Zbulohen dokumentet, si u pushkatua në ‘89 për korrupsion beu i Saukut, mik me ish-Presidentin

  • 12 April 2019 - 13:24
Zbulohen dokumentet, si u pushkatua në ‘89 për korrupsion beu i Saukut, mik me ish-Presidentin

Ishte mesnata e 20 korrikut të 1989-s kur u ekzekutua Nazif Tuga, i njohur ndryshe si Beu i Saukut.

Me të u provua një goditje e befasishme. Ata që ngritën skemën e operacionit, e kishin përzgjedhur viktimën për një bujë jo të zakonshme. Atëherë kur Nazif Tuga kishte arritur shkëlqimin e vet me emrin e mirë që kishte bërë mes njerëzve të thjeshtë, madje edhe te një pjesë e zyrtarëve të kupolës së oborrit shtetëror, do të përballej me skuadrën e pushkatimit.

Djaloshi që qëlloi Beun e Saukut do ndihej ngushtë të nesërmen kur të prekte dhimbjen, me të cilën Tirana do ta përjetonte lajmin për vrasjen e mistershme. Plumbat e tij kishin lënduar zemrat e qytetarëve të zakonshëm që në heshtje e fshehurazi mallkonin dorën që kishte qëlluar mbi të.

Këtë radhë brenga e pushkatarit do të bëhej më ngacmuese, jo nga frika e identifikimit, pasi aksioni ishte realizuar në shkallën më të lartë të sekretit, por nga kompleksi i fajësisë që kishte këputur në mes jetën e një njeriu vetëm në emër të një urdhri. Kompleksin e tij e përjetonin më tej edhe dhjetëra të tjerë, që kishin vënë firmën në atë mision special për ekzekutimin e Beut të Saukut.

Shkëlqimi dhe venitja e Beut të Saukut

I ekzekutuari në mesnatën e 20 korrikut ’89, shkoi deri te ditëvdekja e bujshme me një jetë të thjeshtë e modeste. I lindur në një familje të madhe në Petrelë të Tiranës, Nazif Tuga kishte spikatur qysh në rininë e parë për frymën vëllazërore dhe shpirtin human në gjirin e shokëve dhe të njohurve. Nëse hallet e jetës nuk i mundësuan shkollimin si e ëndërronte, këtë e kompensoi më vonë me përpjekje dhe angazhime të shumta në jetën shoqërore dhe kontakte të përditshme me njerëz të ditur.

Në rrugëtimet e shumta përtej fshatit të lindjes, Nazif Tuga do të shumëzonte dita-ditës rrethin e shokëve dhe do t’u përkushtohej shpirtërisht deri në çastet e fundit. Veçanërisht periudha e shërbimit ushtarak i kishte falur të tjera miqësi që do ta mbanin për vite të tëra në lëvizje të shpeshta sa në jug e në veri për të qenë i pranishëm në dasmat e shokëve të uniformës, në lindjen e fëmijëve, e deri te rastet e fatkeqësive. Me karakterin e njeriut babaxhan dhe dashurinë e sinqertë për njerëzit, Nazif Tuga kishte bërë emër edhe përtej zonës së tij.

Jeta e vrullshme përballë vështirësive të shumta dhe kufizimeve të kohës kishin daltuar në personalitetin e njeriut që më vonë do ta thërrisnin Beu i Saukut, ndjenjën e humanizmit dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur të tjerëve me fisnikëri dhe zemër të bardhë. Pikërisht për këto cilësi kishte fituar respektin e të njohurve, por edhe vlerësimin e autoriteteve të kohës, njëherazi dhe anëtarësimin në Partinë e Punës qysh në moshë të re. Nazif Tuga ishte bërë dhëndër me një dasmë të madhe e me të ftuar të shumtë aty në shtëpinë e thjeshtë, përmbi çezmën e fshatit Petrelë.

Në rrjedhën e viteve pastaj do të provonte për shtatë herë gëzimin e babait pas lindjes së fëmijëve, të cilët i deshi më shumë se jetën e vet. Pesë vajzat dhe dy djemtë do të rriteshin nën përkujdesjen e tij, njëri më i mirë se tjetri. Spikatja e tyre në radhët e shokëve, veçanërisht për sjellje shembullore ishte vilajeti i Lalës, siç thoshte ai, i dehur nga lumturia që të fal mbarësia e fëmijëve.

