“Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve”/ Çfarë shkruanin tre “rebelët” e Spaçit që paguan çmimin më të rëndë

  • 30 maj 2019 - 16:07
“Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve”/ Çfarë shkruanin tre “rebelët” e Spaçit që paguan çmimin më të rëndë

40-vjetori i pushkatimit të Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës më 28 maj 1979 rikthen vëmendjen te krimet që përjetoi vendi për rreth 45 vite me radhë gjatë diktaturës së Hoxhës. Të tre u burgosën për qëndrimet e tyre dhe për dëshirën për të jetuar të lirë, dhe gjetën kurajën që brenda burgut të kritikonin me shumë kurajë regjimin. Kokomani e Lezho ishin komunistë, madje përpara se të arrestoheshin ishin dhe anëtarë partie, por fakti që ata e kishin jetuar rininë në Bashkimin Sovjetik dhe kishin parë atje ndryshimet me realitetin komunist shqiptar i bënte skeptik për gjithçka që diktatori Hoxha propagandonte në Tiranë.

Qenë arrestuar njëri pas tjetrit në verën e vitit 1963 pas tentativës për arratisje nga Pogradeci. Edhe pse u dënuan me burgim në Spaç, ata vazhduan kritikat ndaj regjimit dhe diktatorit, njësoj si edhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprencka (letra e tij ende nuk është bërë publike). Dhe të tre paguan në fund një çmim të lartë, me jetën e tyre. Ky ishte regjimi i Hoxhës, një regjim burracak që frikësohej edhe nga të burgosurit e tij.

Ditët e sotme është zbardhur letra drejtuar Komitetit Qendror, më saktësisht Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, nga Kokomani e Lezho. Ata zbërthejnë në mënyrë të përkryer gjithë situatën që kalonte vendi. Me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur, letra e gjatë mbi 30 faqe drejtuar Komitetit Qendror, mbetet një dëshmi e pastër disidence.

“Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve”, shkruanin në letrën e tyre Kokomani dhe Lezho, të cilët denonconin me forcë faktin se në vitin 1962 kishin pasur të drejtë me qëndrimet e tyre pro-ndryshimeve që kishin ndodhur në Moskë. “Kulti i Sekretarit të Parë me kompani, shteti jam unë”, në një komunizëm që kurrë nuk pati “fytyrë njerëzore”. Kokomani dhe Lezho paralajmëruan vetizolimin e Hoxhës pas prishjes me Bashkimin Sovjetik edhe me Kinën.

““Olimpi” i Tiranës, i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë, në komedi alla “Epopeja e Ballit”! Ky “Olimpi” ynë, e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ia kalojnë edhe atyre të fashizmit… Gënjeshtra e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional-Çlirimtare… Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim “humanitar” që ai, (fëmija) kur të rritet, të vrasë veten! Në vend të mirëqenies ofrohen parullat patriotike… Për shoqëri ideale, për të cilën Sekretari i Parë ka plotë 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar.

Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare,” shkruanin Kokomani dhe Lezho, duke denoncuar kultin e individit dhe gjendjen ku popullsia brohoriste në “agoni shpirtrash të sfilitur”.

Regjimi iu përgjigj letrës. Kurrë me shkrim, por me veprat e makinacionit të saj. Të tre u arrestuan sërish edhe pse në burg. Njëherë u dënuan për agjitacion e propagandë, kjo sa për t’u dhënë kohë xhelatëve që të formulonin akuzat e reja, akuza që më saktë ishin të vjetra. Në vitin 1963, Kokomani e Lezho qenë akuzuar njëherë për organizatë kundër-revolucionare, ndaj sistemi riprodhoi akuzat e vjetra dhe kësaj here shkrehu armët.

(Kosova Sot Online)