“Ti je vëllai i armikut të popullit”/ Ja çfarë i tha sekretari parë i Fierit Koço Plakut. Dëshmia e kolegut që vuajti në burgjet politike

  • G.G /
  • 27 January 2021 - 10:50
“Ti je vëllai i armikut të popullit”/ Ja çfarë i tha sekretari parë i Fierit Koço Plakut. Dëshmia e kolegut që vuajti në burgjet politike

Nga Thanas Nasto

Ky ishte veçse fillimi…!

Pranvera, pa dyshim është stina më e bukur e vitit, por nganjëherë paraqitet dhe e pamëshirshme. Natyra bashkë me njerëzit zgjohet nga gjumi i dimërit. Gjeologet përgatiten për të dalë në terren, duke vendosur në çantat e tyre paisjet e nevojshme: Hartën e rajonit, bllokun, busullën, çekiçin, etj.

Për mua ka qenë dhe është kënaqësi e veçante dalja në fushë, sepse ballafaqohesh direkt me gjeologjinë “e gjallë”. Në muajin mars; unë kam ditëlindjen, të cilën e kam  festuar si zakonisht në rrethin familjar, por jo rrallë dhe me kolegët e punës.

Po në muajin mars të vitit 1975, unë me disa kolegë të mi, u përjashtuam nga Instituti Studimeve dhe Projektimeve të Naftës dhe Gazit. Pra ky muaj mbetet i paharruar për familjen time?!  ky ishte vetëm fillimi…! Ngjarjet u zhvilluan, sipas skenarit  të përpiluar nga diktatura e pamëshirshme komuniste.

Në situatën e një atmosfere të tensionuar, në një nga ambientet e Institutit, u mblodh organizata bazë e partisë. Kjo, nuk ishte mbledhje e zakonshme mujore, por ‘speciale’. Ajo organizohej me urdhër të Komitetit të Partisë së rrethit, por pa tjetër në bashkëpunim me Degën e Punëve të Brendshme.

Kjo mbledhje e organizatës bazë të partisë i ngjante seancave gjyqësore. Aty po ndëshkoheshin antarët e saj. Në qendër të goditjeve me akuza të sajuara, ishin gjeologët. Në sallën e mbledhjes, aty këtu, dalloheshin fytyra të panjohura, që me siguri ishin “delegate” nga Sigurimi i Shtetit. Ata lëviznin kokën sa majtas – djathtas, para dhe mbrapa, sikur ta kishin të  vendosur në kushineta. Njeri prej tyre në mënyrë brutale, më diktoi vendin ku të ulesha…?! Unë pa bërë naze u ula, ndërsa në krahun e djathtë, ngjitur me mua, u ul i pa njohuri.

Në krahun tim të majte, dy tre rradhë para, ishte ulur Koço Plaku. Disa rradhë prapa tij, qëndronin nëpër karrike: Beqir Aliaj, Protoko Murataj. Pas meje, anës murit, kishin zënë vend:  Rrapo Çela, Thanas Ziu etj.

Fytyrat e panjohura dalloheshin nga veshja dhe nga lëvizjet e shpeshta të kokës. Ata kishin pamje serioze. Në këto rrethana, sejcili prej nesh mendonte për vehten e tij: A do të dilte “pa u lagur” nga kjo mbledhje me “ujë të qelbur”…!?

Prej disa ditësh, pëshpëritesh për veprimtari armiqësore në  ekonomi, veçanërisht në naftë, por asgjë nuk dihej me saktësi?! Në këtë periudhe kohe, unë kryesoja ekipin e paleogjeografisë. Në përbërjen e grupit ishin kolegët e mi: Rrapo Çela, Dhimitër Prifti, Irfan Bega.

