Perandoria sovjetike e haremeve shtetërore
Në youtube-kanalin “Архивы СССР” (Arkivat e BRSS) ka pasë qenë botuar informacioni me titull: ”Haremet e NKVD: ja se si shefat e GULAG-ve patën krijuar shtëpi publike private me artistet e burgosura”*. Ky informacion është pasqyruar në faqen e internetit ”Vk Video” të datës 15 tetor 2025.
Materialin në vijime ka përkthyer nga rusishtja dhe e ka përgatitur për botim Eshref Ymeri.
***
“Më 23 janar të vitit 1947, rrumbullak në orën 22:30, roja i shërbimit në kampin e internimit në Kollëjma, dëgjoi një tingull të pazakonshëm. Nëpër korridorin e barangës së femrave, me nr. 7, ca hapa burrash po kërcisnin mbi dyshemenë prej druri. Сa çizme të rënda po ushtonin gjatë ecjes së rregullt me një tingëllimë të veçantë pushteti. Ivan Makarovi, i cili po mbushte tetë vjet shërbim në sistemin e kampeve të internimit, e dinte: pas dhënies së sinjalit për pushim, shefat e kampit nuk shkonin asnjëherë në barangat e femrave, vetëm me përjashtim të rasteve kur vinte ndonjë urdhër i posaçëm nga Moska. Por sot gjithçka ishte ndryshe. Hapat u ndalën pranë qelisë nr. 12. Atje mbahej e izoluar Zoja Fjodorova, artiste e popullit, e dënuar sipas nenit 58/10, me 25 vjet intenim. Makarovi vuri syrin në vrimën e derës dhe pikasi diçka që e bëri t’i ngrijë gjaku: Nënkoloneli i ministrisë së brendshme, Nikollaj Krasnov, shef i seksionit të dytë të kampit, po rrinte më këmbë para qelisë me ca çelësa në dorë. Kishte veshur një tunikë të hekurosur. Në dorën e majtë mbante një buqetë të vogël me lule, në të djathtën - një shishe konjak. Fjodorova po rrinte ulur në një shtrat prej dërrase në qoshen e qelisë, fytyra e saj e famshme, e cila tre vjet më parë zbukuronte ekranet e kinemave të krejt Bashkimit Sovjetik, tani dukej e zbehtë dhe e kërrusur. Flokët e gjatë dhe të errët, dikur të rregulluar nga mjeshtret e berberanës së Moskës, tani i kishte mbledhur thjesht nyje dosido.. Por edhe me atë peliçe kampi veshur, ajo vazhdonte ta ruante elegancën e vet të veçantë, e cila e bënte të dallohej mes femrave të tjera të atij kampi. Krasnovi hyri në qeli dhe mbylli derën. Makarovi, duke shkelur të gjitha udhëzimet, qëndroi pranë derës për të përgjuar. Fjalët që dëgjoi ia përmbysën të gjitha përfytyrimet për jetën në kampet e përqendrimit. “Zoja Aleksejevna, ju sot dukeni shumë bukur” - i tha nënkoloneli me një ton të tillë, i cili i shkonte më shumë një salloni aristokratësh, se sa një kampi internimi. “Shpresoj se ju e mbani mend bisedën tonë për një përkrahje të ndërsjellë”. Fjorova rrinte në heshtje. Në sytë e saj lexohej një përzierje frike dhe neverie. Por kur Krasnovi vendosi mbi tryezë një konservë mishi amerikan dhe një simite të bardhë, shprehja e fytyrës së saj pësoi një ndryshim. Uria në kamp ishte një shoqëruese e përhershme e të internuarave. “Unë mund t’ju siguroj gjithça të domosdoshme’, - vazhdoi koloneli, duke shtirë konjak në dy gota të emaluara, - veshje të ngrohta, ushqim shtesë, qeli të veçantë me sobë, punë në një rrobaqepësi, në vend të prerjes së drurëve në pyll. Të gjitha këto janë të mundshme, në këmbim të disa kushteve të caktuara”. Makarovi e dinte se skena të tilla bënin vaki jo vetëm me Fjodorovën. Gjatë gjashtë muajve të fundit, ai kishte vënë re shpeshherë se si barangat e femrave, pas sinjalit të pushimit, vizitoheshin nga shefa të ndryshëm, të cilët u drejtoheshin gjithmonë po të njëjtave femra: ish-aktoreve, këngëtareve, valltareve, të cilat, para arrestimit, i përkisnin sferës së elitës kulturore. Në qelinë me nr. 15 mbahej e izoluar Tatjana Akunjevskaja, ylli i filmit “Ditët e nxehta”. Në kamerën me nr. 18 - Lidija Rusllanova, zëri i së cilës ende para pak kohësh pati ushtuar nëpër salla koncertesh në mbarë vendin. Në qelinë me nr. 21 - Evgjeni Garkusha, primadona e teatrit Bolshoj. Të gjitha qenë dënuar sipas neneve politike, të gjitha qenë dënuar me afate të gjata internimi dhe të gjitha ato, sipas thashethemeve që qarkullonin nëpër kampe, ishin në qendër të vëmendjes së administratës. Por ajo që ndodhte në të vërtetë, kalonte përtej caqeve të arbitrariteteve të zakonshme nëpër ato kampe. Makarovi vetëm tani kishte filluar ta kuptonte një gjë të tillë, duke përgjuar bisedën në qelinë me nr. 12. “Ju e kuptoni, moj Zoja, se gjendja juaj mund të ndryshojë si për mirë, ashtu edhe për keq”. Në zërin e Krasnovit u ndien nota kërcënuese. “Nesër normën e punës suaj mund ta dyfishojnë, mund t’ju kalojnë për ndëshkim në gjendje izolimi, mund t’ju shkurtojnë racionin e ushqimit, të cilin, edhe kaq, e keni të pamjaftueshëm, por, përkundrazi, edhe mund t’ju sigurojnë kushte të rehatshme”. Fjodorova e mori gotën e konjakut me duart që i dridheshin. Makarovi vuri re se si ajo po luftonte me vetveten, se si në vetëdijen e saj po përplaseshin krenaria e artistes dhe instinkti i mbijetesës. “Çfarë doni nga unë?”