Vjen paralajmërimi: Serbisë nuk duhet t’i lëshohet pe për t’i dhënë sërish territore shqiptare

Vjen paralajmërimi: Serbisë nuk duhet t’i lëshohet pe për t’i dhënë sërish territore shqiptare
Vjen paralajmërimi: Serbisë nuk duhet t’i lëshohet pe për t’i dhënë sërish territore shqiptare

Nue Oroshi

  • 03 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Veprimi ushtarak për sigurinë dhe lufta diplomatike janë dy dimensione të ndara nga njëra-tjetra. E para lidhet me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa e dyta me çështjet politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Megjithatë, në shumicën e rasteve, politika është ajo që vendos edhe për çështjet ushtarake.

 

-Mendoj se çështjet e mbetura pezull ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe Serbisë duhet të marrin një zgjidhje përfundimtare. Serbisë nuk duhet t’i lëshohet pe për t’i dhënë sërish territore shqiptare. Sipas këtij këndvështrimi, një pjesë e konsiderueshme e territorit të Serbisë së sotme përbëhet nga toka që historikisht kanë qenë të banuara nga shqiptarë.

Në këtë kontekst, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe një pjesë e shteteve evropiane, duhet të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë që ta njohë pavarësinë e Republika e Kosovës.

Megjithatë, një nga problemet kryesore mbetet fakti se politikanët shqiptarë shpesh nuk janë të përgatitur sa duhet për ta zhvilluar në mënyrë efektive luftën diplomatike me Serbinë. Për më tepër, ata nuk angazhojnë sa duhet intelektualët dhe studiuesit për të hartuar projekte shkencore që do t’i shërbenin diplomacisë shqiptare në raport me Kosovën.

Në një projekt të tillë, vend të rëndësishëm duhet të zënë edhe masakrat dhe krimet e kryera nga forcat serbe në trojet shqiptare gjatë viteve 1912–1999. Shoqata “Trojet e Arbrit” ka publikuar rreth 1300 faqe materiale shkencore në dy vëllime të veçanta mbi këto çështje. Sipas mbështetësve të saj, kjo shoqatë ka kontribuar më shumë në këtë drejtim sesa akademitë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, megjithëse është sulmuar nga grupe që kritikohen për qasje ideologjike pansllaviste.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".