Njerëz të mrekullueshëm, punëtore të palodhur, të sinqerte dhe me humor dhe si rrjedhoj i kësaj shoqërie e ndjeja vehten të lehtësuar. Ekipi ynë nuk kishte detyrë primare për të projektuar puse kërkimi. Në fakt, unë gabohesha, sepse në akuzat “analizohej” e gjithë veprimtaria për kohën e punës si inxhinier.

Duhet të theksoj se gjatë procesit tim hetimor, unë dëgjova dhe kuptova shumë; dhe të gjitha ato, kam ndërmënd t’i shtjelloj  në një shkrim të veçantë. Në sallë hyjnë si “triumfatorë”: sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit, Pirro Gusha, zëvendësministri i  Minierave dhe Gjeologjisë; Zenel Hamiti e nëndrejtori i Institutit, Petraq Xhaçka dhe zunë vend në presidium. Ata dukeshin me fytyra të vrenjtura dhe kërcënuese.

Këto figura të njohura, me siguri kishin njoftim të  hollësishëm; udhëzime konkrete dhe për masat që duheshin marrë  për persona të veçante. Piro Gusha dhe Petraq Xhaçka akoma nuk  e dinin, që dhe ata vetë, do të ishin në “tavën e armiqëve”, por që i duhej të prisnin rradhën?! Përkundrazi, tani për tani, Petraq Xhaçka duhej të merrej në mbrojtje, “nuk duhej ngatarruar me të tjerët”; theksohej në udhëzimet e ardhura nga lartë.

Koçua prej kohësh vuante nga zemra dhe nga shtylla kurrizore. Ai ecte me shpinë të përkulur dhe për këto ishte shtruar në spital disa here. Në një nga këto ditë, unë me Fatri Kadillin,  me vazo reçeli në duar, i shkuam për vizitë në spitalin e Fierit. Koçua kishte rënë shume moralisht; këtë e vërtetoi shprehja e tij: “Në qoftë se unë, nuk do dalë i gjallë nga spitali, ju lutem shumë, nga rroga ime, t’i jepni pesëqind leke Ilia Dhimullës, sepse ja kam borxh”. ‘Çfarë budallallëqe po thua ore Koço’?! U shprehëm njëherësh unë me Fatriun! Një gjigand si ti, e shemb spitalin, shërohu shpejt se na presin punët në Institut. Për ta ndryshuar bisedën i tregova një barcaletë. Ay qeshi pak, por përsëri mori pamje serioze.

Nuk me hiqet nga mendja akuza e shpikur për “grupin e sabotatoreve në naftë”. Unë isha nga gjeologet më të vjetër dhe vazhdimisht anëtar i Këshillit Shkencor, ku aprovoheshin puset e kërkimit. Në këtë këshillë çdo material, jepej me shkrim i shoqëruar me harta, profile të aprovuara nga grupet përkatëse, në bazë të një rregulloreje, shume rigoroze. Kush do ishte ay  burrë, që  t’i bënte gjeologet më të mirë të Institutit, në një mëndje për të aprovuar shpimin e një pusi në një rajon pa perspektiv?! Kjo është jashtë çdo llogjike.

Duke vazhduar fjalën e tij, Piro Gusha përsëriti disa herë, duke thënë se: “Në naftë ka veprimtari armiqësore dhe kryesisht në Institut. Specialistët këtu me dashje u janë shmangur zbulimeve të reja të vend-burimeve të naftës. Janë projektuar puse jashtë strukturave perspektive për naftë dhe gaz; me qëllim sabotues, duke dëmtuar ekonominë popullore”.

Akuzat ishin të fokusuara kryesisht në drejtim të Koço Plakut “Ti Koço Plaku, vëllai i armikut të popullit, do përgjigjesh për keto”, ju drejtua Pirrua, Koços. Koçua reagoi menjëherë: U ngrit nga vendi dhe me zë të dridhur tha: “Po të kisha mundësi, me dorën time, do t’ja shkulja gurgullin atij maskarai”!