. Zëri i saj mezi dëgjohej. “Unë dua që ju të kujtoni se kush keni qenë”. Krasnovi iu afrua më pranë. “Ju nuk jeni ndonjë copë fshatare nga zona të humbura. Ju jeni yll. Ju keni aftësi të dukeni joshëse, keni aftësi t’u pëlqeni njerëzve. Këto shprehi mundt t’ju hyjnë në punë edhe këtu. Në qoftë se ju i kuptoni gjëra të tilla”. Atë çka ndodhi më pas. Makarovi nuk e kapi menjëherë. Krasnovi filloi të rrëfente për sistemin që ekzistonte në kamp tashmë për vite me radhë, se si femrat më tërheqëse, të internuara nëpër kampe, shfrytëzoheshin për argëtimin e funksionarëve të lartë të ministrisë së brendshme, që vinin për inspektim, se si qenë krijuar kushte të posaçme për trajtimin e atyre që pranonin të bashkëpunonin dhe se çfarë fati i pret ato që refuzojnë. “Ne kemi një shtëpi të veçuar, që ndodhet 2 km larg kampit”. - po i shpjegonte nënkoloneli. “Atje do të jetoni në kushte njerëzore: dhomë e veçantë, ushqim i ngrohtë tri herë në ditë, libra, radio. Një herë në javë do të na vijnë musafirë nga Moska, funksionarë të lartë, të cilët kanë nevojë për pushim pas një pune të rëndë. Ju keni për detyrë t’ua siguroni këtë pushim”. Fjodorova e vendosi gotën në tryezë, pa e prekur konjakun. “Ju po më propozoni të bëhem prostitutë”. “Unë ju propozoj të mbeteni gjallë”, - ia ktheu Krasnovi pa emocione. “Dhe jo thjesht gjallë, por të jetoni në kushte relativisht të rehatshme. Alternativa - të presësh dru në pyll, ku mesatarja e jetës e të internuarave është dy vjet”. Makarovi e dinte se nënkoloneli nuk e tepronte me ato që thoshte: vdekshmëria në kampe ishte e përbindshme, veçanërisht mes femrave nga radhët e intelektualeve, të paafta për punë fizike. Ato që përfundonin në prerjen e druve ose në gurore, rrallë arrinin të letonin deri në ditën e lirimit. “Po në qoftë se unë refuzoj?”. Zëri i Fjodorovës tingëllonte gjithnjë e më i qetë. “Atherë nesër në mëngjes do t’ju zhvendosin në barangën e përbashkët me të dënuarat e tjera. A e dini se ato i përkasin kategorisë së të dënuarave për arsye politike, veçanërisht kategorisë së atyre që konsiderohen tradhtare të pushtetit sovjetik?”. Krasnovi u çua dhe iu afrua dritares me rrjetë. “Unë po ju lë kohë të mendoni deri në mbrëmjen e nesërme, por ama kini parsysh se ky është propozimi i fundit. Paskëtaj s’kam për të ardhur më te ju”. Ai iu drejtua derës, por te pragu ktheu kokën: “Meqë ra fjala, Tatjana Akunjevskaja tashmë ka pranuar. Dje ajo është zhvendosur në një shtëpi të veçantë. Sot asaj i çuan për ushqim supë me mish dhe një fustan të ri. Mendohuni!”. Dera e qelisë u mbyll. Krasnovi kaloi pranë Makarovit, madje pa ia hedhur sytë. Roja vazhdonte të rrinte pranë derës, duke u munduar t’i kuptonte ato që dëgjoi. Nga qelitë dëgjoheshin mbyturazi të qara me dënesë. Zoja Fjodorova, artiste e popullt e Bashkimit Sobjetik, ylli i kinematografisë sovjetike, po qante në qelinë e vet, duke qenë e vetëdijshme se nesër do t’i duhet të zgjedhë alternativën mes nderit dhe jetës. Por Makarovi e dinte tashmë se ajo alternativë ishte iluzore. Sistemi, të cilin ai vetëm po fillonte ta kuptonte, qenkej organizuar në atë mënyrë, që alternativa e pranimit nuk ekzistuaka; ose ti bëhesh pjesë e rrjetit të fshehtë për argëtimin e elitës partiake, ose thjesht të zhdukin nga faqja e dheut. Ditët në vijim i treguan Makarovit tërë marifetin e sistemit të detyrimit. Te Fjodorova nuk vinin më me propozime. Në vend të propozimeve, atë e çuan të priste dru, ia shtuan dyfish normën e punës dhe racionin e ushqimit ia pakësuan në minimum. Pas tri ditësh, aktorja elegante qe shndërruar tashmë në një femër të rraskapitur, me duar të plasaritura nga ngricat e tmerrshme dhe me sy të ënjtur. Ndërkohë, Tatjana Akunjevskja qe zhdukur me të vërtetë nga baranga e përbashkët. Nëpër kamp patën qarkulluar llafe se atë e paskeshin zhvendosur në spital, se e paskeshin liruar para afatit, se qenkej punësuar në administratën e kampit. Por Makarovi e dinte të vërtetën. Dikur në mbrëmje, kur po kthehej nga shërbimi i rojas, atij i zunë sytë një figurë të njohur: pranë portës së kampit, me një pallto elegante dhe me një kokore prej pellushi, me flokë të rregulluar për merak, po qëndronte një femër, e cila pak ngjante me ndonjë të internuar. Pasi e këqyri me kujdes, Makarovi e njohu: ishte Tatjana Akunjevskaja. Ajo u fut në një veturë të zezë, ku po e prisnin dy burra me uniformën e ministrisë së brendshme. Vetura u nis në drejtim të një qendre banimi, ku ndodheshin shtëpitë e funksionarëve të lartë të kampit. Të nesërmen Fjodorova u dorëzua. Ajo i dërgoi një pusullë Krasnovit përmes rojës së barangës. Pusulla përmbante vetëm tri fjalë: “Unë jam dakord”. Në mbrëmjen e po asaj dite aktorja u zhduk nga baranga. Zyrtarisht thuhej se e patën zhvendosur për kryerjen e një detyre të posaçme. Jozyrtarisht ajo qe bërë pjesë e sistemit, për ekzistencën e të cilit nuk ishin në dijeni shumë bashkëpunëtorë të administratës së kampeve. Por ky ishte vetën fillimi. Gjatë muajve në vazhdim, Makarovi u bë dëshmitar se si një fat i tillë u qe taksur edhe disa aktoreve të internuara. Çdo herë, skema ishte e njëjtë: në fillim propozimi, mandej refuzimi, pastaj përkeqësimi i kushte të jetesës dhe, në fund, pranimi. Sistemi punonte për mrekulli. Dhe sa më shumë që Makarovi mësonte për të, aq më shumë po kuptonte se ajo që po ndodhnin në kampin e tyre, nuk ishte përjashtim, por ishte pjesë e një rrjeti gjigant, të fshehur me kujdes, të një rrjeti që shtrihej deri larg caqeve të Kollëjmës dhe që prekte sferat më të larta të pushtetit sovjetik, të një rrjeti, në të cilin ishin përfshirë jo vetëm shefat e kampeve, por edhe funksionarët partiakë të Moskës, çekistët me pozita të larta dhe madje anëtarë të qeverisë. Dhe në qendër të këtij rrjeti ndodheshin femra, të cilat dikur kishin qenë krenaria e artit sovjetik: akore, kngëtare, balerina. Të gjitha ato qenë kthyer në peng të sistemit, i cili e pati shndërruar talentin e tyre në një mjet kënaqësie të kërkesave të pështira të pushtetarëve. Por zbulimi më i tmerrshëm e priste Makarovin më vonë. Dikur, vonë në mbrëmje, ai pati zbuluar rastësisht një dokument, i cili e detyroi të rishikonte gjithçka që dinte për sistemin e kampeve, një dokument që shpaloste përmasat e vërteta të asaj që po ndodhte. Atëherë ai hapi një dosje sekrete, e cila mund të ndryshonte rrjedhën e historisë. Dokumentet