Shprehitë e femrave që kanë ten të përkryer

  • 22 January 2019 - 18:20
Shprehitë e femrave që kanë ten të përkryer

Arritja e tenit të përkryer nuk është aspak e vështirë, nëse iu përmbaheni këtyre shprehive të thjeshta, të cilat lëkurën tuaj do ta mbajnë të pastër, të përkujdesur dhe shkëlqyese.

Mos bini në gjumë me grim

Pa marrë parasysh se sa të lodhur jeni dhe sa vonë mund të jetë bërë, gjithmonë hiqeni grimin para se të bini të flini. Kështu do ta pengoni mbylljen e poreve të lëkurës, duke ruajtur pamjen rinore të fytyrës.

Grimin hiqeni me kujdes dhe me butësi

Lëkura rreth syve tuaj është më e holla dhe më e ndjeshmja, gjë që d.m.th. se fërkimet e ashpra mund ta dëmtojnë keq. Grimin hiqeni me pambuk, duke përdorë lëvizje të buta, e përkujdesuni që preparati për heqjen e grimit të jetë qetësues dhe i butë për lëkurë, por edhe të përmbajë vitamina sikur B5 dhe E.

Mos e harroni ujin!

Nga mëngjesi kur zgjoheni e deri sa të bini në gjumë, përkujdesuni që të konsumoni sa më shumë ujë. Edhe atë, jo vetëm derisa jeni në palestër, apo kur keni etje. Hidratimi i jashtëm dhe ai i brendshëm janë kyçe për një lëkurë të shëndetshme.

Përdorni serum me antioksidues

Konsiderojeni këtë një tretman të butë dhe natyror kundër plakjes. Rrezatimi UV ndikon në lëkurën tuaj edhe kur të përdorni kremin me faktor mbrojtës, por serumi me vitamina, sikur C dhe E nën kremin për fytyrë, do ta mbrojë dukshëm lëkurën tuaj duke penguar krijimin e parakohshëm të njollave të errëta dhe rrudhave.

Përdorni krem për rrezitje

Ata pesë minuta në diell, derisa vraponi deri në dyqan, mund të mos duken kushedi sa, por në një gjë e tillë përsëritet çdo ditë, atëherë kjo len gjurmë në lëkurë. Për këtë shkak, 365 ditë në vit, pa marrë parasysh stinën e vitit, përdoreni kremin për mbrojtje nga rrezet e diellit, me faktor 15 ose më shumë, vetëm më pas rregullojeni grimin.

Flini në jastëk të pastër

Në jastëk grumbullohen shpejt baktere, ndotje dhe pluhur, përpos qelizave të vdekura. Për këtë shkak, çarçafin e jastëkut duhet ta ndërroni çdo 2-3 ditë, që ta pengoni mbylljen e poreve.

Mos shkoni në solarium

Shkuarja në solarium, qoftë edhe vetëm disa herë, mund të lejë pasoja të përhershme në lëkurën tuaj, sikur që është dëmtimi i ADN-së qelizore. Krahas kësaj, rreziku nga paraqitja e melanomës rritet deri në 59%, duke u bërë gjithnjë e më i madh me kalimin e kohës. 

Aktiviteti fizik, i obligueshëm

Joga ose pilates janë ushtrime, të cilat mund të kenë efekt shumë pozitiv në trupin dhe mendjen tuaj e, duke qenë se ushtrimet rregullojnë qarkullimin, këto ushtrime rrisin edhe shkëlqimin e lëkurës. Përpos kësaj, djersitja ul edhe nivelin e kortizolit, hormon i cili lidhet me plakjen e lëkurës, mbylljen e poreve dhe rrudhat. 

Evitoni ushqimet jo të shëndetshme

Nuk e kemi fjalën për shkuarjen e kohëpaskohshme në "fast food", ose konsumimin e ndonjë çipsi, por nëse këto ushqime mbizotërojnë në menynë tuaj, atëherë çmimin e paguan lëkura juaj. Në vend të ushqimeve nga mielli i bardhë dhe ëmbëlsirave, në dietë përfshini perimet e gjelbra, pemët e freskëta, proteinat, arrat dhe jogurtin. 

Mos e harroni pilingun

Përkujdesuni që preparati për piling të mos jetë agresiv për lëkurë dhe mos bëni piling më shumë se dy herë në javë. 

Bartni syzat e diellit gjatë tërë vitit

Përpos që mbrojnë sytë dhe lëkurën rreth syve, syzat e diellit parandalojnë edhe të mrrolurit e panevojshëm, gjë që po ashtu përshpejton paraqitjen e rrudhave. 

Pastrojeni celularin çdo ditë

Dhe, evitoni puthitjen e celularit për fytyre, gjatë bisedës. Celulari juaj është njëri ndër objektet më të ndotura me të cilat keni kontakt.

Një herë në javë, maska për fytyrë

Nëse keni lëkurë të thatë, vendoseni maskën e cila përmban glicerinë. Nëse keni lëkurë më të yndyrshme, përdorni maskë në bazë të glinës. Nëse keni lëkurë të përzier, atëherë kombinoni sipas nevojës, p.sh. në hundë dhe mjekër vendoseni një maskë e cila pastron poret, derisa në ballë dhe faqe mund ta veni ndonjë krem hidratues. 

Flini sa duhet

Pajisjet elektronike leni në një dhomë tjetër, një orë para se të bini në shtrat dhe tentoni të flini tetë orë pa ndërprerje. Qëllimi është gjumi i thellë, i cili mendjes dhe trupit tuaj do t'ia ofrojë një pushim të plotë për përtëritjen e qelizave.

Mos e ngacmoni fytyrën

Lëreni atë puçërr rehat. Edhe pse shpesh është vështirë të rezistosh, ka shumë të ngjarë që, duke ndrydhur puçrrën, vetëm sa do ta përkeqësoni gjendjen dhe do të bëni dëm më të madh. Nëse ju ka dalë ndonjë puçërr e kuqe, mbi të qiteni një katror akulli, në intervale prej 20 sekondash derisa të largohet ënjtja. Më pas pastrojeni atë hapësirë dhe vendosni korrektor. 

 

(Kosova Sot)