, në vendin e quejtun “Hija e Madhe” në Meshkallë. Për tre muaj në lagështi e në të ftoftë, të ndjekun çdokund prej Sigurimit, u mbështetën nga fshatarët trima të asaj zone.
Rezistenca heroike dhe vrasja e Marie Zojzi Dedës bashkë me burrin dhe përcjellësin e tyre
Rreth vrasjes kanë qarkulluar disa versione por verzioni më i detajuar është ai i studiueses Fatbardha Saraçi Mulleti e cila kur e përshkruan qëndresën dhe vrasjen e Marie Zojzi-Dedës do të paraqet këto argumente: “ Burrë e grua gjetën strehë në vendin "Hija e Madhe" në fshatin Mëshkallë. Për tre muaj me rradhë jetuan në lageshtire e në te ftohtë, te ndjekur kudo nga sigurimi i shtetit komunist... U mbështetën dhe u ndihmuan nga fshatarët e zones. Në një ditë dhjetori, me tradhëti zbulohen. Pylli rrethohet. Ishte ora katër e mëngjezit. Terr. Ndriçonte pak sa drita e hënës. Rrethohen, ndihen krismat e pushkëve dhe Maria mbetet e shoshueme nga plumbat e sigurimsave. Burri i saj Pjetri plagoset rëndë dhe vdes, mbetet varrhumbur, ndërsa kufoma e Maries nuk iu dorëzue familjes dhe s'u lejua te varrosej në varrezat e fshatit. Shtëpia e saj e perjetshme u be pylli, ai e struku persëri... “
Edhe sigurimi komunist per vrasjen e heroines Marie Zojzi Deda e pranon faktin se ajo është vrarë në përpjekje me forcat komunste. Në këtë raport Major Mihallaq Ziçishti në shkresën dërguar Komandës së Sigurimit,në Tiranë njoftoi: "Në ora 5 të natës së sotme forcat e këtij qarku rrethuan dhe kapën kriminelët e arratisur Pjetër Deda dhe Gaspër Zefi, të dy nga Shkodra, në kodrat e katundit Rragam. Gjatë perpjekjes, ka deklasua për arsye politike. mbetur e vrarë Maria, e shoqja e Pjetër Dedës." F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 639. Arkivi i MB, Fondi DMP, v. 1946 D. 62. Edhe studiesi Fritz Radovani një intelektual shkodran verzionin e vrasjes e spjegon përafërsisht njejtë. Në shkrimin e tij: “ Po kur të marohen burrat“ e sqaron në këtë mënyrë vrasjen: “Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë detyrë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhjetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme... doli nga çadra e vendosun prej Pjetrit në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marie, se nuk të vrasim!”... Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena....!”, nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve... Po, gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna rreth asaj çadre gjatë natës, e rrëzuen përdhe... “
Nata e Shën Kollit dhe kulti i rezistencës në trojet shqiptare
Shën Kolli është një festë tradicionale katolike shqiptare e cila festohet në shumë familje shqiptare. Rreth kësaj feste kanë ndodhur shumë ngjarje por edhe rezistenca kundër pushtuesve osmanë siç është rasti i Ndoc Mark Gegës ku kënga popullore shqiptare tregon qartë se atdhetari Ndoc Mark Gega nuk ishte lanë i qetë që të festoj natën e Shën Kollit por ishte rrethuar nga policët e Qaushit ku në këngë nder të tjera thuhet : “ Dul Ndoc Marku në derë të oborrit/ndihmo Zot Qiri i Shën Kollit,/ natë e madhe ka qëllu/ prej Qaushave gjallë me pshtu./ “ Historia tregon se Ndoc Mark Gega ishte i detyruar që në natën e Shën Kollit të bëj luftë heroike dhe ta vret Qaushin me ushtrinë e tij që e kishte rrethuar duke u ndihmuar edhe nga baba i tij. Për fyerjet dhe sharjet që bëheshin në këtë natë të Shën Kollit na tregon edhe rasti i vrasjës se Brahim Ages së Anadollit që po e shante natën e Shën Kollit.Në këtë rastë trimit Qerim Delisë si mbetët gja tjetër përveç që fillimisht të siguroj ushqimet e familjes për festën e Shën Kollit dhe me pas ti jep plumbin ballit Brahim Agës së Anadollit por që kishte një brengë se i kishte mbetë Pasha marak që nukë i kishte dhënë edhe atij plumin ballit.Të njejtin veprim sikurse pushtuesit turq e kishin kryrer edhe pushtuesit komunistë. Në këtë rast Zoji Themeli, Togër Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi , Zenel Cani e Major Mihallaq Ziçishti qe kishin organizue rrethimin dhe të pafetë e tjerë komunistë që i kishin ra mohit e atdheut e rrethojnë dhe në pabesi i vrasin tre atdhetarët shqiptarë pikërisht në natën e Shën Kollit. E Pina nëna e Marie Zojzit,kur ndëgjoj për këtë lajm tragjik ajo nanë e shkretë, në atë moment të vështirë në familjen e saj, gjeti forcë me iu thënë katër fëmijeve, të shtangur nga lajmi: "Të lutemi, vetëm të lutemi, mos qani, Marien e ka thirrë Shën - Kolli, në bahçen e vet." Tamam si në epopetë e maleve tona. Varri i Maries i braktisur prej komunistëve, por shumë i afërt për fshatarët hallemëdhenj, u hijëshua nga një rrasë shtufi, ku një bari skaliti fjalët: " Vdiq besnike Marie Shtjefën Zojzi. " Nuk ishte shënim i zakonshëm - Ishte thirrje për kujtesë:
"Një gjysëm shekulli gati shkoi,
Por atë varr kush se harroi
Kush kalonte aty pari
Vuni lule e degë lari." do të shkruan në studimin e saj studiueusja Fatbardha Saraçi Mulleti në përshkrimin " Kalvari i grave në burgjet e komunizmit".
