“Deputeti nuk përfitonte asgjë”/ Dëshmia e rrallë e ish-anëtarit të Byrosë Politike: Dy “shokët” e Byrosë që e sulmonin! Jam gjallë sot pasi…

  • G.G /
  • 08 May 2021 - 10:45
“Deputeti nuk përfitonte asgjë”/ Dëshmia e rrallë e ish-anëtarit të Byrosë Politike: Dy “shokët” e Byrosë që e sulmonin! Jam gjallë sot pasi…

Ish-anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Muho Asllani, ka treguar një pjesë te jetës dhe karrierës së tij politike deri në organet më të larta partiake dhe shtetërore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, nga viti 1971 kur u zgjodh direkt në Komitetin Qendror (pa qenë më parë kandidat), e deri në 1990-ën, kur Ramiz Alia e shkarkoi me të padrejtë dhe e dërgoi si Drejtor të Fermës së Sukthit.

Ai tregon se është nga fshati Berdicë i Shkodrës, ku ishte rritur në një familje shumë të varfër dhe prindërit e tij mezi i ushqenin tetë fëmijët, (tre djem e pesë vajza), ku Muho ishte i pari nga djemtë.

Ai kujtoj pesë motrat e tij që hanin bukë misri me uthull dhe dy prej tyre ndërruan jetë kur ishin të vogla (njëra 5 dhe tjetra 9 vjeçe), edhe pse babai i tyre shiti kalin e kularit për të blerë kinina (ilaçe), por ato nuk mundën të jetonin. Duke folur për varfërinë e madhe të familjes së tij, ai tregon si i ati ia qepte me tel opingat e llastikut dhe të dy prindërit rropateshin dhe lodheshin shumë për të ushqyer gjithë ata fëmijë.

Por edhe me atë varfëri të tejskajshme, ai tregoi se ishte një nxënës shumë i mirë dhe në përfundim të Teknikumit Bujqësor me rezultate shumë të larta, i doli e drejta e studimit në degën Agronomi duke fituar një bursë shtetërore për në Bullgari.

Pas mbarimit të Teknikumit Bujqësor, ai ndoqi studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, ku aktivizohej edhe me rininë si sekretar i organizatës dhe në moshën 18 vjeçare u pranua si anëtar në Partinë e Punës dhe u zgjodh edhe sekretar i organizatës bazë të partisë. Në vijim të bisedës së tij me dy gazetarët, Muho Asllani tregoi se karriera e tij politike filloi në vitin 1971 kur ai diskutoi në një mbledhje partie në qyetetin e Shkodrës ku ishte i deleguar Hysni Kapo, të cilit i ra në sy nga ajo që ai foli dhe e ftoj për darkë në Shtëpinë e Pritjes ku diskutuan gjatë. Të nesërmen Hysni Kapo i tha Prokop Murrës që ishte sekretar i parë i rrethit të Shkodrës që: ‘atë djalin, zgjidheni menjëherë në Plenumin e rrethit’.

Kjo gjë u bë shkas që ai të emërohej sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës dhe të zgjidhej edhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ai diskutonte në çdo mbledhje, gjë e cila i ra në sy Enver Hoxhës që në janarin e vitit 1974, e emëroi sekretar të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Matit, në vend të Mustafa Pajengës, kuadër i vjetër që nga koha e luftës që kishte 13 vjet në atë detyrë.

Muho Asllani tregoi se që ditët e para në atë detyrë ai u ndesh me gjendjen e vështirë ekonomike ku ndodhej ai rreth dhe në veçanti zona malore e Klosit dhe Gurit të Bardhë, ku ai shkoi për kontroll dhe pa që kooperativistët hanin bukë misri me uthull e ujë. Ai e ngriti këtë gjë në mbledhjen e Byrosë Politike ku e kundërshtuan Rita Marko me Manush Myftiun, (që sipas tij mezi prisnin rastin që t’i hidheshin në fyt dhe të dilnin kundër kur shikon se ngrije ndonjë problem), por ai debatoi me ta dha i tha Manushit se: në atë gjendje ishin edhe fshatrat e Tiranës, pasi ai kishte qenë vetë dhe i kishte parë me sytë e tij në Malin me Gropa ku ai kishte shkuar për t’u interesuar për ujin e Qafë-Shtamës, që mendonte ta shfrytëzonin për ujitjen e fusha bujqësore të rretthit të Matit.

Sipas tij, Enver Hoxha e verifikoi atë gjë duke i dhënë të drejtë Muhos në mbledhjen pasardhëse dhe i tha Manushit që të dilte ndonjëherë nëpër fshatrat e Malësisë së Tiranës. Në vijim të bisedës së tij me dy gazetarët, ai tregoi se falë punës së tij me përkushtim, u zgjodh sekretar i parë edhe në disa rrethe të tjera, si Kukes, Shkodër, Durrës, (madje në Shkodër dhe në Durrës u emërua nga dy herë), ku shërbeu deri në vitin 1990-të, që Ramiz Alia e shkarkoi me të padrejtë, duke e dërguar si Drejtor të Fermës së Sukthit.

Gjatë bisedës, Muho Asllani dha shpjegimet e opinionet e tij edhe për fenomenin e luftës së klasave, duke thënë se ajo nxitej edha nga vetë populli që bënte denoncime, si dhe për gjendjen e vështirë ekonomike të Shqipërisë së asaj kohe, gjë e cila erdhi edhe si rezultat i prerjes së ndihmave dhe kredive nga ana e Republikës Popullore të Kinës.

I pyetur nga dy gazetarët që: a kishte menduar apo tentuar ndonjëherë që të ngrinte në Byronë Politike probleme të ndryshme, siç ishte varfëria e popullit etj, Muho Asllani tha; “Unë isha shumë i kujdesshëm që të mos ngrija probleme që më rrezikonin për të më dënuar apo futur në burg dhe unë jam gjallë sot, pasi nuk isha budalla që të kritikoja gabimet dhe fajet e Enver Hoxhës“.

Ai tregoi se si kishte qenë prezent në të gjitha plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së nga viti 1973 deri në 1982-in, ku ishin dënuar të gjitha “grupet armiqësore”, që nga Beqir Balluku, Fadil Paçrami, Abdyl Këllezi etj., e deri te Kadri Hazbiu, të cilin në rininë e tij e kishte pasur idhull dhe mbante vetëm portretin e tij nëpër festa e mitingje, por ishte i detyruar të diskutonte në Plenumin e vitit 1982 kur u godit dhe u dënua ai.

Gjatë emisionit “Memorie” në Tv Scan të dy gazetarëve Dashnor Kaloci dhe Artjan Tepelena, Muho Asllani foli edhe për votimet dhe fushatat elektorale gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, (çka ishte dhe tema e emsionit), duke treguar se kur ishte sekretar i parë i komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, kishte dhe njerëz që nuk pranon të votonin, (duke sjellë një shembull konkret) për shkak të ndonjë pakënaqësie që kishte me pushtetin lokal, etj., por ai ishte i detyruar që të shkonte menjëherë tek ai për t’ia zgjidhur problemin.

Ndërsa për zgjedhjen e kandidaturave për deputetë, ai tha se ato i vendoste Partia, por se qenia si deputet nuk ishte ndonjë privilegj i madh, pasi Kuvendi Popullor mblidhje dy tre herë në vit dhe deputeti me përjashtim të ndonjë diete, nuk përfitonte asgjë, madje edhe shpërblimin prej dy mijë lekë të vjetra që kishin, ua hoqën dhe ata nuk merrnin më asgjë.

(Kosova Sot Online)