në dosje përmbanin një informacion kaq të rrezikshëm, saqë Makarov, si një rojë me përvojë, nuk e kuptoi menjëherë rëndësinë e tyre. Dosja ndodhej mbi tryezë, në kabinetin e Krasnovit, i cili kishte dalë jashtë për disa minuta, duke harruar ta mbyllte. Makarovi, i cili kishte hyrë për një raportim për gjendjen gjatë natës, në dokumentin e parë vuri re një shënim me një shenjë krejtësisht sekrete të ministrisë së brendshme. Emërtimi i çështjes me numër 743/47 konsiderohej si një përpunim operativ. Aktivitete kulturoro-argëtuese për personelin komandues. Me këtë emërtim, të patëkeq, fshihej një instruksion i hollësishëm për riorganizimin e diçkaje, e cila, në dokumente, në një mënyrë delikatë, quhej çlodhje në veprimtari e sipër e personelit të lartë komandues, të organeve të sigurimit të shtetit. Dokumenti i parë i datës 15 janar 1945, ishte formosur nga zëvendësministri i brenshëm, Ivan Serovi. Në të përmbaheshin orientime për shefat e kampeve të punës së detyruar, për krijimin e nënreparteve të specializuara për punën kulturore masive me shokët e komanduar nga aparati qendror. Makarovi po e lexonte tekstin, pa u besuar syve. Në dokument jepej porosia për të evidentuar mes personave të internuar të gjinisë femërore ato që kanë aftësi artistike dhe pamje joshëse, për formimin e brigadave kulturore. Këto brigada duhet të sigurojnë një çlodhje cilësore të kuadrove udhëheqëse gjatë kohës së shërbimit në rajone të largëta. Dokumenti i dytë zbulonte mekanizmin e përzgjedhjes së femrave kandidate. Në përputhje me instruksionin e dhënë, përparësi u jepej personave nga radhët e ish-personaliteteve të artit, të dënuar sipas neneve politike. Nënvizohej në mënyrë të veçantë se të dënuar të tillë janë më shumë të bindur dhe më pak të prirur për arratisje për shkak të specifikës së veprimtarisë së tyre të mëparshme. Dokumenti përmbante kritere konkrete për përzgjedhjen: mosha nga 18 deri në 35 vjeçe, pa sëmundje serioze, pamje tërheqëse dhe sjelje e kulturuar. Në një pikë të veçantë theksohej kërkesa për mungesë lidhjeje me elementë të kampit, të dënuar penalisht. Dokumenti i tretë të befasonte me hollësitë e veta. Ai përmbante udhëzime të hollësishme për organizimin e aktiviteteve kulturore. Për këtë qëllim, në çdo kamp të madh duhet të përgatiteshin mjedise të brendshme speciale, të pajisura në përputhje me kërkesat kulturore të shokëve që vinin me shërbim. Në dokument rreshtoheshin kërkesa për pajisje për të tilla mjedise: dhoma të veçanta me mobilie cilësore, aparate radioje, gramafonë me pllaka, biblioteka të letërsisë artistike, letra bixhozi, shah. Porosi e veçantë jepej për domosdoshmërinë e ushqimit cilësor për pjesëmarrësit e aktiviteteve kulturore. Dokumenti i katërt përmbante listat e kampeve, ku ishte në fuqi një sistem i tillë. Makarovi vuri re me habi se në mbarë Bashkimin Sovjetik numëroheshin më shumë se 40 kampe të tilla. Gjeografia shtrihej që nga Vorkuta deri në Magadan, nga Arkangelsku deri në Alma ata. Në listë figuronin jo vetëm kampe me regjim të veçantë, por edhe kampe të zakonshme të punës së detyruar. Pranë emërtimit të çdo kampi figuronin shifra, numri i femrave të internuara, të angazhuara në veprimtari kulturore. Numri i përgjithshëm e kalonte shifrën prej 1200 femrash. Dokumenti i pestë ishte më i tmerrshmi. Ai përmbante një raport për rezultatin e aktiviteteve që prej vitit 1946. Nga raporti rezultonte se sistemi punuakej jo vetëm për argëtimin e funksionarëve që vinin me shërbim, por edhe si instrument për marrjen e informacionit. Pjesëmarrëset e aktiviteteve kulturore, sipas raportit, përfaqësojnë rregullisht të dhëna me vlerë mbi gjendjen shpirtërore të femrave të internuara, planet e arratisjeve, thënie antisovjetike. Disa prej tyre patën kryer me sukses rolin e informatoreve të fshehta në barangat ku banonin. Makarovi e kuptoi se sistemi qenkej edhe më i sofistikuar sesa ai pati menduar. Femrat artiste bëheshin jo vetëm viktima të dhunës, por edhe pjesëmarrëse të detyruara të rrjetit të degëzuar agjenturor. Dokumenti i gjashtë përmbante çështje personale të disa pjesëmarrëseve. Atje kishte fotografi, të dhëna jetëshkrimore, karakteristika. Makarovi mësoi se cilat ishin femrat që i njihte: Zoja Fjodorova, Tatjana Akunjevskaja, Lidia Rusllanova. Në dosjen e Fjodorovës thuhej: është angazhuar në veprimtari kulturore m 05 shkurt 1947, ka pasur rezultate të mira në punën me shokët e ardhur me shërbim, ka dhënë informacion me vlerë për gjendjen shpirtërore në barangën e femrave me nr. 7. Në dosjen e Akunjevskajas qe shkruar në një mënyrë edhe më cinike: ka shfaqur aftësi të jashtëzakonshme në punën kulturore, gëzon simpati të veçantë nga ana e shokëve me funksione të larta nga aparati qendor. Rekomandohet për punë me mysafirë të rangjeve më të larta. Dokumenti i shtatë zbulonte aspektin financiar të sitemit. Rezultoi se trajtimi i brigadave kulturore financohej nga fondi i posaçëm i ministrisë së brendshme, të destinuar për rritjen e efektivitetit të punës së personelit drejtues. Për qëllime të tilla, çdo vit investoheshim më shumë se 2 milionë rubla. Parat shpenzoheshin jo vetëm për trajtimin e femrave, por edhe për pajisjen e mjediseve të brendshme speciale, për blerjen e produkteve ushqimore, të veshjeve, të kosmetikës. Në dokument nënvizohej se cilësia e shërbimeve kulturore, duhet të përputhet me statusin e lartë të shokëve që u bëhej një shërbim i tillë. Dokumenti i tetë përmbante listën e funksionarëve të lartë, të cilët shfrytëzonin rregullisht shërbimet e brigadave kulturore. Emrat në listë e bënë Makarovin t’i ngjethej trupi.