Pra,më 6 dhjetor të vitit 1946, pas disa muajsh përndjekje dhe sakrifice, ajo dha jetën në një përpjekje tragjike, por nuk e dorëzoi kurrë shpirtin e saj të lirë. Historia e saj dhe e shumë grave të tjera shqiptare mbetet dëshmi e forcës dhe guximit të pashoq – një frymëzim për brezat që vijnë.
E poeti do t´u kushtoi vargje këtij heroizmi të burrit dhe gruas që nuk u dorzuan por se bashku qëndruan deri në vdekje:
" Së bashku në luftë ata ranë;
Me pushkë drejtue barbarit.
Ma e ambël asht vdekja”, thanë,
Se gjallë dorëzue tradhtarit.“
Këto vargje popullore, që u krijuan pas 6 dhjetorit 1946, pasqyrojnë sakrificën sublime të Marie dhe Pjetër Dedës. Ata e dinin se liria është e shtrenjtë dhe e papërkulshme, prandaj e dhanë jetën për të, duke mbetur të pavdekshëm në zemrat e atdhetarëve. Kjo kujtesë e nderon sakrificën e tyre dhe do t’i mbajë gjithmonë të gjallë, si simbole të luftës për liri dhe dinjitet.
Rikthimi i heroinës
Shpeshherë në histori heronjtë dhe heroinat e vërteta nuk shkojnë varr humbur ato ngjallën nga dheu dhe bëhen frymëzim për brezat e rinj. Marie Zojzi Deda u bë frymëzim për besnikëri ndaj tokës së atdheut ,u bë frymzim për besnikërinë ndaj burrit dhe u bë frymëzim për luftën kundër te keqës. Varri i saj u ruajtë për 45 vjet në fshatin Meshkallë. Besnikët e varrit të Marie Zojzi Dedës dhe të gjithë fshatrave të Sheldisë , Rragamit, Gurit te Zi, Jubanit etj., ju bashkuan karvanit të qytetarve shqiptarë që me dinjitetin e një heroine po rikthehët për tu varrosur në varresat e Rrmajit. Në këto varresa ku pushojnë eshtrat e shumë atdhetarve,intelektualve dhe shumë ikonave te shqiptarizmës. Heroinat nuk vdesin ato përjetësohen.Vepra e tyre është një kandil që ndriçon rrugët e lirisë dhe tregon qartë se trupi mund të vritet nga plumbat shpirti shkon në qiell mirpo ideali për liri pavarsi shtet e dinjitet kombëtarë do të mbetët i shënuar në historinë tonë shqiptare.
Literatura
1. Zenepe Dibra,“Bijat e Rozafës gra të shquara të hapësirës shkodrane“, Camaj- Pipa,Shkodër, 2004 , fq. 88-89;
2. Fatbardha Saraçi -Mulleti,“Dhimbje 2“,shtëpia botuese “ Ilar “ Tiranë, 2008,fq.215-217;
3. Fatbardha Saraçi Mulleti, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit“, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit,Tiranë,2017,fq.12-13;
4. Hamdi Bushati,“Shkodra dhe motet “Vëllimi i II-të ,Shkodër 1999“ , shtëpia botuese “Indrumrno“; fq.153,268;
5. Ahmet Bushati, “ Në gjurmet e nji ditari:Shkodra në tri vitet e saj të parë nen komunizëm në sigurim ndër burgje dhe kampe “, Camaj- Pipa, Shkodër, 2001 ,fq.131-134;
6. Fritz Radovani-Zemra Shqiptare.net
7. F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 639. Arkivi i MB Fondi DMP, v. 1946 D. 62.;
(Kosova Sot Online)