Po Nazif Tuga më shumë se vetes këtë mrekulli ia dedikonte të shoqes, Mahmudes, që diti t’i rrisë e t’i orientojë nga virtyti mes halleve e mundimeve të shumta. Më shumë se bashkëshorte, për Nazifin ajo ishte një shoqe e mirë dhe bujare, që nuk u lodh kurrë me sofrën e shtruar për miqtë dhe shokët që ai sillte çdo natë në shtëpi e ndante me ta një kafshatë bukë e një gotë raki.

Jeta e tij do të rridhte kësisoj ndanë halleve e tallazeve të kohës me thjeshtësinë e njeriut që gjithçka nga vetja ua vinte në shërbim të tjerëve. E teksa investohej natyrshëm për më shumë humanizëm dhe solidaritet, Nazif Tuga nuk u qederos fort për privilegje e salltanete. Të vetmin komoditet që kërkoi në periudhën që iu rritën fëmijët, ishte shtëpia e re në Sauk, pak më e gjerë se ajo e prindërve në Petrelë. Po fati e deshi që mos t’i gëzohej për shumë kohë banesës së ngritur me lekët e shtëpisë së vjetër, aty nga mesi i viteve ’80. Një tjetër strehëz i kishte rezervuar fati më tej, një strehëz të ftohtë, të ngushtë, shumë të ngushtë e pa dritë. Banor i saj do të ishte vetëm një vit, për të kaluar mandej në banesën e përjetshme…

E papritura te kafe “Partizani” mbrëmjen e 22 korrikut ’88

Përditshmëria e Nazif Tugës te Magazina e Grumbullimit në Mullet fillonte me kafen e mëngjesit në qytezën e Saukut dhe përvijonte me orët e ngjeshura të punës për të marrë në dorëzim produktet e blegtorëve të zonës, ku pjesën më të madhe e zinin lëkurët dhe leshi i të imtave. Në mbrëmje pastaj rikthehej te bari i preferuar dhe në shoqërinë e të njohurve kthente ndonjë gotë raki. Ndodhte shpesh që pasditet t’i kalonte në qytetin e Tiranës në përgjigje të ftesave të miqve të shumtë. Kishte sakaq raste që e detyronin ta prishte këtë rregull, gjithnjë me zgjedhjen e tij, po çdo herë për arsye dhe rrethana specifike. Krejt tjetër ka qenë ajo që i ndodhi pasditen e 22 korrikut 1988.

I çuan lajmin se e kërkonte drejtori i ndërmarrjes për një mbledhje në Tiranë, tregon Iliri, djali i vogël i tij, dhe u nis shpejt e shpejt për aty. Teksa pinte kafe me drejtorin te bar “Partizani”, e thirrën te dera e lokalit dhe aty i hodhën prangat. Nga ky moment, Beu i Saukut do të ishte një i burgosur, një i akuzuar për vepra me rrezikshmëri të lartë. Qysh atë mbrëmje shtëpia e tij u përball me një bastisje të jashtëzakonshme.

Me një bujë të jashtëzakonshme u përhap lajmi se organet e Sigurimit kishin hedhur në pranga një të pandehur të rëndësishëm. Po furtuna nuk do të mjaftonte vetëm me të. U arrestua po ato ditë dhe Mahmudeja, bashkëshortja e tij, u pushuan nga puna fëmijët e vëllezërit, u përgatit familja për internim. Mbi 40 shokë e bashkëpunëtorë të Nazifit do të provonin brutalitetin e kërcënimeve gjatë hetimeve në birucat speciale të Burgut të Tiranës.

Ditë e net të tëra grupi special do të punonte me ngulm për të sjellë mbi tavolinën e drejtësisë shifrat marramendëse, që Nazif Tuga duhej t’i kishte rrëmbyer arkës së shtetit nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, sipas tyre. Armata e ekspertëve të besuar, e thirrur këtë radhë nga rrethet, për 12 muaj hulumtoi dosjet voluminoze të 40 viteve të magazinës së Mulletit, deri sa sollën në dosjen e hetuesisë gjetje që e akuzonin për sabotim të ekonomisë socialiste dhe shpërdorim të të hollave gjatë ushtrimit të detyrës.