Atje figuronin emrat e zëvendësministrave të punëve të brendshme, të sekretarëve të komiteteve krahinore të partisë, të gjeneralëve të ministrisë në fjalë. Disa emra Makarovi i njohu nga gazetat. Këta qenkeshin njerëz, të cilët kishin mbajtur fjalime, në të cilat propagandonin moralin sovjetik, theksonin luftën që duhet bërë kundër shthurjes morale, për pastërtinë e idealeve komuniste, kurse në jetën private shfrytëzonin shërbimet e femrave, të detyruara për prostitucion nëpër kampet e internimit. Dokumenti i nëntë ishte shkruar tri javë më parë. Në këtë dokument jepej udhëzimi për zgjerimin e sistemit të prostitucionit të femrave dhe angazhimin e tyre në veprimtari kulturore të atyre që ishin bashkëshorte të burrave të përndjekur politikisht, të cilët kishin pasur funksione të larta partiake. Bashkëshortet e tradhtarëve të atdheut, siç karakterizoheshin në dokument, zotërojnë shprehi të domosdoshme dhe mund të sigurojnë një cilësi të lartë shërbimi. Në mënyrë të veçantë theksohej se femra të tilla ishin të disiplinuara dhe më pak të prirura për rezistencë. Dokumenti i dhjetë e befasoi Makarovin shumë më tepër. Aty përmbahej një telegram sekret, i ardhur nga Moska ditën e djeshme. Në atë telegram njoftohej për hartimin e një plani për krijimin në Moskë, si kryeqytet i vendit, të një shtëpie speciale pushimi për udhëheqjen e lartë të partisë dhe të qeverisë. Në telegram parashikohej të përzgjidheshin nga kampe të ndryshme 20 femrat më të përshatshme për aktivitete kulturore dhe të dërgoheshin në Moskë për zbatimin e një detyre shtetërore veçanërisht të rëndësishme. Mes kandidateve të përzgjedhura, e para figuronte Zoja Fjodorova. Makarovi e kuptoi që qenkej bërë dëshmitar i një sistemi të përbindshëm, i cili i shndërronte aktoret sovjetike në skllave seksi për elitën partiake. Sistemi qenkej kaq i formësuar dhe i degëzuar, saqë përfshinte brenda vetes gjithë vendin. Por zbulimi më i tmerrshëm e priste Makarovin në dokumentin e fundit të dosjes. Kjo qenkej një çertifikatë për perspektivën e zhvillimit të veprimtarisë kulturore, të përgatitur nga seksioni analitik i ministrisë së brendshme. Në çertifikatë njoftohej se sistemi kishte dëshmuar për efektivitetin e tij të lartë dhe planifikohet zgjerimi i tij i mëtejshëm. Lihej si detyrë që, në veprimtarinë kulturore të angazhoheshin jo vetëm aktoret e burgosura e të internuara, por edhe bashkëshortet dhe vajzat e armiqve të popullit, si edhe vajzat e familjeve të të përndjekurve politikë. Analistët e ministrisë së brendshme patën ardhur në përfundimin se shfrytëzimi i femrave nga shtresat e arsimuara të popullsisë për një shërbim të kulturuar të personelit komandues, ndihmon në shtimin e besnikërisë së kuadrove dhe të efektivitetit të punës së tyre. Makarovi e mbylli dosjen me duart që i dridheshin. Tani ai po e kuptonte se ajo që po ndodhte në kampin e tyre qenkej vetëm një pjesëz e vockël e një makine gjigante e detyrimit dhe e poshtërimit të femrave. Zhurma e hapave në korridor e detyroi të largohej shpejt nga tryeza. Një sekondë më pas, në kabinet hyri Krasnovi. Nga shprehja e fytyrës së tij, Makarovi e kuptoi që Krasnovi e pikasi interesimin e tij për ato dokumente. “Ivan Petroviç, - zëri i Krasnovit ishte i qetë, por në sytë e tij lexohej kërcënimi, - shpresoj se ju e kuptoni që disa dokumente pune kërkojnë një konfidencialitet të veçantë”. Makarovi pohoi me kokë, pa kuturisur të thoshte një fjalë. Krasnovi u afrua pranë tryezës dhe e mbylli dosjen me kujdes. “Se ju jeni njeri që dini t’i kuptoni gjërat, - vazhdoi nënkoloneli, - dhe me siguri e kuptoni që interesat shtetërore nganjëherë kërkojnë nga ne vendime jo të zakonshme. Ato që ju mund të keni parë rastësisht, kanë të bëjnë me masa të rëndësishme shtetërore”. Makarovi rrinte në heshtje, duke e kuptuar se jeta e tij varej në fije të flokut. Nga ana tjetër, Krasnovi hapi sirtarin e tryezës dhe nxori që andej një zarf të vogël. “Njerëzit që e kuptojnë rëndësinë e interesave shtetërore, mund të shpresojnë për përparësi të caktuara”. Në zarf ndodheshin para më shumë sesa Makarovi fitonte gjatë një gjysmë viti. Pranë parave ndodhej një dokument për transferimin në detyrën e zëvendësshefit të truprojës me dyfishimin e rrogës. “Zgjedhja është në dorën tuaj, Ivan Petroviç”, - i tha Krasnovi. “Ju mund të bëheni pjesë e një çështjeje të rëndësishme shtetërore dhe të gëzoni përparësitë përkatëse ose të mbeteni thjesht një truprojë me perspektivat që i takojnë”. Makarovi e kuptoi se ky nuk qenkej propozim, por një ultimatum për të pranuar të bëhej me vetëdije pjesëmarrës i sistemit të përbindshëm, të refuzonte, do të thoshte të nënshkruante dënimin me vdekje për vetveten. Por ndërkohë që ai ishte duke vrarë mendjen për përgjigjen që do të jepte, dikush trokiti në derë. Rreshteri që hyri raportoi se nga Moska paskej arritur një komision qeveritar për një inspektim të befasishëm. Krasnovi u beh në fytyrë. Makarovi e kuptoi se ardhja e komisionit në këtë kohë nuk ishte e rastësishme.