Pastaj, Pirro Gusho, j’u drejtua Beqir Alisë, duke thënë se: “Edhe ty Beqir, çoç të dinim, por nuk dole gjë”!  Beqiri nuk reagoi. Duhet të përmend se, me ndërmjetësinë e Pirros, Beqiri, që banonte familjarisht në Patos, erdhi në Fier, komshi me sekretarin e parë, Pirro Gushon.

Pa dashje më shkuan sytë tek Koço Plaku. Ay, dukej shumë i shqetësuar dhe i nervozuar! Këtë gjendje shpirtërore ai e shprehte duke kafshuar buzën e poshtme. Kuptohej, që masa ndëshkimore më e rëndë, do t’i takonte Koço Plakut.

Sekretari i parë i rrethit, urdhëroi organizatën bazë të partisë, që të përjashtojë nga rradhët e saj: Beqir Alinë, Koço Plakun dhe Protoko Muratin. Koçua j’u lutë organizatës bazë, që ta lejonin të bënte jetën e partisësi kandidat partie. Por si Koçua dhe Beqiri u përjashtuan unanimisht.

Përsa i përket Protoko Muratit, me qenë se Pirro Gusho, që i jepte tonin mbledhjes, nuk tha ndonjë gjë të veçante, pati diskutime, që ay mos të përjashtohej. Në mbrojtje të tij, diskutuan: Rrapo Çela, Thanas Ziu dhe ndonjë tjetër . Përkohësisht j’u arrit qëllimit, por pas disa ditësh dhe Protokua pati fatin e Koços dhe të Beqirit.

Pastaj u lexua lista e personave, të cilët përjashtoheshin nga Instituti. Të përjashtuarit, të nesërmen duhet të paraqiteshin  në Komitetin e Paritsë të rajonit Patos. Atje do të vendosesh për caktimin e tyre nëpër ndërmarjet përkatëse. Këta ishin: Beqir Aliaj, Protoko Murati, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Thanas Nasto, Ded Marku, Dhimitër Stefa, Fatri Kadilli, Pal Nikolla, Bedri Kokomani, por siç tregoi jeta, ky ishte veçse fillimi i “shtegëtimit” të gjeologeve.

Ditën e nesërme, qysh në mëngjes, shkuam në zyrat tona; për here të fundit. Në sirtarin tim të zyrës ku punoja; kisha disa  blloqe personale dhe një hartë gjeologjike të Shqipërisë. Gjatë  kësaj kohe, qëndronte pranë meje në këmbë, një ish miku im, por jo Irfani. Ai shikonte me kujdes se çfarë po merrja. Unë e kuptova, se ay kishte ardhur për mua, i dërguar nga “udhëheqja”; prandaj i tregova gjithçka dhe i thashë: po deshe kontrollo?!

Në Patos, për shpërndarjen tonë ishte caktuar një nga sekretarët e Komitetit te Partisë të rajonit: Kristaq Papa:  djalë shumë i mirë, me edukatë, i sjellshëm dhe me profesion inxhinier gjeofizik. Ay na shpërndau në ndërrmarjet e prodhimit:  Patos, Ballsh, Verri, Marinzë.

Protokon, Fatriun dhe mua, na caktuan në ndërmarjen e prodhimit të Marinzës. Megjithëse në mbledhje për personin tim nuk u folë dhe nuk u diskutua fare, kjo mua nuk më qetësoi; sepse kushdo e  kuptonte, se përjashtimi nga Instituti, do të kishte avaze mbrapa. Duket, që unë isha në listën tjetër. Faktet e mëvonshme treguan, që kisha të drejtë.

Ajo që më lehtësonte sado pak, ishte fakti, që nuk isha i vetëm, por me shokë të devotshëm dhe të ndershëm. E kam provuar dhe në raste të tjera, se hidhërimi dhe dhimbja janë forta, kur je i vetëm. E ndjeja veten absolutisht pa faj, dhe shpresën e kisha tek Zoti i Madh.

(Kosova Sot Online)