I vendosur nga akuza në kreun e një grupi me 30 vitë, Nazif Tuga duhej të përgjigjej për një vepër penale që asokohe cilësohej si krim kundër shtetetit. U shpjegua e rishpjegua disa herë me përgjërim para hetuesëve, madje pranoi haptazi: “Nuk e diskutoj që kam bërë gabime, kam patur të meta, kam krijuar diferenca në llogari, por asnjëherë me ndërgjegje.

Sa për sabotim as që bëhet fjalë, kë do sabotoja, bukën e fëmijëve, do nxirrja sytë e tyre me duart e mia. Jo, jo, kjo nuk shkon për mua…” Pastaj, do të vinte radha e gjyqit, e seancave maratonë që zgjatën pesë ditë me radhë në mjediset e kinema “Dajtit”. Tashmë procedurat ishin kopsitur mrekullisht dhe njeriun e korrupsionit e priste vetëm verdikti përfundimtar. Arroganca dhe agresiviteti i trupit gjykues, më shumë se për të pandehurin, adresonin një mesazh presioni e tundimi për të pranishmit e shumtë të sjellë në sallë në forma të ndryshme. Tanimë nuk bëhej fjalë për fatin e Nazif Tugës, por për mësimet që duhej të nxirrnin të tjerët nga ky gjyq premierë.

Nëse viktimë ishte zgjedhur një emër i njohur e një figurë popullore, kjo kishte të bënte me efektin sa më tundues që kërkonte të ngjallte shteti e partia shtet te të tjerët që vegjetonin në rropatjen e ditëve kur diktatura përjetonte momentet e fundit të saj. Më shumë se kaq, kryqëzata ndaj Beut të Saukut vinte si një shuplakë për ndonjërin nga miqtë e tij në rangjet e larta të shtetit. Ishte koha kur kishte filluar tërmeti në radhët e kupolës. Mirëpo, dora që kishte projektuar misionin e goditjes nuk do ta ruante deri në fund durimin e vetëpërmbajtjen, por do të nxitonte për ta finalizuar sa më shpejt.

Në këtë nxitim, Nazif Tuga do të dënohej me vdekje për shpërdorim detyre, e me po këtë nxitim do të ekzekutohej, duke shmangur madje edhe procedurat ligjore të kohës. Gjithsesi, ai e priti me qetësi vendimin e pushkatimit, kujtonte Mahmudeja, bashkëshortja e Nazifit, që ka ndërruar jetë para disa kohësh. Vetëm dy fjalë tha kur ia komunikuan atë në sallë. Tani bëni ç’të doni, po më të rëndë se ky pushkatim përpara këtyre njerëzve nuk ma do mendja se do të ketë tjetër. Vetëm kaq tha dhe u ul duke ndërprerë çdo lloj komunikimi me trupin gjykues dhe sallën.

Beu tjetër që njohën njerëzit e thjeshtë

Ata që fiksuan emrin e Nazif Tugës në librat zyrtarë me etiketën e njeriut të korruptuar, abuzuesit dhe funksionarit shtetëror që shpërdoron detyrën për interesa personale, menduan se me këtë alibi në adresë të tij, ngritën një Bej, që do ta urrenin të gjithë, krijuan një precedent, që do të fustronte shumëkënd që e kishte njohur dhe kishte pasur lidhje me të. Por, në fakt, nuk ndodhi kështu. Nazif Tuga kishte bërë vend te të tjerët me një tjetër profil dhe i tillë do të mbetej në kujtesën e tyre dhe pas kësaj goditjeje spektakolare për arsye shtetërore.

Montas Kotoni, ish-drejtor i NBsë, Gjergj Dimitrov, një nga miqtë e tij më të afërt, thoshte se ekzekutimi i Nazifit shkaktoi një revoltë të heshtur dhe një lloj proteste shpirtërore. Në kujtesën e tij ai kishte mbetur njeri korrekt, fisnik e babaxhan, mjeshtër i marrëdhënieve shoqërore, miku i respektuar nga të njohurit.

Siç kujtonte Montasi, erdhi një kohë që emri dhe figura e Nazifit eklipsonte figurat zyrtare që delegoheshin për të operuar në zonë gjatë asaj periudhe. Se vërtet që nuk pati ndonjë mandat zyrtari, por kishte fituar një tjetër mandat, atë të njeriut të votëbesuar nga shpirtrat e njerëzve, me të cilët u njoh e bashkëjetoi për një periudhë të gjatë. Me Nazifin, kujtonte Muntazi, kishe dëshirë të bisedoje, të pije një kafe, të qaje një hall, të merrje një këshillë…

Nazifi, tregon Jorgo Risto, një shok i ushtrisë, m’u gjend në një fatkeqësi në Sarandë, ditën kur i lindi djali i parë pas katër vajzave. Nuk u besova syve kur e pashë, shton ai, pa le kur më tregoi për gostinë që kishte lënë në Tiranë. Ecejake të tilla do t’i bënte shpesh te njerëzit e shokët që i njohu e u lidh me ta.