Dikush në Moskë e paskej marrë vesh për ekzistencën e dokumenteve sekrete, dhe, aty për aty. Krasnovi shqiptoi frazën, e cila zbuloi para Makarovit një të vërtetë edhe më të tmerrshme: ka të ngjarë që Beria paskej vendosur të vinte rregull në sistem personalisht. Ai ishte në dijeni të ekzistencës së haremeve nëpër kampe që në fillim. Për më tepër, pikërisht ai ishte njëri nga nismëtarët kryesorë të krijimit të tyre, të këtij sistemi, por tani, në shkurt të vitit 1947, ai po fillonte të dilte nga kontrolli. Komisioni qeveritar arriti në Kollëjma më 24 shkurt, Përbëhej prej tre vetash. E kryesonte koloneli i sigurimit të shtetit Viktor Abakumov, zëvendësministër i sigurimit të shtetit. Bashkë me të erdhëm major Pavel Sudopllatovi nga drejtoria e detyrave speciale, mareshali Mihail Rjumin nga seksioni i hetuesisë.Makarovi, i cili në atë kohë ishte bërë zëvendësshef i truprojës në saje të të kuptuarit të interesave shtetërore, ishte i pranishën në takimin e mbyllur në administratën e kampit. Ato që dëgjoi atje, e përmbysën përfytyrimin e tij për përmasat e asaj që po ndodhte. Abakumovi e filloi diskutimin pa ndonjë parathënie. Në tryezën që kishte përpara ndodhej një dosje e trashë me dokumente, shumë prej të cilave Makarovi po i shikonte për herë të parë. “Shokë, ja cila është situata”. Koloneli fliste me një zë të thatë zyrtar. “Sistemi i masave kulturoro-argëtuese, që është krijuar me nismën e shokut Beria, ka tre vjet që po funksionon. Gjatë kësaj kohe, përmes tij kanë kaluar më shumë se 2 000 femra, të internuara në 47 kampe të Bashkimit Sovjetik”. Krasnovi, i nervozuar, po prekte dokumentet para vetes. Shefi i kampit, major Goranini, rrinte pa lëvizur, por Makarovi vuri re se si po i dridheshin duart. ”Paralelisht, sistemi qe krijuar për zgjidhjen e detyrave konkrete”, - vazhdoi Abakumovi. ”Siurimin e çlodhjes cilësore të personelit komandues, të organeve të sigurimit të shtetit në kushtet e shërbimeve të largëta. Por, me kalimin e kohës, sistemi përftoi funksione shtesë”. Sudopllatovi hapi dosjen e vet dhe nxori disa fotografi. Makarovi i njohu disa nga ata që kishin dalë në ato fotografi. Ata ishin funksionarë të lartë partiakë, portretet e të cilëve botoheshin rregullisht në gazetën “Pravda”. Sistemi kishte filluar të përdorej jo vetëm për çlodhje, por edhe për sigurimin e materialeve komprometuese për udhëheqësit e lartë të partisë dhe të qeverisë, - shpjegoi majori. Në mjedise të brendshme, të pajisura posaçërisht, bëheshin fotografime dhe regjistrime zërash nga skena komprometuese. Makarovi e kuptoi se haremet e kampeve ishin vetëm pjesë e një operacioni gjigant për grumbullimin e materialeve komprometuese për elitën sovjetike. Beria kishte hapur dosje për të gjithë ata që mund të paraqitnin rrezik për të. “Në dispozicionin tonë ndodhen regjistrime bisedash të 80 personaliteteve me funksione të larta partiake dhe qeveritare”, - vazhdoi Sudopllatovi. “Shumë prej tyre, që janë në gjendje të alkolizuar, kanë dhënë informacione me rëndësi shtetërore me artiste të internuara”. Rjumini nxori nga çanta e vet një shirit magnetofoni. “P.sh., sekretari i komitetit të partisë së qytetit të Moskës, shoku Popov, ka rrëfyer me hollësi për planet e riorganizimit të aparatit partiak. Zëvendësi i komisariatit të mbrojtjes, shoku Antonov, ka rrëfyer për sekrete ushatare. Të gjitha këto janë regjistruar”. Granini, më në fund, vendosi të bëjë një pyetje: “Shoku kolonel, a do të thotë vallë kjo se veprimtaria jonë ndërpritet?”. Abakumovi tundi kokën. “Përkundrazi. Shoku Beria mendon se sistemi ka treguar efektivitet të lartë dhe duhet të zgjerohet, por tani ai kalon nën drejtim të drejtpërdrejtë të aparatit qendror”. Nga dokumentet që pati lexuar koloneli, Makarovi mësoi hollësi befasuese për organizimin e sistemit. Rezultoi se në Moskë tashmë po funksionuakeshin disa shtëpi pushimi për udhëheqjen e lartë partiake, ku punonin aktore, të liruara para afatit nga internimi. Shtëpia nr. 1 ndodhej në vilën në Peredjellkin, - raportonte Abakumovi. “Atje ndodhen 12 femra, të përzgjedhura nga kampe të ndryshme. Midis tyre janë Zoja Fjodorova, Tatjana Akunjevskaja, këngëtarja Lidia Rusllanova”. Makarovi solli ndër mend se si një muaj më parë, këto artiste, papritur, i patën liruar para afatit për sjellje shembullore. Tani u bë e qartë se për ku qenkeshin zhdukur. “Shtëpia nr. 2 ndodhet në vilën shtetërore në Barvih”, - vazhdoi koloneli. “Atje janë vendosur me banim 8 femra”... Por zbulimi me tmerrues Makarovin e priste në fund të takimit. Abakumovi nxori nga dosja e tij dokumentin e fundit: “Shoku Stalin është informuar për ekzistencën e sistemit, - u shpreh koloneli. “Përveç kësaj, ai i aprovoi personalisht planet për zgjerimin e tij. Për vitin 1948, planifikohet të krijohen sisteme analoge në të gjitha republikat e Bashkimit sovjetik”. Nga dokumentet rezultonte se haremet e kampeve Stalini i vlerësonte si një instrument të drejtimit të elitës partiake. “Kur njeriu mbart në vetvete dobësi të fshehta, atë e drejton më lehtë”, - po citonte Abakumovi fjalët e udhëheqësit. Plani i zgjerimit të sistemit të befasonte me përmasat e veta. Paramendohej të hapeshin 50 shtëpi të reja pushimi në qytetet më të mëdhaja të Bashkimit Sovjetik. Për këtë kërkohej të mobilizoheshin edhe 5 000 femra të burgosura ose të internuara nga radhët e artisteve të teatrit e të kinematografisë, nga radhët e këngëtareve dhe të balerinave. “Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet femrave nga familjet e personaliteteve të përndjekura partiake”, - nënvizoi Abakumovi. “Ato zotërojnë shprehitë e domosdoshme kulturore dhe kanë lidhje me qarqet e larta të shoqërisë”. Makarovi e kuptoi se sistemi, dëshmitar i krijimit të të cilit ai u bë në kampin e vet, qenkej shndërruar në një makinë shtetërore detyrimi dhe kontrolli të përmasave të papara. Takimi përfundoi me udhëzime konkrete: kampi i Kollëjmas duhej të përzgjidhte edhe 20 artiste për t’i dërguar në Moskë. Kriteret e përzgjedhjes qenë bërë edhe më të egra: tani kërkoheshin jo vetëm josha e jashtme, por edhe aftësitë artisike... Pas largimit të komisionit, në kamp filloi një valë e re përzgjedhjeje. Makarovi po vëzhgonte se si po studioheshin sistematikisht dosjet personale të femrave të internuara. Vëmendje e veçantë u kushtohej atyre, të cilat para arrestimit kishin punuar në teatro. Mes të përzgjedhurave rezultoi Evgjeni Garkusha, e cila para arrestimit kishte punuar në teatrin Bolshoj. Në dosjen e saj përshkruheshin turnetë që kishte bërë në Paris dhe në Londër, çka e bënte atë veçanërisht të vlerësuar për kryerjen e detyrave të reja të sistemit. Kanditatja tjetër ishte Lidia Frenkel, ylli i kinemasë pa zë, e cila, në vitet ’20 qe xhiruar në filma të përbashkët sovjeto-gjermanë... Procedura e përzgjedhjes qe formuluar me hollësi. Çdo kandidate i nënshtrohej kontrollit mjekësor,,, Studionin jetëshkrimin dhe lidhjet e saj. Ato që e kalonin përzgjedhjen, zhvendoseshin në një barangë speciale, me kushte të përmirësuara trajtimi. Por Makarovi pati vënë re se jo të gjitha femrat e përzgjedhura arrinin deri në Moskë. Disa zhdukeshin në një mënyrë misterioze gjatë udhëtimit. Në njoftimin zyrtar thuhej se patën tentuar të arratisen ose patën vdekur papritur nga sëmundja. Më vonë ai e pati mësuar të vërtetën e tmerrshme për femrat që patën refuzuar kategorikisht të bëheshin pjesë e sistemit, qoftë edhe kur kërcënoheshin me vdekje dhe i vrisnin. Kufomat e tyre i varrosnin në tajgë, pa shënuar emrin e tyre, kurse në dokumente thuhej se gjoja paskeshin vdekur nga rraskapitja ose qenë vrarë kur qenë përpjekur për t’u arratisur. Gjashtë muaj pas vizitës së komisionit të ardhur nga Moska në kampin e Kollëjmas, qenë zhdukur 37 aktore, 22 prej të cilave qenë dërguar në Moskë, kurse 15 patën mbetur në ngricat e Kollëjmas.
