T'i dëbojmë pushtetarët e korruptuar, ambasadorët nuk na kanë faj

  • 30 March 2019 - 15:36
T'i dëbojmë pushtetarët e korruptuar, ambasadorët nuk na kanë faj

Gafa e një ministri të Qeverisë "Haradinaj", që kërkoi dëbimin e një ambasadori mik të Kosovës, sepse ky i fundit ua kujtoi skandalin e veteranëve të luftës, nuk është rast i izoluar. Si ky ministër mendojnë edhe pushtetarët e tjerë. Ai nuk tha asgjë më shumë sesa shefat e tij, prandaj edhe nuk mund të shkarkohet për një gjë të tillë. Krerët e pushtetit mendojnë se Kosova i ka 60 mijë veteranë të luftës, edhe pse armët i kishin rrokur një numër shumë më i vogël. Mijëra "veteranë" mashtrues përfitojnë padrejtësisht në kurriz të taksapaguesve kosovarë dhe për këtë megaaferë ka edhe një aktakuzë, ku ka të akuzuar të profileve të larta.

Një prokuror i Speciales u detyrua të largohej në SHBA, për shkak të kërcënimeve që të tërhiqet nga rasti i veteranëve. Liderët, ish-komandantët, qeveritarët, që të gjithë e dinë fare mirë se me listat është abuzuar në mënyrën më skandaloze të mundshme, ndërsa pasojat janë të rënda, sidomos financiarisht. Në vend që me ato fonde të investohet në arsim, në shëndetësi, në rini, Qeveria po ua mundëson jomeritorëve të përfitojnë. Ambasadori zviceran kishte plotësisht të drejtë kur e preku këtë temë, sepse është ironike të kërkojmë fonde nga shtetet evropiane, e vetë fondet i bëjmë rrush e kumbulla. Ministri kosovar e tha publikisht se, po të pyetej ai, do ta dëbonte ambasadorin e Zvicrës nga Kosova! Në një vend normal, një zyrtar i tillë menjëherë do të shkarkohej.

Por, në Kosovë, një të tilli, partia dhe pushteti ia rrah supet. Ne vërtet duhet të dëbojmë disa, por këta që duhen dëbuar janë tipat si ky ministër e mbështetësit e tij, që e kanë shndërruar Kosovën në një vend të izoluar, të pazhvilluar, të kapur dhe të dirigjuar nga mafia politike. Qytetarët do të duhej ta bënin këtë!

(Kosova Sot)