Ushqimi më i mirë për fytyrë

  • 29 July 2019 - 08:39
Ushqimi më i mirë për fytyrë

Në kuzhinë mund të gjeni të gjithë përbërësit për një maskë adekuate kozmetike të fytyrës

Disa nga gjësendet më të mira ushqimore për maskë të fytyrës gjenden në kuzhinën tuaj. Ndonjëherë nuk është e nevojshme që të harxhoni para për të blerë preparate të shtrenjta kozmetike, kur maskën për fytyrë mund ta bëni edhe në shtëpi. Kjo nuk është ndonjë risi, por ia vlen që t'ua rikujtojmë herë pas here.

BANANET Bananet janë një pemë e jashtëzakonshme. Ato mund t'ju ndihmojnë te problemet menstruale. Por, ato kanë rëndësi të madhe edhe për fytyrë, meqë përmbajnë sasi të mëdha të vitaminave A dhe E, e nëse i aplikoni në fytyrë, ato e bëjnë lëkurën më të butë, duke e ushqyer në të njëjtën kohë. Merrni ca banane mirë të pjekura, shtypni dhe mbani në fytyrë për 10-20 minuta, duke e shpëlarë më pas fytyrën me ujë të ftohtë.

AVOKADO Kjo pemë është e pasur me vitaminë A dhe me antioksidues dhe, për këtë shkak, është pemë ideale për t'u përdorur si maskë kozmetike për fytyrë. Nëse doni ta provoni këtë maskë, thjesht përzieni një lugë vaj ulliri dhe gjysmë avokadoje. Vëreni këtë masë në fytyrë dhe lëreni që të veprojë për 15 minuta.

MJALTI Mjalti mund të përdoret në shumë mënyra. Shpesh përdoret për shërimin e akneve, e hidraton lëkurën e thatë dhe shëron djegiet. Mund ta përdorni si maskë antibakteriale, por edhe për hidratim. Mund ta përdorni edhe në vaskë dhe do t'ju relaksojë.

QULLI I TËRSHËRËS Nëse keni lëkurë të thatë, apo të irrituar, provojeni qullin e tërshërës, i cili ka veprim qetësues, ushqyes dhe antiinflamator. Si i tillë, ai është i përkryer për t'u përdorur si maskë apo edhe në banjë, në vaskë. Duke e përzier me pak ujë të ngrohtë apo me qumësht, mund ta përdorni për lyerjen e fytyrës, duke e lënë që të veprojë për 10 minuta.

DREDHËZAT Dredhëzat mund t'i përdorni për zbardhjen e dhëmbëve, për pastrimin e lëkurës, shërimin e akneve, për luftimin e zbokthit apo shërimin e pigmentimit. Për maskë të fytyrës duhet t'i shtypni dredhëzat dhe t'i vendosni në fytyrë, duke i shpëlarë më pas. Ato e bëjnë fytyrën të butë dhe shkëlqyese.

JOGURTI Nëse doni t'i zvogëloni poret e lëkurës, atëherë jogurti është si i porositur për këtë. Maska me jogurt e pastron dhe hidraton lëkurën, duke i shëruar edhe aknet. Jogurtin duhet ta mbani në fytyrë për 10-15 minuta.

VAJI I ULLIRIT Vaji i ullirit e ushqen lëkurën, por edhe flokët tuaja. Për fytyrë mund ta përdorni si të tillë, apo të përzier me ndonjë pemë. Mbajeni në fytyrë për 20 minuta dhe lëkurën më pas do ta keni të ushqyer dhe të hidratuar. 

(Kosova Sot Online)