Sistemi vazhdonte të funksiononte si një kontenier i pamëshirshëm, i cili copëtonte fatet e femrave, të cilat dikur patën qenë krenaria e artit sovjetik. Dhe sa më shumë që Makarovi mësonte për organizimin e sistemit, aq më shumë po e kuptonte se e gjitha kjo qenkej vetëm fillimi. Në nëntor të vitit 1947, atij i patën ardhur në vesh llafet se sisteme analoge tashmë qenkeshin në funksionim edhe në Vorkutë, në Norilsk, në Magadan, se në Moskë qenkeshin ngritur edhe tri shtëpi të fshehta pushimi, se atje dërgonin femra jo vetëm nga kampet e internimit, por edhe drejtpërdrejt nga teatrot e Moskës. Kurse në dhjetor Makarovi mori një dokument, i cili e bëri t’i ngrijë gjaku. Ky qenkej një urdhër për krijimin e seksionit të fëmijëve në kuadrin e sistemit. Urdhri për ngritjen e një sistemi të tillë për fëmijë, mbante datën 15 dhjetor 1947 dhe e paskej nënshkruar Beria personalisht. Në dokumentin, të cilin Makarovi po e mbante në duar që i dridheshin, parashikohej organizimi i një nënseksioni të posaçëm për punën që do të bëhej me të miturat e familjeve të armiqve të popullit, me qëllim riedukimin dhe përgatitjen e tyre për veprimtari të dobishme shoqërore. Prapa këtyre formulimeve fshihej një realitet i përbindshëm, Sistemi, që fillonte si një mënyrë argëtimi për elitën partiake, vinte e shndërrohej në një makinë për shfarosjen e brezave të tërë. Për shërbimin, të themi, e detyruar, planifikohej angazhimi i vajzave të vogla, që nuk kishin arritur një moshë të caktuar, si pjella të aktoreve, këngëtareve dhe balerinave. Vëmendje e veçantë u kushtohej, vajzave të vogla nga familje artistesh, - thuhej në dokument. Ato, që nga fëmijëria, edukoheshin në frymën e një morali të tillë me mënyra riedukimi. Me riedukim nënkuptohej përgatitja për veprimtari kulturore me funksionarët e lartë, të cilët kishin parapëlqime përkatëse. Makarovi mësoi se seksione të tilla për të miturat qenkeshin në funksionim në tre institucione të Moskës. Atje, nën maskën e një shkolle speciale të artit, çonin vajzat e personaliteteve të kulturës, të ekzekutuar ose të dëbuar nëpër kampe internimi. Vajzat e vogla i mësonin të vallëzonin, të këndonin dhe të pajiseshin me mjeshtëri aktoriale, kurse pas një moshe të caktuar, fillonin mësime praktike me vizitorët. Në dokumente dëshmohej se përmes seksionit të të miturave paskeshin kaluar më shumë se 200 vajva të vogla. Shumë prej tyre ishin bija artistësh të shquar, të pushkatuar ose të vdekur nëpër kampe internimi. Emrat e tyre përbënin një listë të veçantë në dokumentet sekrete të ministrisë së brendshme. Midis tyre figuronte emri i Larisa Akunjevskajas, bija e aktores Tatjana Akunjevskaja, e cila asokohe kishte dy vjet që punonte në një shtëpi pushimi në Moskë. Nëna dhe e bija mbaheshin në sistemin e parë, por në institucione të ndryshme dhe nuk kishin dijeni për fatin e njëra-tjetrës. Viktimë tjetër qe bërë 16-vjeçarja Ana Fjodorova, mbesa e Zoja Fjodorovës. Vajza qe arrestuar me akuzën për agjitacion antisovjetik, pasi pati tentuar të sqaronte fatin e tezes së vet. Atë e patën rrasur në një seksion të miturash, si një element veçanërisht të rrezikshëm, që kërkonte një riedukim special. Sistemi e pati arritur kulmin e vet në fillim të vitit 1949. Në krejt Bashkimin Sovjetik funksiononin 87 shtëpi pushimi të profileve të ndryshme. Në ato shtëpi mbaheshin më shumë se 5 000 femra dhe 400 të mitura. Gjeografia e operacionit përfshinte mbarë vendin, që nga Kaliningradi deri në Vladivostok. Financimi i sistemit arrinte në një shumë kolosale - më shumë se 15 milionë rubla në vit. Paratë harxhoheshin jo vetëm për trajtimin e të burgosurave dhe të internuarave, por edhe për ndërtimin e objekteve të reja, për blerjen e pajisjeve të përgjimit dhe për përgatitjen e specialistëve. Në sistem ishin të angazhuar më shumë se 3 000 bashkëpunëtorë të ministrisë së brendshme të rangjeve të ndryshme. Ekzistonte një hierarki e tërë, duke filluar nga rojat e zakonshme, deri te kujdestarët nga aparati qendror. Shumë prej tyre merrnin shtesa të konsiderueshme page për punë në kushte të veçanta. Por në vitin 1950, sistemi pati pësuar një plasaritje serioze. Njëri nga diplomatët amerikanë, i cili frekuentonte rregullisht një shtëpi pushimi në Moskë, pati tentuar të nxirrte nga Bashkimi Sovjetik një aktore që i pati pëlqyer. Atë e kapën në kufi me dokumente të falsifikuara dhe me një femër që e kishte fshehur në bagazhin e makinës. Incidenti qe mundur të zbutej me mjete diplomatike, por skandali dëshmoi për pasigurinë e sistemit, sepse ishin tepër të shumtë njerëzit që kishin dijeni për ekzistencën e sistemit, tepër të shumta ishin dokumentet që qenë grumbulluar nëpër arkiva, tepër të shumtë ishin ata që ishin dëshmitarë të gjallë. Beria pati marrë vendimin për spastrim. Gjatë vitit 1951 qenë likuiduar më shumë se 300 veta që kishin pasur lidhje me sistemin. Midis tyre figuronin jo vetëm aktoret e burgosura, të cilat patën refuzuar të bashkëpunonin, por edhe bashkëpunëtorë të ministrisë së brendshme, që dinin shumë më tepër se ç’duhej. Makarovi mundi ta shmangte spastrimin vetëm në saje të transferimit në një tjetër kamp para fillimit të operacionit, por shumë kolegë të tij qenë zhdukur pa lënë gjurmë ose, zyrtarisht, patën vdekur gjatë kryerjes së detyrave të shërbimit ose nga sëmundjet. Njëkohësisht, pati filluar zhdukja e dokumenteve. Tonelata shkresash sekrete qenë djegur në vilat e ministrisë së brendshme në Moskë, qenë fshirë regjistrimet gjatë përgjimeve, qenë zhdukur fotografitë, qenë likuiduar arkivat. Por fshehja e plotë e gjurmëve të përmasave të një operacioni të tillë, rezultoi e pamundur. Disa dokumente qenë ruajtur në saje të kujdesit të disa bashkëpunëtorëve të veçantë. Ata ishin të vetëdijshëm se sistemi i shthurjes seksuale të elitës partiake, herët ose vonë, do të shembej. Dhe patën përgatitur kopje të shkresave më të rëndësishme. Ato kopje patën shërbyer si mbrojtje nga represionet e mundshme. Mes dokumenteve të ruajtura, rezultoi lista e plotë e funksionarëve të lartë, të cilët kishin shfrytëzuar shërbimet e sistemit. Në atë listë figuronin emrat e njerëzve, të cilët, edhe pas dhjetëvjeçarëve, vazhdonin të mbanin poste të rëndësishme në aparatin partiak dhe shtetëror. Vdekja e Stalinit më 05 mars 1953, shënoi fillimin e fundit të sistemit. Beria po e kuptonte se udhëheqja e re mund t’i shfrytëzonte materialet komprometuese kundër vetë atij. Ai u mundua ta përshpejtonte procesin e zhdukjes së provave, por tashmë ishte vonë.
