Albin Kurti është bërë imun ndaj kritikave të opozitës
Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, opozita parashikonte, më saktë, ëndërronte një rënie deri në shifrën 30% të LVV! Por, zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 prodhuan të kundërtën, ngritjen e LVV në 51%. Megjithatë, kësaj radhe Kurti e mati vetën "me hijen e mëngjesit". Ai thelloi provokimin e opozitës. Në mëngjes pranoi që presidenti të jetë nga opozita, por në pasdite u pendua dhe ftoi opozitën të hyjë në garë, kur raporti i forcave votuese ishte 66 vota për LVV, ndërsa 37 vota kishte opozita.
Duket se diçka domethënëse ka ndodhur, që elektorati ta zvetënojë euforinë dhe simpatinë e parezervë ndaj Albin Kurtit. "Kosova nuk ia kishte borxh atij ta dërgojë në një palë zgjedhje tjera pas 4 muajve," mendojnë jo pak votues të LVV.
Narrativa e Kurtit se "opozita është në rënie të lirë" bazohet në faktin se në tri palë zgjedhje LVV ka shënuar ngritje të dukshme. Ndërkohë, prindërit fanatikë e mbronin dhe e votonin opozitën, por fëmijët e tyre, tashmë shkollarë masiv, votonin LVV!
Opozita mburret me asfaltet dhe ndërtimet shumëkatëshe në qytetet e Kosovës. Por fshehin burimin e këtyre ndryshimeve. Ndërtimet janë kontribut i drejtpërdrejtë i Mërgatës shqiptare, gjysmë Kosove, tashmë e emigruar.
Gjermanët pyesin: "Ku mbetën 5 (pesë) miliardë euro, të dhëna Kosovës për zhvillim?" Asnjë vepër madhore, asnjë fabrikë. Ndërkohë, e gjithë pasuria e brezave shqiptarë të Kosovës, shtetërore dhe shoqërore, është shitur dhe grabitur nga pushtetarët mujsharë e zuzarë.
Privatizimet abuzive dhe kriminale, shumë dhjetëra fabrika dhe kombinate, përfunduan në hekurishte, për skrap në Shkritoren e Elbasanit, përfshirë edhe kamionin "Vetëshkarkues", për t’i humbur gjurmët e krimit, i cili i aksidentoi qëllimshëm, me porosi, tre atentatorët e kuadrit dhe mikut besnik të Presidentit Rugova, veprimtarit të shquar Fetah Rudin. Atentati zyrtar u organizua nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, krijesë e Tiranës zyrtare, e kompozuar në "Bllokun e Zi", buzë Lumit "Lana".
Albin Kurti, si duket, punët shtetërore dhe zhvillimore të vendit i ka në plan honorar. Ndërsa propagandën politike e ka parësore. Dhe, duke punuar për këtë zeje elektorale, është bërë imun ndaj kritikave të opozitës.
Një bisedë telefonike e porositur nga Lista Serbe, agjentët e saj në PAN, e bënë "mullar!" Mimozës i shkaktuan shqetësimin deri në kancer. Dhe nga kush? Ata që me kontrabandën me serbët e Listës i kishin shkaktuar buxhetit të Kosovës miliarda euro dëme, sipas llogarive të Drejtorisë së Doganave të Kosovës. Është kjo shpifje për Mimozën dhe të tjera të ngjashme të bëra nga PAN-i, të cilat veçse e favorizojnë dhe forcojnë sundimin e Albin Kurtit.
"Kosova mund të ketë presidente të re, por duhet të ketë edhe opozitë të re. Opozita është e vjetër; kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë edhe në rënie të lirë dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin nga humbjet," qorton Kurti.
Dhe, vërtet, Kurti ka të drejtë për opozitën e lodhur, ricikluese, duke përdorur metodën klasike komuniste. Opozita ka përjashtuar tërësisht debatin demokratik dhe praktikon jo zgjedhjen me votë të fshehtë të udhëheqjes partiake, por emërimin nga lart dhe aprovimin aklamativ, të rrejshëm, të hapur - me ngritje dore! Një opozitë si kjo e tanishmja, pa bërë kurrë reforma, është bërë monotone, e gërditshme, sepse është e kapur nga grupe mafioze, me kriminelë me të kaluar vrastare dhe hajnore. Rezistenca e PAN-it për Vetting-un dhe Byronë e Verifikimit të Pasurive pa mbulesë personale financiare është tregues se ky soj ka konsumuar krimin dhe makro-hajninë.
LDK-ja, në rugëtimin e saj, e nisi me rregulla demokratike. Mjerisht, devijoi dhe e pësoi. U bë bisht e patericë për ta mbajtur krimin në pushtet. PDK-ja, me SHIK-un e saj ilegal, e zgjeroi aktivitetin, duke e bërë një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale. Krimi ishte një e fshehtë publike. Dhe drejtësia vendore, e kapur nga mafia politike, i heshti për vite e dekada. Duhej të ndërhynte Amerika, kupola e demokracisë botërore, për ta stopuar krimin dhe kriminelët e pandëshkuar.
Kuvendi i fundit i LDK-së, i cili ia vazhdoi mandatin kryetarit Abdixhikut, shkeli shumëçka të heshtur ndër vite. Partia është lodhur nga klanet brenda saj. Në paraqitjen televizive të kryetarit të rivotuar, ai ishte i hapur dhe i sinqertë. Ai premtoi për një drejtim ndryshe të partisë, diçka të ngjashme me epokën e Presidentit Rugova. Andaj duket një mobilizim i ri, me shpresën e madhe për ringritjen e partisë së Dr. Rugovës.
Bashkimi i madh, i proklamuar me bujë, urojmë të jetë i qëndrueshëm. Profilizimi i së djathtës, një zhvillim i mbarë, edhe pse shumë i vonuar. Duhet pasur kujdes të mos mashtrohemi me ata që vetëquhen të djathtë, por në fakt nuk kanë asnjë fije djathtizmi në mendjet dhe veprimet e tyre.
Është kohë e shkurtër për ndryshime të mëdha. LVV e ka dhe do ta ketë epërsinë. Por ngritja e LDK-së ka rëndësi për të qenë pjesë e qeverisjes të ardhshme. Dhe në perspektivë duhet punuar për të garuar edhe për vendin e parë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