Fjala dhe prania e tij do t’i shtonte nurin kuvendit të burrave e të njerëzve të mirë. Rrethi i njerëzve që e njihnin dhe e respektonin rritej dita-ditës. Tek emri i mirë që kishte krijuar magazinieri i Mulletit do të zgjasnin duart dhe përfaqësuesit e oborrit shtetëror, shoqërinë me të cilin do ta përdornin për t’u popullarizuar dhe më shumë në kontaktet me njerëzit e thjeshtë që jetonin në periferi e fshat. Gjithsesi, Nazif Tuga do të mbetej pasuri e njerëzve të rrogozit, e atyre që u lidh fisnikërisht e pa interesa meskine.

Enigma që vijon. E vranë! Kush e vrau! Pse e vranë?

Pavarësisht bujës, me të cilën e arrestua dhe e ekzekutua Nazif Tuga, la mbrapa shumë enigma në opinionin dominues të kohës, që shpërfaqen ende edhe pas kaq dekadash. Shumëkush nga ata që e njohën, duke u përpjekur të zbardhin misterin e asaj vrasje makabre, kanë sjellë në mënyrën e vet variantin e tij. Një i moshuar i zonës së Petrelës, shkak të goditjes quan xhelozinë e njerëzve të fshatit për tregtinë që bëri Nazifi kur shiti shtëpinë e vjetër. Madje, ai është i bindur se qysh atëherë ia vunë synë dhe e vunë në shënjestër.

Po, po, këmbëngul ai, Nazifi e shiti shtëpinë për ambulancë mjekësore, por la shumë të pakënaqur që ia kërkuan për banesë. Një opsion tjetër ka një ish-punonjës policie. Sipas tij, Nazifi me shoqërinë e zgjeruar mbërriti deri te kasta e lartë e Bllokut. Ishte periudha kur ajo përjetonte ditët e fundit dhe kishte filluar të hante vetveten.

Protagonistët e saj mund të mbijetonin vetëm duke goditur njëri-tjetrin. Rruga për tek ekzekutimi i Nazifit, me sa duket, ishte menduar alternativa e goditjes së një klani të caktuar. Ca më tej e çon këtë ide Vladimir Sulo, një ish-gardist që ka shërbyer për disa kohë pranë Haxhi Lleshit. Nazifi, tregon ai, kishte qysh herët njohje e miqësi me ish-presidentin komunist, që në periudhën e fundit kishte përplasje me drejtuesit e Partisë.

Për mua, shpreh bindjen ishgardisti, goditja e rrufeshme e tij kishte për objektiv eliminimin e Haxhi Lleshit që asokohe ishte një emër me peshë në politikën shqiptare. Ish-drejtori i shkollës së Mulletit ngre një tjetër opsion, që gjithsesi plotëson të parin. Jehona e pushkatimit i duhej diktaturës, kujton ai, për të tërhequr vëmendjen e për të shtrënguar radhët rreth partisë. Kryqëzimi i tij në këtë rast do të rrezatonte efekte shtrënguese në opinion. Ishte menduar një goditje e shpejtë, e rrufeshme dhe me shumë zhurmë. Madje, shpejtësia marramendëse do të linte zbuluar edhe vetë skenarin. Nazif Tugën e prangosën për deficit në magazinë, kur ende nuk ishte bërë inventari.

Nazif Tugën do ta akuzonin në Hetuesi pa dëgjuar çfarë rrëfente. Do ta ekzekutonin për shpërdorim detyre, kur ligji i kohës nuk parashikonte as 20 vite burg. Të tjerë hamendësojnë të tjera versione rreth enigmës së këtij pushkatimi. Sidoqoftë, Nazif Tuga, edhe pse me një vdekje të mistershme, pati një jetë dinjitoze që diti ta jetojë me nder dhe emër të respektuar.

Image

VIJON…

(Kosova Sot)