Arrestimi i Berias më 26 qershor 1953, e pati paralizuar krejt sistemin. Pa fshehjen nga ana e tij, shtëpitë e pushimit rezultuan të pambrojtura para udhëheqjes së re, e cila synonte të hiqte qafe trashëgiminë e epokës së mëparshme. Gjatë disa nuajve, të gjitha shtëpitë e pushimit qenë mbyllur. Femrat që mbaheshin në to, i patën ndarë në tri kategori. Të parat ishin ato që mund të përbënin rrezik, qenë likuiduar fshehurazi. Të dytat ishin ato që pranonin të heshtnin në këmbim të lirimit. Atyre u qenë dhënë dokumente dhe qenë vendosur më banim në rajone të largëta të vendit. Të tretat - ato më të vendosurat dhe më parimoret - qenë dërguar nëpër kampe për kryerjen e plotë të dënimit, si të internuara. Zoja Fjodorova përfundoi në kategorinë e tretë. Atë e kthyen në kampin e Kollëjmas, ku e vuajti dënimin edhe 5 vjet. Pasi qe liruar në vitin 1958, ajo tentoi t’i rikthehej aktivitetit aktorial, por, faktikisht, qe bllokuar në të gjitha studiot teatrore dhe kinematografike. Tatjana Akunjevskaja qe përfshirë në kategorinë e dytë. Asaj i patën propozuar të heshtte, në shkëmbim të lirimit dhe të mundësisë për të emigruar. Ajo zgjodhi emigrimin dhe pjesën e mbetur të jetës e pati kalur në Paris, pa i rrëfyer askujt për çka kishte përjetuar. Lidia Rusllanova rezultoi në kategorinë e parë. Ajo, zyrtarisht, pati vdekur në një spital burgu nga një goditje në zemër në vitin 1950. Por dëshmitarët kanë thënë se e patën parë të gjallë ende disa vjet më vonë, në një spital psikiatrik në rrethinat e Moskës. Seksioni i të miturave të sistemit qe likuiduar në radhë të parë. Shumica e vajzave të vogla që qenë mbajtur atje, qenë vrarë fshehurazi. Vetëm pak prej tyre, prindërit e të cilave dikur kishin pasur miq me ndikim, qenë zhvendosur në shtëpi të zkonshme fëmijësh me mbiemra të ndryshuar. Procesi i zhdukjes së provave pat vazhduar për disa vjet me radhë. Në vitin 1957, nga sistemi gjigant i haremeve nëpër kampe, praktikisht, nuk patën mbetur kurrfarë gjurmësh zyrtare. Në arkivat e ministrisë së brendshme qenë ruajtur vetëm disa dokumente të veçanta, me shënimin: duhet të zhduket pas vdekjes së të gjithë atyre që figurojnë aty. Por fshehja e plotë e së vërtetës rezultoi e pamundur. Ishin tepër të shumtë njerëzit që kishin informacion për ekzistencën e sistemit. Ishin tejet të shumta familjet që kishin humbur vajzat e tyre, bashkëshortet, nënat. Informacioni qe përcjellë gojë më gojë, qe ruajtur nëpër arkiva private, pati dalë në shesh në kujtimet e emigrantëve. Në vitet ’70, disidentët sovjetikë patën filluar të mblidhnin dëshmi për sistemin e haremeve nëpër kampe internimi. Aleksandër Sollzhenjicini e përmendte një gjë të tillë në librin e vet me titull “Arqipelagu GULAG”, megjihëse në një formë shumë të kamufluar. Varllan Shallamovi pati lënë disa rrëfenja, në të cilat përshkruante baranga të veçanta femrash nëpër kampet e internimit të Kollëjmas. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetk, një pjesë e arkivave të KGB-së qenë lejuar të lexoheshin nga studiuesit. Në to qenë zbuluar dokumente të veçanta, në të cilat pohohej për ekzistencën e sistemit të haremeve për prostitucion të detyruar nëpër kampet e internimit. Por shumica e materialeve qe zhdukur që në vitet ’50. Në vitin 1995, historiani rus Vladimir Kozllov pati botuar një artkull për një operacion sekret të ministrisë së brendshme, në të cilin, për herë të parë, shkruante haptas për rrjetin e gjerë të haremeve nëpër kampet e internimit. Artikulli shkaktoi skandal dhe qe hequr me të shpejt nga qarkullimi, sipas krkesës së institucioneve të interesuara. Autoritetet zyrtare vazhdojnë ta mohojnë deri tani ekzistencën e sistemit të prostitucionit të organizuar në kampet sovjetike të internimit. Në tekstet e historisë kësaj teme nuk i kushtohet vëmendje. Arkivat, që mund të hidhnin dritë për ato që kanë ndodhur, vazhdojnë të mbeten sekrete, por dëshmi vazhdojnë të dalin në sipërfaqe, Në vitet 2000, gjatë restaurimit të një vile në rrethinat e Moskës, qenë zbuluar disa dokumente, të fshehura në mur. Mes tyre u gjetën fotografi dhe përgjime të regjistruara, në të cilat vërtetohej ekzistenca e shtëpive të pushimit në Moskë, ku argëtoheshin seksualisht funksionarët e elitës partiake. Në vitin 2000 ndërroi jetë pjesëmarrësja e fundit e mbijetuar e sistemit - Ana Smirrnova, ish-balerina e teatrit Mariin. Para largimit për në botën e përtejme, ajo i pati dhënë intervstë një gazetari gjerman, në të cilën pati rrëfyer me hollësi për vitet që pati kaluar në një shtëpi pushimi në Peredjellkin: ”Ne ishim jo njerëz, por sende”, - pati rrëfyer ajo. ”Ishim kukulla të bukura për ata që vendosnin për fatin e miliona njerëzve. Ne na shfrytëzonin dhe na flaknin si ndonjë rrobë të vjetër dhe më e tmerrshmja ishte se shumë prej nesh, me kalimin e viteve, vetë patëm filluar të besojmë se këtë e meritojmë”. Rrëfenja e saj zbulonte jo vetëm vujtjet fizike të femrave që kishin përfunduar në rrjetin e sistemit, por edhe traumat psikologjike, të cilat i patën mbartur deri në fund të jetës. Shumë nga ato që mbijetuan, nuk mundën dot të krijonin familje, nuk mund t’u zinin besë meshkujve, patën vuajtur nga depresioni dhe alkolizmi. ”Neve na e patën copëtuar jetën jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht”, - vazhdonte rrëfimin e vet Smirnova.
