KONFERENCA E BUJANIT DHE REZOLUTA IDEOLOGJIKE PËR VETËVENDOSJE

  • A.P /
  • 02 January 2025 - 10:27
KONFERENCA E BUJANIT DHE REZOLUTA IDEOLOGJIKE PËR VETËVENDOSJE

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Konferenca e Bujanit, e mbajtur nga 31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944, paraqet një ngjarje të rëndësishme nga lufta antifashiste nacional-çlirimtare. Konferenca u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshit të Dukagjinit, ku morën pjesë 49 delegatë (43 shqiptarë, tre serbë, dy malazias dhe një turk) që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj të rreshtuara në kuadër të Frontit Antifashist Nacional-çlirimtar të Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar), ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar), Xhevdet Doda (anëtar).

Në fund të punimeve, Konferenca e Bujanit doli me një proklamatë politike rreth detyrave të këshillave nacional-çlirimtarë në kuadër të frontit të përbashkët antifashist. Në një pasus, në formë të përgjithësuar përshkrues, thuhet:

"Kosova dhe rrafshi i Dukagjinit është nji anë, e cila popullohet në pjesën ma të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndjejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshi i Dukagjinit, asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë”.

Konferenca e Bujanit si dhe proklamata politike, me pasusin "për dëshirën për bashkim", duhet parë si një koncept ideologjik të të majtës shqiptare, të dirigjuar nga komunistët jugosllavë, që në njërën anë kishte për qëllim kundërvënien krijimit të shtetit shqiptar që doli nga raportet që lidhnin në kuadër të fuqive të boshtit në tetor të vitit 1943, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Dytë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që anuloi okupimin e Shqipërisë nga fashistët italianë dhe riktheu pjesën më të madhe të tokave shqiptare të pushtuar nga serbët, grekët dhe malaziasit në vitin 1912. Dhe, në tjetrën anë, proklamimi i natyrës ideologjike, kishte për qëllim që ta pengojë konfirmimin e idesë së bashkimit shqiptar në kuadër të koncepteve demokratike, siç i parashihte edhe Karta e Atlantikut, për të cilën u angazhua NDSH-ja dhe forcat tjera nacionaliste sado të shkapërderdhura gjatë dhe mbas luftës, të cilat dështuan ngaqë u mungoi përkrahja e Perëndimit, meqë në Konferencn e Jalltës, në marrëveshje me Stalinin dhe ndarjen e re të sferave të interesit, Ruzvellti dhe Çerçilli ishin pajtuar për ruajtjen e Jugosllavisë së Versajës nën formatin e AVNOJ-it, të imponuar nga Titoja. Kjo u pa më së miri me zhvlerësimin e saj, në Konferencën e Prizrenit, më 10 korrik 1945, kur koncepti i “luftës së përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë”, pasi që forcat partizane jugosllave të kenë depërtuar në Kosovë, me pajtimin e Enver Hoxhës me Titon në nëntor të vitit 1944 dhe, në rrethanat e një shtetrrethimi dhe të gjendjes së luftës, nën pretekstet e shfaqjes së “kundërrevolucionit”, t’i kenë qëruar hesapet me të gjitha forcat patriotike që luftuan aleancën komuniste shqiptaro-jugosllave, siç ndodhi në Drenicë, Tivarë dhe gjetiu, ku u vranë rreth 50 mijë shqiptarë. Pra aleanca ideologjike midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, solli ripushtimin e Kosovës, ndërsa “e drejta për vetëvendosje”, gjithnjë sipas kutit ideologjik, do të kthehet në “deklarim për bashkim me Serbinë”!

Edhe përkundër epilogut tragjik, formula ideologjike e bashkimit shqiptar, e inspiruar nga proklamata e Konferencës së Bujanit, vazhdoi të shfaqej edhe në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta e deri vonë, e rinkarnuar në iredentizëm ideologjik, anipse kërkesa për Republikën e Kosovës, e kishte zhvendosur nga binarët e legjitimitetit politik në të cilët do të vendosej procesi i shtetndërtimit të Kosovës, i cili do të përmbyllet më 17 shkurt 2008.


(Kosova Sot Online)