”Ne e patëm humbur besimin te drejtësia, të njerëzillëku, në mundësinë për të dashuruar, ne qemë kthyer në kufoma të gjalla, të cilat vazhdonin të merrnin frymë vetëm për inerci”. Intervista qe botuar vetëm në shtypin gjerman. Përmbajtja e saj në Rusi vazhdon të mbetet pak e panjohur. Historianët zyrtarë vazhdojnë të pohojnë se sistemi i haremeve nëpër kampet e internimit është një mit, të cilin e kanë përhapur armiqtë e pushtetit sovjetik. Por në dokumente dëshmohet se kujtimet vahdojnë të grumbullohen. Studiues nga vende të ndryshme po e zbardhin gradualisht tablonë e njërës nga faqet më të tmerrshme të historisë sovjetike, tablonë e atyre ngjarjeve, se si femrat e talentuara i patën shndërruar ne skllave për të kënaqur epshet seksuale të njerëzve të pushtetshëm. Sistemi i rrjetit të haremeve nëpër kampet e internimit, vazhdoi të ekzistonte rreth tetë vjetë. Gjatë kësaj periudhe, nëpër një rrjet të tillë patën kaluar më shumë se 7 000 femra. Shumica e tyre patën vdekur nëpër kampe, qenë vrarë gjatë likuidimit të sistemit ose patën vdekur në vitin e parë pas lirimit, nga tmerret që patën përjetuar. Vetëm disa qindra femra patën arritur të jetojnë deri në një moshë të thyer. Por, praktikisht, të fshehtat ato i patën marrë me vete për në botën e përtejme. Frika që u patën futur në moshë të re, rezultoi më e fuqishme sesa dëshira për të zbardhur të vërtetën historike. Sot, 70 vjet pas krijimit të sistemit, ne vetëm mund të hamendësojmë për përmasat e tij të vërteta. Sa aktore, këngëtare, ballerina qenë sakrifikuar për të kënaqur epshet e elitës sovjetike, sa fate qenë përmbysur, sa jetë qenë marrë në qafë për të kënaqur instinktet e ulëta të elitës shtetopartiake. Historia e haremeve nëpër kampet e internimit, përbën jo vetëm një rrëfenjë për egërsinë e një regjimi totalitar. Kjo është historia e një pushteti që i degjeneron dhe i zhduk ata që e kundërshtojnë. Ky është një paralajmërim se deri ku mund të shkojë dhe çfarë mund të sjellë përqendrimi i një pushteti ta pakufizuar në duart e një grupi njerëzish. Mundet që mësimi më i merrshëm i kësaj historie të konsistojë në faktin që sisteme të tilla mund të shfaqen në çdolloj shoqërie, ku mungon kontrolli konkret mbi pushtetin, ku njerëzit janë të gatshëm të mbyllin sytë para krimeve që kryhen në emër të tyre, ku heshtja kthehet në normë, kurse rezistenca kthehet në përjashtim. Makarovi, i cili qe bër dëshmitar i rastësishëm i krijimit dhe i funksionimit të sistemit, jetoi gjatë. Ai ndërroi jetë në vitin 1987, duke mos i rrëfyer askujt për ato që pati vënë re në kampin e internimit në Kollëjma. Të gjitha shënimet, që i pati mbajtur fshehurazi gjithë ato vite, qenë zbuluar në një vend të fshehtë në një mur vetëm pas ikjes së tij drejt botës së amshuar. Ato shënime patën shërbyer si një nga burimet e pakta, të sakta, të informacionit për jetën e përditshme në haremet e kampeve të internimit. Në ato shënime dëshmohet për atë sistem në brendësi, me sytë e një njeriu, i cili nuk kishte qenë as organizator i tij, as viktimë, por thjesht dëshmitar i një eksperimenti të përbindshëm për shndërimin e njerëzve në materiale inerte. ”Unë pata vënë re se si pushteti i shndërronte njerëzit në kafshë”, - shkruante Makarovi në shënimet e veta. Dhe më e tmerrshmja ishte se ky shndërrim ndodhte jo vetëm me viktimat, por edhe me xhelatët. Shefat që e patën krijuar atë sistem, vetë ktheheshin në skllevër të tij, në skllevër të instinkteve të tyre të ulëta. Sot, kur arkivat po hapen gradualisht, kurse dëshmitarët largohen nga jeta, para nesh shtrohet pyetja: a jemi të gatshëm ta mësojmë të vërtetën për të kaluarën? A jemi gati ta pranojmë që sistemi, i cili, për një kohë të gjatë, dukej si model i drejtësisë? Ai sistem, në të vërtetë, qe ngritur mbi eshtra dhe lot të miliona njerëzve. Dhe pyetja më e rëndësishme: çfarë jemi gati të bëjmë që gjëra të tilla të mos përëriten kurrë? Se historia e haremeve nëpër kampet e internimeve, nuk është vetëm një përrallë e tmerrshme nga e kaluara. Ky është një paralajmërim se një dukuri e tillë mund të ndodhë në çdo shoqëri, e cila e lejon pushtetin të dalë nga kontrolli”.
-----------------------
*Shënim i Eshref Ymerit.
Në respekt të lexuesve të nderuar, duhet theksuar se në përmbajtjen e informacionit të mësipërm nuk ka asgjë për t’u habitur. Kjo për arsye se në periudhën e Rusisë cariste, e Rusisë sovjetike dhe të Rusisë neocariste të ditëve tona, njeriu është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet pronë e shtetit. Prej vitit 1649 deri në vitin 1861, fshatarët, me ligj, kanë pasë qenë skllevër në pronësi të çifligarëve, të cilët mund t’i blinin dhe t’i shisnin, por jo t’i vrisnin. Kur në çifligun e tij martohej dikush, çifligari gëzonte të drejtën e natës së parë me nusen. Kjo mendësi për qëndrimin ndaj femrave mbeti e trashëguar kur bolshevikët morën pushtetin në tetor të vitit 1917.
Prandaj Beria, me aprovimin e Stalinit, krijoi sistemin e pronësisë së elitës shtetopartiake sovjetike mbi femrat më të bukura nga radhët e artisteve të teatrit dhe të kinematografisë. Heshtja e opinionit publik asokohe para një sistemi të tillë të përbindshëm, dëshmon se populli rus dallohet për tipare të tilla karakteri, të cilat i ka pasë nxjerrë në pah shkrimtari rus Ivan Shmelov (1873-1950), autor i librit “Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923. Ja deklarata e tij: “Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë… Ky nuk është popull, por një mallkim historik i njerëzimit”. Fakti që deri në mbrëmjen e 21 Nëntorit 2025, në Ukrainë janë vrarë 1 164 2020 ushtarë dhe oficerë rusë (faqja e internetit “delo.ua”, 21 nëntor 2025) dhe populli rus vazhdon të përkrahë Putinin, dëshmon më së miri se sa tingëllim aktual vazhdon të ketë deklarata e atij shkrimtari mendjemprehtë. Nuk kemi ndonjë informacion nëse një sistem i tillë i përbindshëm për poshtërimin e femrave nga ana e parisë shtetopartiake, është shfaqur ose jo në Rusinë e tanishme neocariste.
(Kosova Sot Online)
